Këngëtarja dhe prezantuesja e re e ripërtëriu dashurinë e saj me muzikën
Para gjashtë vitesh, këngëtarja e re Jana Burçeska na përfaqësoi në konkursin e këngës në Eurovizion (Eurovision Song Contest) në Kiev të Ukrainës me këngën “Dance Alone”.
Çfarë ka ndodhur me jetën e saj ndërkohë?Ajo u bë bashkëshortja e muzikantit Aleksandar Filipovski, u bë nënë e dy fëmijëve, punon si gazetare muzikore dhe drejtuese e emisionit „Stisni Plej“ (“Shtyp Play”) përmes të cilit në mënyrë aktive i ndjek dhe i përkrah kolegët e saj të skenës muzikore.
Sot, pas një pauze të gjatë, ajo mund të mburret me një këngë të re e cila e mban edhe nënshkrimin e saj.“Home Alone” titullohet sigle-i me të cilin këngëtarja e re i rikthehet skenës muzikore maqedonase në një edicion totalisht botëror i cili mori vlerësime të shkëlqyera nga publiku.
Ka shumë muzikë në jetën tuaj, e krijoni vetë, e ndiqni atë të kolegëve, e konsumoni edhe nga bashkëshorti, gjë që është e mrekullueshme. Gjithnjë e më pak muzikë ka nëpër shtëpi, kurse më parë, çdo punë bëhej me radion që luante në sfond. Sa e konsumojnë dhe reagojnë ndaj muzikës fëmijët tuaj, edhe pse janë të vegjël?
Sa pyetje e bukur. Me të vërtetë muzika është vazhdimisht rreth meje dhe ka ditë kur gjithçka që dua të bëj është vetëm të dëgjoj dhe asgjë tjetër. Por, ky është një luks të cilin nuk mund t’ia lejoj vetes, duke pasur parasysh angazhimet e mia.
Dona dhe Darini e shijojnë muzikën. Dona tanimë nuk është dhe aq e vogël, ajo kupton shumë dhe tashmë i ka preferencat e saj muzikore, gjë që më gëzon pamasë, sepse në zgjedhjet e saj muzikore e shoh edhe veten, prandaj ndonjëherë di të “lavdërohem” me atë që i kemi mësuar të dëgjojë. Përveç kësaj, ajo është gjithashtu shumë muzikale dhe e etur për të performuar. Darini është më i vogël dhe megjithëse nuk mund të artikulojë shumë saktë, është e qartë se muzika i sjell gëzim dhe di të befasojë me lëvizjet e çuditshme të vallëzimit.
A e keni zakon që t’u këndoni dhe t’u bëni muzikë me bashkëshortin tuaj?
Kjo është një përditshmëri në shtëpinë tonë. Dikur këtë e praktikonim aq shpesh, sa menduam se ndoshta duhet të përfshihemi si animatorë muzikorë në ditëlindjet e fëmijëve – repertori ynë është gati: Kap-kap, Baby shark, Alfabeti maqedonas, Johnny Johnny e shumë të tjera…
Fëmijët janë gjithmonë audienca jonë kryesore derisa përgatitemi për shfaqjet e rralla akustike, madje Dona di të jetë edhe kritike kur mamaja gabon ndonjë ton ose melodinë. Përveç kësaj, ne luajmë muzikë në shtëpi edhe për qëllime terapeutike. Muzika është një transformues i përsosur i stresit në energji pozitive.
Më në fund na dhuruat një këngë dhe videoklip të ri. Cilat janë reagimet e deritanishme për “Home Alone”, por edhe planet për të ardhmen?
“Home Alone” erdhi 6 vite pas këngës së Eurovizionit “Dance Alone”, por gjithsesi ndodhi në kohën e duhur për arsyen e thjeshtë se për herë të parë nga fundi i vitit të kaluar u ndjeva plotësisht gati për të nxjerrë diçka të re. Procesi ishte një sfidë e mrekullueshme, kurse produkti final mori mbështetje shumë të madhe nga dëgjuesit, por edhe nga kolegët muzikantë dhe gazetarë – gjë që më gëzon veçanërisht dhe për të cilën jam pafundësisht mirënjohëse.
