Një tjetër dhimbje koke? Edhe sot ndiheni të lodhur?
Zgjidhja afatgjate nuk fshihet në sirtarin e ilaçeve, por në kuzhinën tuaj, mes artikujve ushqimorë të cilat tashmë mund t’i keni në shtëpi!
Çfarë bëni kur dita paralajmëron dhimbje koke? Apo kur stomaku fillon të ankohet zëshëm për shkak të zgjedhjeve të vazhdueshme jo të duhura ushqimore? Pini pilulë, apo jo? Dhe kjo është në rregull! Por, çka nëse do të detyroheshit të pini pilula çdo ditë? A do ta pranonit një mënyrë jetese të tillë pa u dhënë mundësi alternativave natyrore?
A e dini se lëndët ushqyese që merrni përmes ushqimit tuaj mund të kontrollojnë ngërçet, zorrët e irrituara, pagjumësinë dhe shumë gjendje të tjera shëndetësore?
“Ushqimet që përmbajnë vlera të larta ushqyese kanë fuqinë për të kompensuar mangësitë që lidhen me simptoma të caktuara ose të zvogëlojnë drejtpërdrejt simptomat”, thotë Erin Skiner, një dietologe e specializuar.
Sindromi i zorrës së irrituar
Fryrje, ngërçe stomaku, kapsllëk ose diarre. Asnjë nga këto simptoma nuk tingëllon këndshëm dhe të gjitha janë pjesë e sindromës së zorrës së irrituar. Shkaktarët kësaj gjendjeje janë të shumtë, duke përfshirë stresin. Edhe ushqimi është po aq i rrezikshëm! Përderisa disa produkte veprojnë si qetësues për zorrët e irrituara, të tjerët i shqetësojnë më shumë ato.
Lejohen: KËRPUDHAT
Kërpudhat që rriten drejtpërdrejt nën rrezet e diellit përmbajnë një sasi të madhe të vitaminës D. Provat më të fundit vijnë nga Universiteti i Sheffield dhe të njëjtat gjejnë një lidhje të fortë mes sindromës së zorrës së irrituar dhe mungesës së vitaminës D. Vetëm tri kërpudha në ditë, por të rritura nën rrezet UV, mjaftojnë për të ndjerë ndryshimin.
Ndalohen: KARBOHIDRATET
Këto janë grupe të vogla karbohidratesh të cilat zorra e hollë i përthith me vështirësi dhe në sasi të vogla. Ato që nuk do të përthithen, transferohen në zorrën e trashë, ku nën ndikimin e baktereve fillojnë të fermentohen, duke shkaktuar gazra dhe fryrje. Një studim australian tregon se 74% e subjekteve, te të cilët ky grup ushqimor u hoq nga dieta, shfaqën ulje të simptomave. Problemi është se lista e ushqimeve nga ky grup ushqimesh është e madhe, por ka shumë aplikacione celulare si Fodmap (IBS Tracker) që do t’ju ndihmojnë të mos gaboni.
Acidet
Kjo ndjenjë e pakëndshme në gjoks pas një vakti është rezultat i acideve që largohen nga stomaku dhe ngjiten lart përmes ezofagut. „Acidet mund të paraqiten nën ndikimin e çdo presioni në stomak – nga shtatzënia, rritja e peshës deri te stresi dhe ankthi. Te disa njerëz kjo gjendje është e trashëguar”, thotë kirurgu gastroenterolog Markus Redi.
Lejohen: ÇAMÇAKËZAT PA SHEQER
“A ju kujtohet kur prindërit ju detyronin të uleni drejt në tryezë, të përtypni ngadalë, të mos hani dhe të pini në të njëjtën kohë, të mos hani vonë? Këto rregulla duket se janë të shenjta për ata që shpesh vuajnë nga urthi”, thotë Redi. Por, kur acidi tashmë është shfaqur… “Përtypja e çamçakëzit shkakton sekretimin e pështymës alkaline që neutralizon acidin”, këshillon Redi.
Ndalohet: USHQIMI PIKANT DHE I THARTË
Domatja, portokalli, çdo gjë që është minimalisht e thartë ju ndalohet. “Këto ushqime nuk shkaktojnë acid në stomak në vetvete, por ato irritojnë indin e inflamuar, duke përkeqësuar simptomat”, thotë Redi.
Ndalohet: ÇAJ NENEXHIKU
“Nenexhiku relakson të ashtuquajturën valvul, e cila zakonisht do të parandalonte largimin e acidit nga stomaku”, thotë Dr. Kris Etrixh, specialist i herbologjisë. Bëni dallimin, nenexhiku është i mirë për qetësimin e barkut, por jo edhe për acidet e lugthit.
Jeni vazhdimisht të lodhur?
Sa herë që ngriheni ju turbullohet shikimi? Lodheni shpejt dhe duket sikur ju mungon fryma? “Nëse ndiheni vazhdimisht letargjik, vizitoni mjekun tuaj. Nëse nuk ka prapavijë mjekësore, shpesh bëhet fjalë për një mënyrë jo të duhur të të ushqyerit. Një mënyrë e ekuilibruar e të ushqyerit dhe një furnizim i mirë me hekur dhe vitaminë B”, këshillon nutricionisti klinik Peter Koks.
