Udhëtimi përmes aktrimit
Magjinë e lojës së aktrimit e ka ndjerë kur ishte vetëm 13 vjeç, që sot të krijojë një marrëdhënie të pandashme me aktrimin në të gjitha format e tij. Prindërit dhe fëmijët e njohin si Mogli, Kapiten Kuk, Maçoku me çizme dhe një sërë rolesh të tjera që luan në skenën e “Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj”.
Nëpërmjet kuizit “Kvisko”, Martini i ka bërë për vete gjyshërit dhe gjyshet, të cilët presin me padurim për të hequr nipërit e mbesat e tyre nga celularët dhe për të testuar njohuritë e tyre përmes argëtimit. Shpresojmë që “Kvisko” të rikthehet sa më shpejt në ekranet e televizionit.
Në filmin “Do Ballçak” të Stole Popovit, Martini e luajti rolin kryesor mashkullor, përkatësisht, personazhin e të riut Filip, i cili pas mbaroi studimet jashtë, kthehet në vendin e tij. Për këtë rol, Martinit iu desh të mësojë gjuhën frënge dhe të kalërojë, por siç duket sfida ia ka vlejtur, pasi roli në të vërtetë konfirmoi dhe lartësoi madhështinë e tij të aktrimit.
Për herë të 21-të, zëri i njohur i Martinit do të jehojë përmes personazhit të maskuar Poki, i cili do të shpallë festivalin e fëmijëve “Potoçinja”.
I dashuruar pas aktrimit, i dashuruar pas fëmijëve, i dashuruar pas natyrës, ky i ri përmes punës së tij promovon vlerat reale, sepse nuk e lëshon fëmijën nga shpirti i tij.
A është më i vështirë aktrimi para fëmijëve apo para të rriturve? A është më e vështirë për ta bërë publikun të qeshë apo të trishtohet?
– Fillimisht, ju falënderoj për nderin dhe ftesën për këtë intervistë. Përgjigja e pyetjes është e qartë. Puna me fëmijët është më e vështirë. Të edukosh është e vështirë, por edhe të luash në skenë është e vështirë. Fëmijët nuk njohin kufij. Imagjinata e tyre është më e zhvilluar se ajo e të rriturve. Fëmijët i vërejnë të gjitha detajet dhe janë “gjyqtarë” të sinqertë të punës sonë. Pikërisht për këtë arsye duhet të përpiqemi që të mbetemi fëmijë në shpirt përgjithmonë. Sidomos artistët.
– Ashtu si edhe në jetë. Është shumë e lehtë të trishtosh dikë, por shumë e vështirë ta bësh të qeshë. Komedia si zhanër nuk është e thjeshtë. Është më e vështira për ta interpretuar. Ashtu si edhe në jetë. Ndoshta nuk është e lehtë, por duhet të shikojmë anët pozitive, të kemi mendim pozitiv dhe buzëqeshje në fytyrë.
Cila është dashuria më e madhe për ju, teatri apo filmi?
– Teatri është dashuria ime e parë. Bukuria e teatrit është në atë që po ndodh tani dhe këtu para publikut. Drejtpërdrejtë, në kohë reale. Energjia qarkullon, transmetohet në sallë. Kurse filmi mbart me vete një magji të veçantë. Është krejtësisht ndryshe nga teatri. Aktrimi në film ndryshon nga aktrimi në skenë. Filmi është mjeshtëri më vete. E bukura e filmit është se ai zgjat përgjithmonë. Nëse shikoni një shfaqje teatrale të regjistruar, nuk është e njëjta ndjesi. Arte të ndryshme, secili me bukuritë e tyre.
Kur mund t’ju presim në ekranin e filmit? Në cilat projekte jeni duke punuar aktualisht?
– Unë kam dëshirë që sa më shpejt të dal para kamerës dhe të realizoj një film fantastik që do të njihet për cilësinë e tij dhe do të shëtisë botën. Fatkeqësisht, te ne, industria e filmit mbështetet shumë pak. Ashtu si edhe skena e teatrit alternativ. Kemi aktorë vërtet cilësorë që ia vlejnë dhe është mëkat i madh që nuk dalin në ekran (as edhe një herë). Në TFR presim të shohim se kush do të fillojë punën këtë sezon, sepse para disa ditësh kanë dalë rezultatet e konkursit të Ministrisë së Kulturës. Shfaqja e fundit që kishte premierën ishte “Si do ta ndajmë macen”, e cila është një shfaqje për të rinj me regji të Jane Spasiq, të cilën ju rekomandoj ta shikoni. Kam disa projekte private të cilat janë të planifikuara për periudhën e ardhshme, por për momentin do të mbeten sekret. Po bëhen përgatitje intensive për edicionin e 21-të të “Potoçinja” dhe kjo më gëzon. Jam duke punuar vazhdimisht dhe fuqishëm në një projekt të madh që quhet “vetja”.