Po punohet edhe për një projekt të ri, i cili duhet të realizohet deri në fund të vitit, por për momentin është ende në fazën e zanafillës dhe prandaj nuk do të zbuloja shumë. Një gjë është e sigurt – ekipi muzikor mbetet i njëjtë si te “Home Alone”, unë dhe Dragi Ivanov, një muzikant të cilin e vlerësoj dhe e respektoj shumë, kurse lexuesit do ta njohin si bashkëpunëtor të Dina Jasharit dhe pjesë e grupit Fenk Shui. Nëse më lejoni, në këtë kontekst më duhet të veçoj edhe mbështetësin tim, kompaninë Gulf Macedonia e cila qëndron pas “Home Alone”, por edhe pas projektit të ardhshëm që jam duke punuar, si dhe Smart Living dhe Kare Macedonia të cilët u kujdesën për skenografinë fantastike në videoklipin e „Home Alone“.
Sa ju shërben mëmësia si frymëzim? Si arrini të balanconi mes familjes dhe punës?
Për ilustrim do të theksoj se “Home Alone” është një këngë që i kushtohet frikërave, kurse në rastin tim ato u bënë dukshëm më të theksuara pasi u bëra nënë. Refrenin e shkruajta kur isha në shtëpi vetëm me fëmijët dhe është një përkthim fjalë për fjalë i mendimeve që më kalonin në kokë: Çfarë nëse dikush përpiqet të na grabisë, po sikur të shpërthejë zjarri dhe nuk arrijmë të shpëtojmë… Ndoshta jua përshkruajta në mënyrë grafike, por ky është një shembull faktik për atë se sa frymëzues mund të jetë çdo moment. Përpiqem të gjej kohë për veten time dhe në këtë kontekst sigurisht që më ndihmojnë më së shumti bashkëshorti dhe prindërit e mi. Jam me fat që kam një punë të cilën e dua vërtet, dhe për këtë arsye balancimi bëhet shumë më i lehtë.
A janë nënat më të reja në avantazh?
Sinqerisht, qëndrimi im është se mëmësia është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe e panjohur për çdo grua dhe prandaj mendoj se mosha ka një rëndësi dytësore dhe më të vogël. Ndryshimet dhe sfidat me të cilat përballemi si nëna, janë aq të ndryshme dhe individuale, sa që nuk lënë vend për krahasim. Ajo që na bashkon si nëna më të rritura dhe më të reja, është forca, përkushtimi dhe zgjedhjet pakompromis kur bëhet fjalë për më të mirën e fëmijëve tanë.
Si ju ndryshoi mëmësia?
Unë jam e njëjta, por në një version të përmirësuar. Le të themi se mëmësia krijoi një Jana Burçeska 2.0. Një model më i avancuar me performanca të reja dhe të përmirësuara, veçanërisht në fushën e menaxhimit të kohës. Një bateri miqësore me mjedisin që rimbushet nga buzëqeshjet dhe shakatë e fëmijëve. E vetmja dobësi është memoria më e dobët, duke pasur parasysh atë se ndodh gjithnjë e më shpesh që sistemi të mbingarkohet me të dhëna.
Si ka qenë fëmijërija juaj? A e keni përjetuar edhe ju atë jetë të mrekullueshme në rrugë?
Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme, kam përjetuar shoqërinë e lagjes dhe pa brenga, komunikoja me prindërit e mi përmes dritares apo tarracës dhe nuk shqetësohesha që i gjithë Karposhi e dëgjonte bisedën tonë, të gjithë miqtë e mi më të ngushtë i kisha në lagje dhe me shumicën e tyre shoqërohem edhe sot. Kam shitur topa balte, u paguaja nga 10 denarë hyrje për një shfaqje ose koncert të lagjes që mbahej në hapësirën para pallatit, kulmi i teknologjisë për mua ishte Tetris në një Nintendo Game Boy, kurse e-mailin e parë në vitin 2003 (20 vjet më parë – nj ë z e t) ia dërgova vëllait tim për t’i treguar se kemi rrugës një motërz në stomakun e mamit.
Sot jeta zhvillohet më së shumti në rrjetet sociale, sa bëni pushim prej tyre?
