Sindroma e zorrës së irrituar, e njohur edhe si SZI (IBS), është një çrregullim gastrointestinal që prek miliona njerëz në mbarë botën. Vlerësohet se deri në 11% e popullsisë së botës e ka këtë gjendje, ashtu që gratë dominojnë mbi burrat.
Simptomat
SZI mund të shfaqet me disa ose të gjitha simptomat e mëposhtme:
• Fryrje
• Dhimbje stomaku
• Gazra
• Diarre
• Kapsllëk
Simptomat e kësaj gjendjeje nuk janë konstante, shfaqen dhe zhduken nga dita në ditë ose ndryshojnë nga java në javë. Disa njerëz vërejnë një reduktim të dhimbjes së barkut gjatë aktivitetit të zorrëve, kurse tek të tjerët dhimbja mund të përkeqësohet.
Për shkak se ekzistojnë shumë variacione në llojin dhe frekuencën e simptomave, trajtimet përshtaten sipas nevojave individuale të pacientit. Ajo që ka efekt tek një person mund të mos ketë efekt tek tjetri.
Diagnostifikimi
Jo çdo dhimbje, ngërç, fryrje, shtrëngim stomaku nënkupton SZI. Nëse simptomat përsëriten dhe shfaqen të paktën një herë në javë për një periudhë prej 12 javësh, ekziston mundësia e SZI. Përveç kësaj, dhimbja abdominale duhet të jetë e pranishme së bashku me dy ose më shumë nga simptomat e mëposhtme:
• Tkurrja e zorrës së trashë (peristaltika)
• Ndryshim në frekuencën e jashtëqitjes
• Ndryshimi i formës së jashtëqitjes
Tek disa persona sindroma e zorrës së irrituar shoqërohet me diarre të shpeshta, tek të tjerët dominon kapsllëku, kurse ka edhe nga ata të cilët përballen reciprokisht me të dyja.
Faktorët e rrezikut:
• Sindroma e zorrëve të përshkueshme
• Ndjeshmëri ndaj produkteve të qumështit ose intolerancë ndaj laktozës
• Ndjeshmëri ndaj grurit/glutenit
• Përdorimi i ëmbëlsuesve artificialë
• Përdorimi i tepërt i antibiotikëve
• Histori familjare të SZI
Gjendjet mjekësore të lidhura me SZI
SZI nuk vjen e izoluar, disa gjendje të caktuara vijnë së bashku me simptomat e theksuara më lartë në këtë artikull. Një numër i ekspertëve mjekësorë thonë se gjendjet e përmendura më poshtë paraqiten për shkak të shëndetit të dobët të zorrëve. Praktika tregon se përmirësimi i shëndetit të sistemit tretës nënkupton njëkohësisht edhe përmirësimin e këtyre gjendjeve.
• Fibromialgji
• Refluksi i acidit
• Sindroma e lodhjes kronike
• Dhimbjet migrenoze të kokës
• Gjendje autoimune
• Depresion
• Ankth
• Pagjumësi
• Hipotiroidizëm
Përqendrohuni në këto pika për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm të sistemit tretës:
1. Mënjanoni nxitësit e simptomave
Largoni organizmat patogjenë dhe ushqimet e dëmshme ndaj të cilave jeni të ndjeshëm. Për shumicën, këto janë zakonisht produktet e qumështit, gruri (gluteni) dhe shpesh edhe produkte misri për shkak të përqindjes së lartë të fruktozës. Sheqeri dhe alkooli i tepërt dëmtojnë gjithashtu mjedisin e zorrëve dhe nxisin një sërë inflamacionesh.
Largoni ëmbëlsuesit artificialë (aspartami, sukraloza) nga të ushqyerit tuaj, pasi ato ndryshojnë bakteret e zorrëve dhe mund të shkaktojnë diarre, të vështirësojnë tretjen dhe kjo i lë hapësirë baktereve të dëmshme të shumohen. Përveç kësaj, ëmbëlsuesit artificialë si sorbitoli, ksilitoli dhe manitoli mund të shkaktojnë gazra dhe diarre.