Sa herë shkoj në teatër, vetëm apo me fëmijët, pyes veten nëse ky vend, ky popull është i vetëdijshëm për talentin e aktrimit të njerëzve që janë në skenë para meje. Dhe gjithmonë them, nëse bota do t’i njihte këta njerëz, a do të aktronin ata ende me aq magji dhe me gjithë zemër? Prandaj, do t’ju pyes, a ndiheni ju si aktor mjaftueshëm i vlerësuar dhe i njohur në vendin tuaj?
– Publiku definitivisht e njeh talentin dhe cilësinë e aktrimit në Maqedoni. Dëshmi për këtë janë sallat gjithmonë plot dhe nevoja për një biletë më tepër, e ndonjëherë edhe një shfaqje shtesë. E them këtë për të gjitha teatrot. Më vjen mirë që po kërkohet edhe një biletë më tepër për skenën e teatrit alternativ, e cila duhet mbështetur sepse tashmë është e madhe, ekziston nevoja të jetë e madhe, e shumtë. Shumë aktorë të diplomuar janë të papunë. Aktorë që punojnë me zemër dhe e duan profesionin, që kanë një nevojë të brendshme për të qenë në skenë. Kur arrihen majat më të larta në profesion, është vetëm një vlerësim i punës. Vërtetim që e njohim punën tonë dhe e bëjmë shkëlqyeshëm. Në këtë rast, zemra është më e hapur dhe magjia, dëshira, kënaqësia janë më të mëdha.
A përparon aktrimi si profesion apo është i fjetur, duke pasur parasysh se aktorët kanë filluar të fitojnë më shumë si influencues? A është e rrezikshme vëmendja e rrjeteve sociale për aktorin dhe përparimin e tij në aktrim?
-Aktrimi përparon me shpejtësinë e teknologjisë. Janë duke u hapur/gjetur forma të reja të teatrit, si dhe filmit. Teknologjia ofron shumë përparësi. Mendoj se e njëjta gjë vlen edhe për artin në përgjithësi. Pjesë e teknologjisë dhe kohës është edhe influencimi, podkasti etj. Çdo gjë ka anët pozitive dhe negative. Nga ne varet se nga cila kahe do të orientohemi. Unë nuk jam shumë aktiv në rrjetet sociale sepse më tërheq më shumë natyra. Nuk mendoj se një aktor që merret me influencim, për shembull, ka një rrezik potencial për aktrimin. Mendoj se vetëm mund të fitohen përvoja të ndryshme. Aktori nuk fle kurrë, aktori vetëm pushon.
Sa mendjemadhësi dhe diskriminim ka në artin filmik dhe atë dramatik të vendit tonë? A mjafton talenti i aktrimit për të pasur sukses si aktor në vendin tonë?
– Nuk do të doja të hyja në temën e parë. Gjithmonë ekziston nevoja për pak shtysë. Ka shumë aktorë të papunë të cilëve nuk u jepet mundësia. Thjesht mundësia nuk arrin deri te ata. Shteti duhet të investojë në art, në të gjitha format e tij.
Si u dashuruat në fakt me aktrimin dhe si vendosët të bëheni aktor?
– Kur isha në klasën e 7-të, në shkollën time fillore “Vojdan Çernodrinski” po përgatitej një patronat me rastin e 45 vjetorit të themelimit të shkollës. (Jo)rastësisht mora vesh se do të organizohej një shfaqje teatrore, pjesë nga “Dasma e përgjakur maqedonasë”. Në zyrën e pedagogut ishte Sllavica Kovaçeviq – Jovanovska, unë trokita në derë, tregova shkakun pse kisha ardhur dhe më zgjodhën për të marrë pjesë. Kam luajtur personazhin e Spases. Pasi përfundoi patronati, Sllavica ftoi disa nga fëmijët, dhe na pyeti nëse donim të ishim pjesë e studios së saj dramatike për fëmijë. Kështu filloi e gjithë historia. Shkova në studion e dramës për 5 vjet dhe më pas u regjistrova në FAD në klasën e Vlladimir Millçinit dhe Suzana Kiranxhiska. Ditë të bukura, pa brenga, kujtime të bukura, gëzim dhe buzëqeshje.
