Asnjë prind nuk do ta këshillonte fëmijën e tij të jetë i ndjeshëm, sepse në shoqërinë tonë ndjeshmëria konsiderohet dobësi. Ai që është i ndjeshëm është i dënuar të vuajë!
Por ky është një keqkuptim i madh, sepse realiteti ka treguar shumë herë se njerëzit e ndjeshëm janë nga më të fortët. Nënë Tereza, Gandi, Eleanor Roosevelt, Princesha Diana, të gjithë këta personalitete ndajnë një tipar – ndjeshmërinë. Por në të njëjtën kohë, ata janë një shembull i njerëzve të fortë që kaluan stuhi të panumërta jetësore pa u dorëzuar.
Si ia dolën ata në këtë? Ata ishin thjesht vetvetja! Ata nuk e fshehën ndjeshmërinë e tyre, as nuk i ndrydhën emocionet për t’u bërë figura stoike. Duke u mbështetur në ndjeshmërinë e tyre, ata arritën të zhvillojnë aftësitë dhe përparimin e tyre.
Duke shikoni historinë në të kaluarën, emocionet dhe ndjenjat janë parë gjithmonë me përbuzje. Shoqëria është disi e bindur se ndjenjat ulin efikasitetin, forcën dhe kompetencën për të marrë vendime.
Për fat të mirë, kjo ka filluar të ndryshojë. Njerëzit sot u kushtojnë më shumë rëndësi emocioneve dhe kanë një kapacitet shumë më të madh për të treguar ndjeshmëri gjatë ndërveprimit me mjedisin.
Megjithatë, ende ndodh që shpërthimin e madh të emocioneve mjedisi ta përjetojë si dobësi e dikujt. Edhe ai që shpreh emocione mendon të njëjtën gjë për veten e tij – se është një person i cenueshëm.
E vërteta është se ndjeshmëria e lartë jep forcë, përparim, fuqi, madje edhe përballë fatkeqësive. Në fakt, vetë cilësitë që i bëjnë njerëzit të ndjeshëm janë cilësi nga të cilat njerëzit nxjerrin forcë të jashtëzakonshme të brendshme. Pikërisht këto veçori janë në pyetje:
Vetëdija
Njerëzit me ndjeshmëri ekstreme i njohin lehtësisht emocionet e tyre dhe e dinë saktësisht se si ato emocione ndikojnë te njerëzit përreth tyre. Ata kanë një kapacitet të madh për të kuptuar stresin dhe ngarkesën dhe më e rëndësishmja, ata e dinë saktësisht se çfarë u nevojitet për t’u ndjerë më të qetë. Ata gjithashtu dinë saktësisht se si të manipulojnë emocionet e tyre në mënyrë që të mos lëndojnë të tjerët. Ky është një konfirmim se bëhet fjalë për personazhe që përballen ballë për ballë me situata të vështira.
Kreativiteti
Njerëzit e ndjeshëm janë nga natyra krijues. Nëpërmjet krijimtarisë ata e shndërrojnë energjinë e tyre negative në pozitive. Kur përballen me ditë të këqija, aftësia për të shprehur veten përmes një vepre arti u jep atyre një rrugëdalje nga ndjenjat e tyre intensive në një mënyrë që mund të përfitojnë të tjerët dhe veten e tyre.
Empatia
Krejt natyrshëm dhe spontanisht, njerëzit e ndjeshëm hyjnë në lëkurën e të tjerëve. Është mekanizmi i tyre unik me të cilin ata përpiqen të kuptojnë natyrën njerëzore në mënyrë që të ndihmojnë siç duhet. Dhembshuria me problemin e dikujt tjetër, veçanërisht kur bëhet fjalë për abuzim ose ngacmim, u jep atyre një nxitje të fortë për të nxjerrë drejtësinë në dritë. Pa e kuptuar, të gjithë kërkojmë ndihmë nga njerëzit e ndjeshëm që na rrethojnë, sepse mund të identifikohemi lehtësisht me ta. Askush prej nesh nuk supozon se kjo rastësi është për shkak të instinktit të tyre natyror për të ndihmuar.
Respekti
Njerëzit e ndjeshëm vërejnë detaje dhe vlerësojnë thellësisht bukurinë. Aq sa e shohin kudo, çdo ditë, edhe në gjërat më të vogla banale. Të vlerësosh bukurinë e jetës dhe të jesh i vetëdijshëm se kanë aq shumë për të cilat duhet të jenë mirënjohës është burimi më i madh i forcës së brendshme për këta njerëz. Ndjenja e respektit është ajo që u jep atyre paqe dhe lumturi dhe i inkurajon ata të shijojnë jetën e përditshme.
Intuita
Ata kanë një ndjenjë intuitive shumë të zhvilluar, falë së cilës tregojnë një mirëkuptim të thellë ndaj njerëzve dhe situatave. Intuita është ajo që kristalizon vizionin e tyre për të parashikuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të reaguar në përputhje me rrethanat.
Pasioni
Njerëzit e ndjeshëm janë të butë, por edhe jashtëzakonisht pasionantë. Ata ndjejnë fort vlerat në të cilat besojnë, duke krijuar një energji të fuqishme me të cilën ushqejnë qëndrueshmërinë e tyre. Pasioni është ai që i motivon ata të ecin përpara, të rrezikojnë, të ekspozohen ndaj rreziqeve dhe t’i rezistojnë frikës së tyre. Ata thjesht bëjnë atë që besojnë, sepse kanë një pasion të thellë për të.
Pajtohu me ndjeshmërinë tënde
Sa herë që përballeni me ndonjë sfidë apo vështirësi, sa më shumë të qëndroni konsistent me veten, me karakterin tuaj natyror, dmth sa më i ndjeshëm, kreativ, empatik, intuitiv dhe i pasionuar të jeni, aq më korrekt do të silleni dhe do t’i ushqeni ato cilësi.
Sa më shumë t’i dorëzoheni ndjeshmërisë suaj, t’i lejoni vetes të jeni krijues, të gjeni kohë për të qenë vetëm me emocionet tuaja, të qëndroni në natyrë, të dëgjoni muzikë, të vlerësoni bukurinë e botës që ju rrethon, aq më të fortë do të ndiheni.
Çelësi për të zhvilluar forcën e brendshme nuk është në përpjekjen për të qenë më pak i ndjeshëm, por në njohjen që ndjeshmëria është një forcë më vete.