Natasha Mijatoviq Krstevska – MIYATTA

Natasha Mijatoviq Krstevska – MIYATTA

Tashmë dy dekada zëri i saj na përkëdhel shpirtin përmes fjalëve të fuqishme në këngët biografike dhe muzikës që ajo vetë e kompozon. Çdo pjesë muzikore e kantautores sonë të njohur është dëshmi e një momenti jetësor dhe emocioneve me të cilat identifikohen të gjithë gjeneratat.

Kur është në skenë, ajo i ngre në re të gjithë ata që e dëgjojnë. Kur gjendet në kullën e Aeroportit të Shkupit, i ul në mënyrë të sigurt ata që fluturojnë.

Këngëtare, kantautore, kontrollore e fluturimeve, nënë, bashkëshorte, Miata lundron në jetën e saj me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, sikur çdo gjë është e lehtë për të, si një këngë.

Por si ia del mbanë ajo vallë?

Përgjigjen do ta gjeni mes fjalëve të saj frymëzuese në këto pak faqe, kurse në sfond lëshojeni “Besoj në vete” për të kujtuar kohërat e mira, kohërat kur ajo u ngjit në skenën muzikore të vendit.

Sot ajo është një muzikante plotësisht e formuar dhe e pjekur, me të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë.

Së fundmi keni promovuar albumin tuaj të dytë “Vida” në koncertin e mbajtur në “Kurshumli an” dhe ata që kanë munguar, tani kanë mundësinë të shohin pak nga atmosfera përmes videoklipit të këngës “Natën e mirë, mirëdita”. Mes përgatitjeve, adrenalinës, nervozizmit, punës së vështirë rreth gjithë projektit, a kaluat mirë në koncertin tuaj?

– Mendoj se akoma nuk janë sistemuar të gjitha përshtypjet e mia. Ndoshta kur të shoh video-materialin e koncertit tërësisht të përgatitur dhe të montuar, do të rijetoj të gjitha detajet dhe çdo këngë të kënduar. A kalova mirë në koncert? Mrekullueshëm, do të ishte fjala e duhur. Para së gjithash vendndodhja, publiku, muzikantët dhe performanca ime, të gjithë ishim në harmoni dhe me një qëllim të vetëm – të përjetohet pesha e vërtetë artistike e muzikës të cilën e krijoj dhe ofroj për gati dy dekada.

Ka ende shumë verë përpara nesh, a po vazhdoni të performoni? A keni arritur të pushoni?

– Pas koncertit kisha edhe një tjetër performancë dhe më pas shkova në një pushim të merituar. Tani jam rikthyer me energji të plotë në atë që unë e quaj jeta ime me të gjitha bukuritë dhe përgjegjësitë e saj. Shfaqet do të vijojnë në të ardhmen e afërt dhe publiku im do të njoftohet në lidhje me to përmes rrjeteve sociale.

Si po shkon deri tani albumi, cili është reagimi i publikut?

– Disa nga këngët që ishin në albumin “VIDA” janë lansuar më parë dhe publiku i njihte dhe i këndonte në koncert. Të tilla janë “Fluturo”, “E paguar”, “Kthimi në shtëpi”, “Maska”, “Më dhemb”. Tani pas koncertit e kanë dëgjuar edhe këngën “Natën e mirë, mirëdita”. Reagimi është i shkëlqyeshëm dhe do të vijojnë më shumë këngë për të cilat publiku do të duhet të bëjë vend në zemrat e tyre. Më e rëndësishmja është se albumi është i disponueshëm në të gjitha platformat dixhitale dhe mund të dëgjohet nga kushdo, në çdo kohë, për kënaqësi shpirtërore.

Na tregoni se si shkoi procesi i krijimit të albumit, a sakrifikuat shumë, a u “zhveshët” deri në fund, nga e morët energjinë dhe frymëzimin dhe pse e titulluat “Vida”?