2. Bëni përshtatjet e duhura në ushqim
• Hani supë me lëng kockash çdo ditë
• Konsumoni kefir dhe/ose kos
• Pini çaj kombuça
• Hani më shumë perime të fermentuara, si lakër turshi
• Gatuani me vaj kokosi
• Eliminoni drithërat dhe ushqimet e përpunuara
• Konsumoni fara si chia, fara liri dhe kërpi
• Rrisni konsumin e fibrave vegjetale
3. Bëni ndryshime në stilin e jetës
Angazhohuni në aktivitete të cilat reduktojnë stresin, si meditimi, joga, shëtitjet në natyrë dhe ushtrimet e përditshme. Flini të paktën 8 orë, duke shtuar orët nëse është e nevojshme. Bëjeni zakon të pini çaj bimor me efekt qetësues para gjumit, si çaj sanëz ose çaj kamomili.
Suplementet si plotësues
Fibra vegjetale
Konsumimi i fibrave është çelësi për lehtësim nga kapsllëku. Rekomandohet të paktën 25 gramë fibra në ditë, gjë që mund të arrihet duke ngrënë pesë deri në nëntë racione me perime dhe fruta.
Për shembull, një avokado ka 13 gramë fibra, një mollë me madhësi mesatare përmban rreth 4 gramë fibra, ndërsa një banane me madhësi mesatare përmban 3 gramë. Boronicat jo vetëm që janë të pasura me fibra, por gjithashtu ndihmojnë në mbrojtjen kundër kancerit të zorrës së trashë. Farat Chia janë gjithashtu një opsion i mirë – vetëm një lugë çaji përmban pothuajse 6 gramë fibra. Një filxhan me fasule të zeza përmban 15 gramë fibra.
Ushqimet me prejardhje bimore ndihmojnë në sigurimin e shkarkimit të rregullt të zorrëve dhe për një sistem të shëndetshëm tretës. Ato gjithashtu ofrojnë shumë lëndë ushqyese të tjera – vitamina si A, K dhe E, vitaminë C dhe fitonutrientë të tjerë si dhe antioksidantë.
Një studim i vitit 2015 zbuloi se fibrat ishin efektive tek personat me kapsllëk të lehtë deri në mesatar dhe tek ata me kapsllëk si pasojë e SZI. Ushqimi i pasur me bimë lidhet me një rrezik të reduktuar të kancerit të zorrës së trashë dhe ka një efekt të dobishëm ndaj baktereve të zorrëve. Një studim i vitit 2012 në „World Journal of Gastroenterology“ zbuloi se fibrat ndihmojnë në rritjen e shpeshtësisë së jashtëqitjes tek të rriturit me kapsllëk.
Magnezi
Si një mineral i përfshirë në mbi 350 reaksione biokimike në të gjithë trupin, mungesa e tij, ndër të tjera, nxit ngërçet ose kapsllëkun.
Një studim i vitit 2014 në Gastroenterologjinë Klinike dhe Hepatologjinë, u fokusua te gratë me kapsllëk, me prejardhje nga Franca. Studiuesit zbuluan se kur uji mineral i pasur me magnez konsumohet çdo ditë, simptomat e kapsllëkut përmirësohen dukshëm. Doza e rekomanduar: 125 deri në 500 mg në ditë.
Shënim: Nëse shfaqet jashtëqitje e lëngshme, doza duhet të reduktohet. Ata me sëmundje të avancuar të veshkave, veçanërisht në fazën e 4 ose 5, duhet të konsultohen fillimisht me mjekun e tyre përpara se të marrin një suplement magnezi.
Probiotik
Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e probiotikut, lehtë mund të ngatërroheni sepse ekzistojnë shumë lloje në treg. Megjithëse njohuritë rreth probiotikëve janë rritur dukshëm në dekadën e kaluar – më shumë se 20,000 raporte shkencore mbi këtë temë janë botuar gjatë 10 viteve të fundit – ka ende shumë për të hulumtuar në lidhje me përfitimet e tyre.