Cilët aktorë/e apo ndoshta filma ju shërbejnë si frymëzim deri më sot?
– Ka shumë aktorë në nivel botëror që janë fantastikë, nëse flasim për filmin. Për teatrin, gjithashtu janë shumë. Vetëm në vendin tonë ka shumë. Nëse më duhet të përmend një, është Xhoni Dep. Kohët e fundit kam parë filma vizatimorë. Unë i shikoj në formë dokumentarësh. Nëse duhet një listë shtesë me emra të aktorëve dhe filmave, me kënaqësi do ta prezantoj.
Thonë se një artist i vërtetë është e pamundur të pensionohet, mendja e tij krijuese do të kërkojë gjithmonë media për t’u shprehur. Si e paramendoni pensionimin tuaj?
– Po, është shumë e vërtetë që një artist nuk del kurrë në pension. Ai ka lindur për të krijuar vazhdimisht, kjo është shtysa e tij që e plotëson dhe e mban gjallë. Është e domosdoshme që një artist të krijojë. Gjatë ditëve të pensionit, do të vazhdoja të krijoj në një shtëpi të vogël me një bahçe të madhe, kopsht, vend për kultivimin e peshkut dhe kafshë. Nipërit vrapojnë përreth dhe bërtasin “Gjysh, gjysh”.
Teatri, e veçanërisht filmi, kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të ndikuar në kulturën e jetës, por sa e kanë rrezikuar mediat sociale këtë fuqi? A do të përballemi me salla të zbrazëta për shkak të FB?
– Teatri ekziston prej shekujsh. Ka mbijetuar edhe në kohët më të vështira kur ka qenë i ndaluar. Teatri ndodh gjithmonë për një arsye në një moment të caktuar si kritikë e shoqërisë. Artin në përgjithësi. Nuk mund ta ndaloni/shfuqizoni atë. Arti është gjithmonë aty për të “ndërgjegjësuar” popullin. Ajo kulturë e të jetuarit, e llojit të lojërave kukafshehtas, llastik, gogla qelqi, ndjekje, hapa-dollapa, etj. nuk do të kthehet kurrë. Çdo periudhë kohore sjell avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ndoshta duhet të kalojë pak kohë për të parë nëse ndikimi i mediave sociale është i mirë apo i keq. Dhe ndikimi është i madh, rrjedhimisht edhe rreziku është i madh sepse nuk mund të vendoset kontrolli. Definitivisht nuk do të përballemi me salla të zbrazëta. Stand-up-et në Maqedoni po shtohen, kafenetë/sallat janë plot. Ky është një tregues i shkëlqyer se dimë të vlerësojmë kulturën dhe se jemi gati për përvoja të reja.
Kam vënë re që nuk jeni aktiv në rrjetet sociale, cila është arsyeja për këtë?
– Unë personalisht mendoj se është humbje kohe. Nuk po them se nuk duhet të përdoren. Por, jeta thjesht nuk jetohet me sytë në ekran. Njeriu ka lindur për t’u lidhur me natyrën, jo me ekranin. Është tjetër gjë kur sheh bimët në ekran dhe tërësisht gjë tjetër kur i nuhat, i prek, i shijon ato. Fëshfërima e pemëve dhe gurgullima e përroit, kënga e zogjve, këto janë frekuencat natyrore që ndikojnë këndshëm në organizmin e njeriut. Përqafoni një pemë, ecni zbathur sa më shpesh të mundeni. Ekrani nuk na shpëton. Më së shumti përdoret atje ku mbreti shkon në këmbë.
Si ju pëlqen ta kaloni kohën tuaj të lirë? Cila është motoja juaj për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur?
– Më pëlqen të jem në natyrë, larg rrëmujës. Lumë, liqen, mal… mundet. Është shumë e rëndësishme të kesh pranë vetes njerëz që të duan sinqerisht dhe të kuptojnë. Kritikat e tyre mund të duken të pakëndshme, por me siguri kanë qëllime të mira. Dashuria është ajo që lëviz botën. Është e rëndësishme të duam. Është e rëndësishme që të mësojmë të falim. Të përpiqemi të kuptojmë të tjerët. Vetëm kështu do të jemi njerëz më të mirë dhe së bashku do të kontribuojmë për mirëqenien. Përndryshe nuk kam deviza. A nuk i kanë hequr ato shumë kohë më parë?!