Lejohet: KOTËLETË
Niveli i ulët i hekurit në gjak është një shkak i zakonshëm i lodhjes, veçanërisht gjatë periudhave të stresit. Mishi i kuq është zgjedhja juaj më e mirë për hekurin.”Ai përmban vitaminë B12, e cila do t’ju rikthejë energjinë. Rregulli është: mish të kuq 3 herë në javë”, thotë nutricionisti klinik Peter Koks.
Lejohet: LËNG NGA PANXHARI I KUQ
Nëse nuk jeni adhurues i mishit, konsumoni lëngun e panxharit. “Rekomandoj një gotë prej 350 ml në ditë për pacientët që vuajnë nga anemia. “Panxhari është bima më e pasur me hekur”, thotë Koks. Përveç panxharit, ju mund të plotësoni rezervat e hekurit nëse hani fasule, thjerrëza ose fara çdo ditë.
Ndalohen: PIJET ENERGJIKE
Po, ato mund të mbushin bateritë tuaja në një kohë shumë të shkurtër, por hulumtimet nga Universiteti Lafboro zbulojnë se një orë pas konsumimit, subjektet kishin përqendrim më të keq se përpara konsumimit të pijes energjike. “Pija energjike shkakton një rritje të shpejtë të niveleve të insulinës, por më pas vjen deri te rënia e menjëhershme e niveleve të energjisë”, shpjegon Koks.
Nuk mund të filni?
Vështirë, por me sukses hoqët dorë nga kafeja në orët e vona, megjithatë jeni ende zgjuar në orën 2 pas mesnate? Hulumtimet tregojnë se ushqimi mund të luajë një rol edhe për këtë situatë.
Lejohet: LËNGU I QERSHISË
Melatonina (hormoni që nxit gjumin) dhe lëngu i qershisë janë partnerë jashtëzakonisht të përshtatshëm. Një studim i Universitetit Shtetëror të Luizianës tregon se një gotë lëng qershie në mëngjes dhe një gotë 2 orë para gjumit zgjasin gjumin për 90 minuta gjatë natës.
Lejohet: SALMONI
Blini çfarëdo lloj peshku më të yndyrshëm (salmon, ton, sardele) sepse përmban sasi të lartë të acideve yndyrore omega-3. “Hulumtimi ynë tregon se përbërësi strukturor DHA, i cili gjendet në përbërjen e acideve yndyrore omega-3, mund të ndikojë në sekretimin e melatoninës ose thjesht të zvogëlojë ankthin dhe në këtë mënyrë të ndihmojë gjumin”, thotë profesori Pol Montgameri nga Universiteti i Oksfordit.
Ndalohet: USHQIMI I SHPEJTË
Ekspertët e Universitetit të Kolumbisë thonë se një personi i duhen 12 minuta më shumë për të fjetur, nëse gjatë ditës ha një vakt i cili përmban pak fibra ushqyese, por shumë sheqer dhe yndyrë. “Ky kombinim fillimisht ul energjinë, por më pas shkakton një rritje të menjëhershme niveleve të glukozës në gjak dhe lirimin e hormoneve të stresit, efekti i të cilave zgjat për orë të tëra”, thotë Erin Skiner, dietologe e specializuar.
Migrena
Forma më e keqe e dhimbjes së kokës e cila zakonisht shfaqet kur enët e vogla të gjakut zgjerohen papritur. Të ushqyerit e parregullt, dehidratimi dhe ushqimet si djathi, vera e kuqe, çokollata janë shkaktarët më të zakonshëm, por lista nuk mbaron me kaq!
Lejohen: FRUTAT E THATA, FARAT DHE GJETHET ME NGJYRË TË GJELBËR TË ERRËT
Mjekët shpesh e lidhin migrenën me mungesën e magnezit. “Përpiquni të hani një grusht të plotë me fruta të thata ose fara në ditë, si dhe tre grushta me të ashtuquajturat gjethe të gjelbra dimërore si spinaqi apo lakra jeshile”, këshillon Skiner. Provoni këtë recetë: Përzieni spinaqin, arrat ose bajamet, farat e kungullit, gjysmë avokado dhe tri lugë gjelle thjerrëza të gatuara. Shtoni vaj ulliri dhe shërbejeni me salmon të pjekur. “Yndyrat e avokados dhe salmoni do ta ndihmojnë trupin të përthithë më mirë magnezin”, këshillon Skiner.
Ndalohen: PRODUKTET E PËRPUNUARA TË MISHIT
Histamina, e cila është e përqendruar në këtë lloj mishi, lidhet kryesisht me shfaqjen e migrenës. ,,Krijohet në ushqim kur bakteret fermentohen në të”, shpjegon Skiner. Produktet e përpunuara të mishit janë tashmë të pasura me histaminë, ndërsa sasia e histaminës te mishi i pulës i mbetur në frigorifer rritet çdo ditë.
Ndalohet: KOSI, DJATHI
Edhe kosi është një produkt i fermentuar, i cili është i dobishëm për njerëzit me probleme të zorrëve. Po për ata që vuajnë nga migrena? Në të vërtetë jo! E njëjta gjë vlen edhe për djathrat e fortë dhe kaçkavallin.