– Albumi u regjistrua gradualisht, pa asnjë presion, këngë për këngë ashtu siç unë desha dhe kur kisha mundësi. Ekipi me të cilin e kam punuar në pjesën më të madhe të albumit janë Damir Puh dhe Natasha Miha në studion e tyre Green Room Sound. Këngën e parë “Fluturo” e publikuam në vitin 2019, kështu që gjatë katër viteve të fundit kemi kaluar shumë gjëra së bashku. Meqenëse procesi i krijimit të muzikës është shumë intim dhe i pastër dhe siç thoni në pyetje, “zhvishem” emocionalisht, për mua është veçanërisht e rëndësishme se kush më rrethon në ato momente. Siç thonë: “Nuk mund të pish me secilin”, ashtu edhe muzikë nuk mund të regjistrosh me secilin.

Në album kam edhe këngë që janë bashkëpunime me muzikantë të tjerë që më përshtaten, si grupi Foltin, me të cilin kemi regjistruar këngën “Me dhemb” në studion Alshar, pastaj “Kthimi në shtëpi”, një duet me Tedën, një këngë me autor Aleksandër Peshevski dhe Vesna Malinova, më pas një bashkëpunim me Angell Qosev për këngën “Natën e mirë, mirëdita” dhe Valentino Skenderovskin për këngën “Krenare”. Të gjithë ata ishin me mua në skenë në koncertin që u mbajt në kuadër të festivalit “Vera e Shkupit”.

Frymëzimi për secilën këngë, siç ka qenë deri më tani, është jeta me të gjitha anët e saj dhe emri i albumit “Vida” e ka pikërisht këtë kuptim – jetë, por në të njëjtën kohë do të thotë e vetëdijësuar dhe vigjilente.

Miyatta

Duke lexuar intervista për disa nga yjet më të mëdhenj të muzikës, është interesante se të gjithë ndihen të vetmuar, madje edhe depresiv pas koncertit. Duke shkëmbyer energji me kaq shumë njerëz, ata pranojnë se bëhen melankolikë nëse mbesin vetëm. Si ndiheni ju pas takimeve me audiencën tuaj, e lodhur apo akoma më energjike?

– Është e natyrshme të ndihesh e zbrazët pas një lumturie të fortë ekstatike. Sa më lart të shkosh, aq më poshtë duhet të zbresësh për të barazuar energjinë e brendshme. Këtë e kam ndjerë edhe herë tjetër. Por, ajo që për mua është shumë më magjepsëse, është ndjenja e të qenit jashtë trupit gjatë performancës. Ndoshta është kjo pasojë e një sasie të madhe adrenaline dhe fokusi në vetë interpretimin, por gjatë performancës kam një ndjesi të levitimit jashtë trupit. Pas performancës, kthehen menjëherë të gjitha nevojat trupore – uria, etja, tualeti, sikur të jeni kthyer pas. Një përvojë shumë magjepsëse për të qenë e sinqertë.

Ka shumë muzikë në jetën tuaj, veçanërisht pasi e krijoni dhe e interpretoni edhe vetë atë. Gjithnjë e më pak muzikë ka nëpër shtëpi, përderisa më parë gjithçka bëhej me radion që luante në sfond. Sa e konsumojnë dhe reagojnë ndaj muzikës fëmijët tuaj? A e keni zakon që t’u këndoni dhe t’u bëni muzikë atyre?

– Fëmijët e mi nuk kanë zgjidhje, sepse çdo ditë janë të rrethuar me muzikë. Madje ata marrin pjesë në mënyrë kritike me opinionin e tyre kur këngët janë ende në fazën e përpunimit. Gjegjësisht, para se t’i regjistroj në studio, ata janë dëgjuesit e parë.

Sa ju shërben mëmësia si frymëzim në muzikë? Si arrini të balanconi mes familjes dhe dy profesioneve? A arrini të dilni në takime me bashkëshortin tuaj?

– Mëmësia është një pjesë e veçantë tek unë e cila, edhe atë si e gjeti vendin e saj në krijimtarinë time. Në kanalin tim në YouTube mund të dëgjoni këngën “Ninulla” e cila u përkushtohet të gjithë fëmijëve të porsalindur, ndërsa disa këngë origjinale për fëmijë u gjendën në veprimtari edhe për festivalin e fëmijëve “Bilbili i Artë”.

