Ushqim të shëndetshëm, hidratim, 8 orë gjumë dhe ecje të rregullt, janë këshillat që çdo mjek i ndan me pacientët e tyre të rritur.
Këtë herë do të fokusohemi tek ecja, aktivitetin që e bëjmë qysh në vitin e parë të jetës është e rëndësishme ta bëjmë deri në fund të saj. Pse? Siç do të thoshin mjekët, ecja është gjëja që kemi më pranë dhe e cila na dërgon deri te kura mrekullibërëse për të cilën ëndërrojmë.
Ky aktivitet fizik është një bekim i vërtetë për shëndetin e përgjithshëm të njeriut, vjen bashkë me një mori përfitimesh dhe nuk përfshin pothuajse asnjë shpenzim. Ju dhe dy këmbët tuaja të shëndetshme, këpucë të rehatshme, shoqëri (ose muzikë kur jeni vetëm) dhe e gjithë bota është e juaja.
5 përfitimet e ecjes së përditshme:
Redukton predispozitat gjenetike për shtim në peshë
Ecja është një nga të paktat, nëse jo edhe i vetmi aktivitet i cili mund t’u kundërvihet edhe predispozitave gjenetike për shtim në peshë. Studiuesit e Harvardit analizuan 32 gjene që nxisin obezitetin tek më shumë se 12,000 njerëz për të përcaktuar se sa këto gjene në të vërtetë kontribuojnë në peshën trupore. Krejt rastësisht, ata zbuluan se efektet e këtyre gjeneve u përgjysmuan tek ata subjekte që kishin zakon të ecin me një ritëm të shpejtë për rreth një orë në ditë.
Zvogëlon dëshirën për ëmbëlsira
Ekzistojnë një sërë studimesh që tregojnë se një shëtitje 15 minutëshe mund të zvogëlojë dëshirën për çokollatë dhe madje të zvogëlojë sasinë e çokollatës që hani zakonisht në situata stresuese. Një studim më i fundit konfirmon se ecja mund të zvogëlojë dëshirën, por edhe konsumimin e ushqimeve të ndryshme me sheqer. Nëse jeni të stresuar, menjëherë dilni jashtë dhe bëni një shëtitje. Nëse bëni kujdes me ushqimin dhe ju shfaqet një dëshirë e fortë për ëmbëlsira, bëni të njëjtën gjë.
Redukton rrezikun nga kanceri i gjirit
Studimet kanë treguar prej kohësh se çdo aktivitet fizik ul rrezikun e kancerit të gjirit. Por, një studim i bërë nga „Shoqata Amerikane e Kancerit“ u fokusua pikërisht tek ecja dhe zbuloi se gratë që ecnin shtatë ose më shumë orë në javë, kishin një rrezik 14% më të ulët nga kanceri i gjirit për dallim nga ato që ecnin tre ose më pak orë në javë. Efektet pozitive të ecjes u vunë re edhe tek gratë me një faktor rreziku të lartë për kancer në gji, tek gratë që ishin mbipeshë dhe tek ato me terapi hormonale.
Redukton dhimbjet e nyjave
Disa studime treguan se ecja redukton dhimbjen e lidhur me artritin dhe se ecja prej 8-9 km në javë mund të parandalojë zhvillimin e artritit. Ecja mbron nyjat, veçanërisht gjunjët dhe këllqet (ijet), të cilat janë më të prirura ndaj osteoartritit. Ecja vepron si një lubrifikant për nyjat, dhe gjithashtu bën forcimin e muskujve që i mbajnë nyjat.
E forcon imunitetin
Ecja mund t’ju mbrojë gjatë sezonit të ftohjes dhe gripit. Në pranverë qarkullojnë shumë viruse dhe ftohje, prandaj kur moti është i këndshëm, ecni. Një studim në të cilin ishin përfshirë mbi 1000 burra dhe gra, zbuloi se ata që ecnin të paktën 20 minuta në ditë, minimum 5 ditë në javë, ishin për 43% më pak të sëmurë, për dallim nga ata që ushtronin një herë në javë ose më pak. Edhe në rast se sëmureshin, ajo zgjaste për një kohë të shkurtër dhe simptomat ishin më të lehta.
Ecni 30 minuta në ditë
Për të marrë përfitimet shëndetësore që promovon ecja, përpiquni të ecni për të paktën 30 minuta, por me një ritëm të shpejtë shumicën e ditëve të javës. Ose ecni shpejt të paktën 15 minuta, pastaj ngadalësoni.
Ecja konsiderohet si një aktivitet i moderuar, veçanërisht nëse ecni normalisht, dhe për këtë arsye paraqet rrezik të ulët për shëndetin. Por, nëse keni ndonjë gjendje shëndetësore, konsultohuni me mjekun tuaj në lidhje me shpeshtësinë dhe ritmin e ecjes.
10,000 hapa në ditë është numri i rekomanduar i hapave për të arritur përfitimet shëndetësore të ecjes.