Ato e zbukurojnë ambientin, pushojnë sytë, qetësojnë shpirtin, rrisin produktivitetin, përqendrimin, kënaqësinë në punë, rrisin tolerancën ndaj dhimbjes, madje pastrojnë edhe ajrin – gjethet e bimëve të ambienteve të brendshme kanë aftësinë të thithin materiet e dëmshme në ajër, siç janë formaldehidi dhe benzeni të cilat emetohen nga kondicionerët dhe pajisjet elektronike. Sipas hulumtimit të NASA-s, një bimë e ambientit të brendshëm në një hapësirë prej 100 metrash katrorë redukton këto ndotës të ajrit deri në 87% brenda 24 orëve.
Që të mund të shijoni këto përfitime, duhet të dini se si të blini, çfarë të blini dhe në çfarë kushtesh të rrisni bimët që keni zgjedhur.
Jini të sinqertë me luleshitësin
Theksoni se sa e ndriçuar është hapësira ku do t’i mbani bimët, pasi drita është një faktor kyç që ato të zhvillohen. Jini të sinqertë në lidhje me kohën dhe mundin që planifikoni të investoni në rritjen e bimëve. Disa bimë nuk kërkojnë vëmendje pothuajse fare, përveç ujitjes një herë në muaj, kështu që luleshitësi do të mund t’ju sugjerojë pikërisht një të tillë. Në një shtëpi të dekoruar me stil minimalist, disa lule sukulente do të përshtateshin shkëlqyeshëm, dhe të njëjtat mund t’i vendosni edhe në banjë për të krijuar një oaz pozitiv në të cilin vini për t’u freskuar.
Kini kujdes me ujin
Njerëzit shpesh bëjnë gabime me ujitjen, mbani mend, do të bëni dëm më të madh me më shumë ujë, sesa me më pak. Gjethet e vyshkura dhe të zverdhura, disa lloje të kërpudhave, bakteret dhe kalbëzimi, tregojnë se e keni tepruar me ujin. Në këtë rast, lëreni bimën të thahet për disa ditë, e pastaj shtoni ujë aq sa për të lagur dheun – rreth 7 cm nën sipërfaqe.
Ekziston mundësia ta keni lënë bimën pa ujë për një kohë më të gjatë dhe për këtë shkak të jetë tharë. Në atë rast, gjethet janë të thata, ngjyrë kafe dhe bien, ndërsa dheu është i thatë dhe i ngurtë. Për të rikthyer në jetë bimën, shtoni ujë pak nga pak. Dheu është treguesi më i mirë se sa është e ujitur bima, ai duhet të jetë gjithmonë i shkriftë dhe i lagësht.
Nëse vëreni një shtresë të bardhë te gjethet, kini parasysh se ai është myk pluhur i shkaktuar nga një lloj i caktuar kërpudhash. Hiqni gjethet që e kanë këtë problem, dhe në këtë mënyrë bima do të marrë oksigjen dhe do të shërohet. Nëse kjo nuk funksionon, merrni një fungicid në dyqanin tuaj më të afërt të luleve.
Nëse vëreni se bima nuk zhvillohet, ka shumë mundësi të jetë për shkak të hapësirës së pamjaftueshme te rrënjët. Rimbilleni atë në një vazo më të madhe dhe vendoseni në një vend më të ngrohtë dhe më të ndritshëm në shtëpi.
Ju gjithmonë mund të zgjidhni një bimë që nuk vdes, si psh. myshk Marimo (topa algash) ose Sanseveria. Dredhka e djallit është një tjetër zgjedhje e shkëlqyer, sepse është një bimë shumë e qëndrueshme, kështu që nëse e lini pa ujë ose e teproni me ujitjen, do ta shfaqë menjëherë dhe do të rikuperohet edhe më shpejt.
Drita i thotë të gjitha
Zgjidhni bimët në varësi të kapacitetit të dritës së hapësirës ku jetoni. Provoni trukun e botanistëve: vendosni një copë letre të thjeshtë aty ku dëshironi të vendosni bimën. Në mesditë vendoseni dorën gjysmë metër mbi fletë. Nëse shfaqet një hije e fortë dhe e mprehtë, do të thotë që keni kapacitet të plotë diellor dhe ekspozim të drejtpërdrejtë. Nëse shtëpia juaj është me ndriçim të dobët, zgjidhni kaktuse ose sukulentë, e nëse hapësira është e errët, provoni një dru kauçuku, një bimë gjarpri, fier ose dredhkë.
Bëni kujdes!
Ka shumë bimë të brendshme jo toksike si manushaqја afrikane, fieri dhe trëndafilat. Megjithatë, lista e atyre që përmbajnë toksina është e gjatë. Gëlltitja e paqëllimshme e filodrendonit ose e dredhkës së djallit në trup mund të shkaktojë gërditje, të vjella, ënjtje të gjuhës dhe diarre. Për të mbrojtur fëmijët tuaj, kafshët shtëpiake dhe veten, informohuni mirë për toksicitetin e bimëve që keni në shtëpi.