Menopauza dhe postmenopauza janë periudhat më të rëndësishme në jetën e një gruaje që sjellin ndryshime të shumta fiziologjike të cilat e ndryshojnë përgjithmonë jetën e saj. Menopauza përkufizohet në mënyrë retrospektive si koha e ciklit të fundit menstrual pas së cilës vijnë 12 muaj amenore (mungesë e cikleve menstruale). Perimenopauza karakterizohet nga shfaqja e cikleve menstruale të parregullta, gjakderdhja e zgjatur dhe e rëndë, periudha të amenoresë, simptoma vazomotorike dhe pagjumësia. Postmenopauza është periudha që vjen pas ciklit të fundit menstrual.
Ne nuk e vlerësojmë plotësisht hormonin natyral të estrogjenit, derisa ai të zhduket. Ky hormon modest është thelbësor për ruajtjen e shëndetit në të gjithë trupin e femrës. Simptomat e postmenopauzës shfaqen kryesisht për shkak të uljes së nivelit të estrogjenit qarkullues. Simptomat si nervozizmi, ndryshimet e humorit, pagjumësia, shfaqja e “valëve të nxehta”, konfuzioni, mosmbajtja urinare, osteopenia dhe osteoporoza, depresioni, dhimbja e kokës, simptomat vazomotorike, janë pjesë të sindromës së njohur si sindroma e postmenopauzës.
Gratë gjatë peri dhe postmenopauzës janë të ekspozuara ndaj rrezikut të veçantë të çrregullimeve të humorit. Rreth 90% e tyre vuajnë nga çrregullime mendore, të cilat manifestohen si ndryshime të papritura të humorit, përballja me problemet dhe stresin e përditshëm, humor të ulët, lodhje, nervozizëm, prekshmëri, përqendrim të dobët, memorie më të keqe, ankesa somatike pa përgjigje ndaj trajtimit dhe depresion të plotë. Valët e nxehta janë arsyeja kryesore se pse gratë kërkojnë përkujdesje në menopauzë. Atrofia urogjenitale rezulton me thatësi vaginale dhe kruajtje, dispareuni, dizuri dhe urgjencë urinare. Një nga gjendjet më të rëndësishme që shfaqet në periudhën e postmenopauzës është osteopenia – osteoporoza. Në lidhje me suplementimin adekuat për këtë gjendje, mund të lexoni në postimin tonë të ardhshëm në blog.
Suplementimi adekuat gjatë menopauzës
Një nga gjendjet më të rëndësishme që shfaqet në postmenopauzë është osteopenia – osteoporoza. Osteopenia përkufizohet si dendësi minerale e kockave më e ulët se normalja dhe është më e përhapur te gratë në postmenopauzë. Osteopenia shpesh quhet si “para-osteoporozë” sepse ndonjëherë çon në osteoporozë.
Osteoporoza është një sëmundje sistemore e skeletit, e cila karakterizohet me reduktimin e masës kockore që ka si pasojë rritjen e brishtësisë së kockave dhe ndjeshmërisë ndaj frakturave. Simptomat muskulo-skeletore të cilat karakterizohen me dhimbje shpine, fraktura gjatë traumave minimale, ulje të gjatësisë dhe lëvizshmërisë janë të zakonshme për shkak të osteoporozës.
Niveli i elementëve të pranishëm në sasi të vogla është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ruajtjen e funksionimit normal të trupit të njeriut. Rreziku i prishjes së ekuilibrit të tyre rritet në mënyrë dinamike veçanërisht gjatë menopauzës.
Mungesa e Mg dhe Zn tek gratë pas menopauzës çon në paraqitjen e palpitacioneve, dridhje të duarve dhe këmbëve, parestezi, çrregullime të sistemit imunitar, lëkurë të thatë dhe të ashpër, rënie të flokëve, apati, melankoli, probleme të përqendrimit, si dhe dëmtim të shikimit, dëgjimit, shijes dhe nuhatjes.
Kalciumi është thelbësor për një sërë funksionesh të trupit, siç është transmetimi i impulseve nervore, tkurrja e muskujve dhe koagulimi i gjakut. Për arsye se marrja e kalciumit ka tendecë të ulet me kalimin e moshës, plotësimi i kalciumit është veçanërisht i rëndësishëm te gratë në postmenopauzë.
Vitamina D është gjithashtu thelbësore për shëndetin e kockave sepse është e rëndësishme për përthithjen optimale të kalciumit. Prodhimi i vitaminës D nga lëkura gjithashtu zvogëlohet me rritjen e moshës. Studiuesit zbuluan se suplementet e vitaminës D kanë një efekt të vogël e deri në atë mesatar ndaj simptomave të depresionit tek të rriturit.
Pikërisht për shkak të rolit që kanë këto mikroelemente dhe vitamina D për shëndetin e grave në postmenopauzë, është më e përshtatshme që ato të merren në një preparat i cili i përmban në përqendrime të mjaftueshme për dozën e rekomanduar ditore.