Sekreti më i madh i përmbushjes së të gjitha detyrimeve është puna me turne dhe menaxhimi i mirë i kohës së lirë. Dhe sigurisht, dëshira e fortë për të arritur gjithçka që mund të imagjinohet. Unë besoj vërtet në moton “Vetëm qielli është kufiri”.

Kam gjithmonë kohë për një takim me bashkëshortin. Ndonjëherë është kafeja e mëngjesit, ndonjëherë dreka, e ndonjëherë shëtitje. Por, familja është gjithmonë në rradhë të parë.

Është inetersant kombinimi i dy profesioneve tuaja, kontrolluese e trafikut ajror dhe muzikante. Nëse në njërin vend duhet të jesh me këmbë në tokë, gjithmonë profesioniste dhe e qetë, në skenë mund të jesh e lirë dhe madje ekscentrike. Si vendosët të bëheni njëra, pastaj tjetra? Cili profesion ka një avantazh të vogël dhe a e plotësojnë njëri-tjetrin në praktikë ose më shumë ju krijojnë probleme që janë dy botë të ndryshme?

– Besoni ose jo, unë jam e njëjta në të dyja profesionet: e vetëdijshme dhe me këmbë në tokë, kurse në të njëjtën kohë e hareshme dhe empatike. Nuk kam vendosur unë drejtpërdrejtë për këto profesione: si njëri ashtu edhe tjetri ndodhën nga fati. Talenti im për muzikën është një dhuratë shpirtërore që nga lindja, kurse kontrolluese e fluturimit është një ndërthurje e rrethanave. Një avantazh ka profesioni si kontrolluese sepse e ushqen familjen time dhe më mundëson të jem financiarisht e lirë në muzikë dhe të mos bëj kompromis. Kjo gjë i bën ato plotësuese të njëra-tjetrës. Përndryshe, qasja ndaj të dy profesioneve është njëlloj serioze për mua, sepse të dyja kërkojnë sakrificë dhe përgatitje për performancë më të mirë, si dhe përgjegjësi të lartë morale.

Thonë se një artist i vërtetë është e pamundur të pensionohet, mendja e tij krijuese do të kërkojë gjithmonë një medie për t’u shprehur. Si e paramendoni pensionimin tuaj?

– Pensionimin tim e imagjinoj në një anije lundrimi, anije të madhe, në një cep të vogël të një lokali, duke kënduar e qetë pranë një pianoje në dimër. Kurse verës në Prespë, në fshatin Dollno Dupeni, duke kaluar kohë me të dashurit e mi dhe duke punuar fizikisht në oborre aq sa do të më mbajë fuqia.

Jeni shumë pozitive, rrezatoni një lloj energjie pozitive vetëm duke buzëqeshur, e njëkohësisht jeni edhe me këmbë në tokë. Jeta ju ka mësuar të jeni e tillë, apo gjithçka varet nga edukimi në shtëpi?

– Gjithmonë i kam respektuar njerëzit e nivelit të lartë dhe me këmbë në tokë. Kurse pozitiviteti i brendshëm besoj se lidhet me guximin. Njerëzit që janë negativë, në të vërtetë janë të frikësuar. Frika është një lojtar shumë i ndërlikuar kur pushton shpirtin e dikujt. Për evolucionin e çdo personi ekzistojnë tre faktorë: i lindur, i imponuar dhe i fituar. Unë nuk bëj përjashtim.

Cila është këshilla juaj për shëndet dhe disponim të mirë që do të ndanit me lexuesit?

– Unë nuk jam eksperte e shëndetit të mirë, sepse unë vetë luftoj me tiroiditin autoimun të Hashimotos dhe të gjithë elementët shoqërues që kjo diagnozë përfshin. Por, unë besoj thellësisht se një frymë pozitive është vendimtare për një shëndet të mirë. Thonë se një mendje e shëndoshë, në një trup të shëndoshë. E njëjta gjë është vlen edhe anasjelltas. Një trup i shëndetshëm është i padobishëm nëse vullneti është i dobët. Gjithnjë e më shumë shohim njerëz të shëndetshëm, pa asnjë të metë, por të pakënaqur dhe në ato raste sëmundja është vetëm çështje kohe.