Për t’u rikthyer ekuilibri tek ata me simptoma SZI, rekomandohet që të marrin një probiotik që përmban prej 10 deri në 30 miliardë njësi, dy herë në ditë. Ndryshimi i ushqimit tuaj është veprimi më i rëndësishëm që mund të ndërmerrni për të përmirësuar shëndetin e zorrëve. Kur hamë, i ushqejmë edhe bakteret e zorrëve tona.
Probiotikët janë të disponueshëm në kapsula, pluhur, ndonjëherë edhe në formula të përtypshme. Ata konsiderohen të sigurt për të gjitha moshat dhe për çdo individ me një sistem imunitar të shëndetshëm dhe funksional. Ata që kanë imunitet të dobësuar ose janë të ekspozuar ndaj kimioterapisë, duhet të konsultohen me mjekun e tyre përpara se të marrin një suplement probiotik.
Prebiotik
Duke pasur parasysh popullaritetin e madh të probiotikëve, prebiotikët duket sikur ranë në hije, edhe pse janë po aq të rëndësishëm. Prebiotikët janë substanca (të disponueshme në ushqime të caktuara) të cilat janë të dobishme për bakteret e zorrëve. Prebiotikët janë në fakt ushqim për bakteret e mira.
Ushqimi prebiotik është i pasur me një lloj të veçantë karbohidratesh të quajtura oligosaharide. Oligosaharidet gjenden midis karbohidrateve të thjeshta dhe karbohidrateve komplekse sipas madhësisë, që do të thotë se ato zakonisht janë të gjata tri deri në 10 molekula sheqeri. Bakteret e mira të zorrëve i hanë këto sheqerna të fermentueshme për të ndihmuar në sigurimin e një shumëllojshmërie mikrobesh në zorrë. Disa ushqime të caktuara, duke përfshirë mollët dhe bananet, konsiderohen si prebiotikë. Megjithatë, ka edhe suplemente prebiotike që duhet të konsumohen sipas udhëzimeve në paketim dhe në konsultim paraprak me mjekun.
L-glutamine
L-glutamina është një aminoacid që ndihmon në sigurimin e energjisë për qelizat e zorrëve. Një studim i vitit 2019 i pacientëve me SZI (me diarre dominuese) dhe rritje të përshkueshmërisë së zorrëve, ose zorrëve rrjedhëse, arriti në përfundimin se L-glutamina është e dobishme në reduktimin e simptomave të SZI. L-glutamina vjen në formë të pluhurit që duhet të shtohet në lëng dhe rekomandimi më i zakonshëm është 5 gramë, një deri në tri herë në ditë sipas nevojës dhe sipas rekomandimit të mjekut.
Bimët dhe çajrat për mbështetje shtesë
Hulumtimet kanë treguar se bimët e tilla si balsami i limonit, menta dhe kamomili kanë ndihmuar në lehtësimin e simptomave të SZI. Speci i kuq, gjithashtu duket se është i dobishëm. Një studim i vitit 2011 konstatoi se pluhuri i piperit të kuq mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të dhimbjes dhe fryrjes tek personat me SZI.
70% e të sëmurëve me SZI janë gra
Sindroma e zorrës së irrituar është një gjendje kronike dhe stresi vetëm i përkeqëson simptomat.
Pacientët mund të përjetojnë periudha më të qeta, e pastaj një përkeqësim të papritur të simptomave. Por, me kalimin e kohës, simptomat e SZI zakonisht nuk përkeqësohen.
Për të zbuluar shkaktarët e fshehur të SZI, ose ata që përkeqësojnë papritur gjendjen me të cilën keni jetuar në paqe deri para ca kohësh, mbani një ditar. Shkruani çfarë hani, si është disponimi juaj dhe cilat simptoma i ndjeni më shumë në ato momente.
Lajmi i mirë është se kjo sindromë nuk paraqet një gjendje kërcënuese për jetën dhe nuk çon drejt gjendjeve më serioze, si koliti ulçeroz, sëmundja e Crohn-it ose sëmundjet malinje të zorrës së trashë.