Sipas standardeve bashkëkohore, unë madje dështoj me praninë time dixhitale. Rrjetet sociale përpiqem t’i konsumoj në mënyrë të shëndetshme dhe më së shumti i përdor si mjet komunikimi të lehtësuar dhe burim informacioni dhe frymëzimi. Ka raste kur ndihem e tejngopur dhe këtë e zgjidh duke hequr dorë nga rrjetet për tri ditë.
Si i përballoni komentet negative të cilat shumë lehtë mund të arrijnë deri te ju?
Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk më prekin, por premtoj se po përmirësohem në përballimin e situatave të tilla. Sigurisht, nuk më shqetëson kur shoh një koment negativ të moderuar apo kritikë konstruktive, por jam përballur edhe me shembuj ekstrem dhe po punoj aktivisht që rastet e tilla të më ndikojnë sa më pak.
Duke krahasuar të kaluarën dhe atë që po jetojmë sot, a keni një vizion se si do t’i edukoni fëmijët tuaj?
Çdo ditë përpiqem të krijoj kushtet më të mira të mundshme për rritjen e fëmijëve të mi, në mënyrë që ata të bëhen para së gjithash njerëz të mirë, por ndoshta gjëja më e rëndësishme për mua është t’i mësoj ata të komunikojnë hapur për nevojat, problemet dhe ndjenjat e tyre, sepse mendoj që ka një dështim të përgjithshëm në këtë fushë me brezat e mëparshëm, thjesht sepse kështu jemi mësuar për gjenerata me rradhë. Unë dua që ata të ndjehen të lirë të shprehen edhe në situata kur janë të sigurt se pala tjetër mendon ndryshe dhe gjithashtu të jenë në rregull me faktin që nuk mendojmë dhe ndiejmë të gjithë njësoj për të njëjtat dukuri.
Ju dukeni shkëlqyeshëm, moderne, e freskët, yll bote. Cili është sekreti juaj?
Ju falënderoj për komplimentin. Në jetën e përditshme jam mjaft modeste, derisa ndonjëherë them me vete se ndoshta duhet të “pispillosem” pak më shumë, por kur bëhet fjalë për paraqitjet publike, atëherë u dorëzohem plotësisht bashkëpunëtorëve të mi prej shumë vitesh: stilistit me më shumë potencial në vend Mitko Zanov, i cili me estetikën e tij tashmë pushtoi edhe rajonin, pastaj grimieres jashtëzakonisht të talentuar Ivana Delovska, për të cilën do të dëgjoni së shpejti, si dhe Elenës nga Social Hair Salon, e cila është e mirënjohur për publikun si stiliste e personazheve të shumtë publik, si dhe klientëve të kënaqur në kryeqytet.
A arrini të dilni në takime me bashkëshortin tuaj?
Në takime vetëm zyrtarisht. Janë vërtet të rralla, por ne jemi në avantazh sepse kalojmë kohë cilësore bashkë kur jemi të angazhuar me muzikë, kështu i kompensojmë takimet e humbura romantike.
Si e zbuluat prezantuesen tek ju dhe a vazhdoni më tutje edhe në atë drejtim?
Oreksi im për të folur para kamerave lindi gjatë rrugëtimit të Eurovizionit në vitin 2017, më saktësisht gjatë turneut promovues kur brenda një dite, në Londër, dhashë mbase 40 intervista. Kur e kuptova se sa shumë më pëlqeu kjo, mund të them se e manifestova angazhimin tim në MTV, sepse unë asnjëherë nuk kam folur hapur për aftësitë e mia të fshehura në lidhje me atë profesion, por mesa duket kolegët e kanë vënë re këtë dhe ja ku jam… Puna e gazetararisë më plotëson, sidomos fakti që kam mundësinë të punoj në një program të specializuar muzikor i cili bashkon dy pasionet e mia më të mëdha: muzikën dhe fjalën e bukur. Do të vazhdoj, sigurisht.
Cila është këshilla juaj për shëndet dhe disponim të mirë që do të ndanit me lexuesit?
Mirëmbani trupin dhe mendjen tuaj dhe ju lutem kujdesuni për shëndetin tuaj mendor.