Zonja me shkëlqim infektues
Frymëzon përmes punës, por edhe përmes mënyrës së jetesës. Çdo mesazh i saj ka për qëllim t’ju kujtojë të shkëlqeni. E njohim prej kohësh nga ekranet televizive dhe shumë pak nga jeta e saj private, që është dëshmi e profesionalizmit të saj, por edhe recetë e suksesit të saj.
Duke gjykuar nga pyetjet që u bëni mysafirëve tuaj në “Neshto konkretno” (“Diçka konkrete”), por edhe postimet frymëzuese në “murin” tuaj, vërtet posedoni aftësi mbresëlënëse për të shkruar dhe kreativitet të madh. A keni menduar ndonjëherë të punoni në sektorin e marketingut, megjithëse, edhe menazhimi i profilit tuaj është pak a shumë marketing?
Vërejtje e shkëlqyer dhe faleminderit për këtë. Unë jam e dashuruar me magjinë e marketingut dhe i ndjek të gjitha tendencat dhe drejtimet e reja, mënyrën se si reklamat dhe fjalët intrigojnë dhe mesazhet që motivojnë. Lexoj libra, dëgjoj video regjistrime lidhur me tematikën dhe më gëzon çdo zbulim i ri që do të arrij dhe i cili lidhet me marketingun. Pak njerëz e dinë, por unë më shumë se 10 vite punoj si menazhuese marketingu në kompaninë vrabotuvanje.com dhe sigurisht që profili im në Instagram është një lloj marke personale.
Vërtet po përpiqeni të inkurajoni ndryshime pozitive te të gjithë ata që kanë zgjedhur t’ju ndjekin. Por, të jesh në sy të publikut shpesh mund të dalë jashtë kontrollit, publiku të keqinterpretojë ose gjykojë ashpër ndonjë lëshim. A keni pasur një përvojë të tillë dhe si i përballoni të gjitha komentet negative?
Unë jam një person shumë i kujdesshëm, ndonjëherë edhe tepër. Kam një rregull postimi ose komentimi. Atje ku ka dy palë dhe secila me të vërtetën e vet, aty nuk e kam vendin të jap komentin tim. Edhe pse, ajo është mënyra më e lehtë për të arritur qendrën e vëmendjes dhe për ta kthyer atë te vetja. Aty ku ka gjendje faktike mund të jap mendimin tim. Thashethemet nuk janë fusha ime e lojës.
Ajo që kam mësuar është se betejat e të tjerëve nuk duhen bërë. Mbështetja, nëse është nga zemra, shprehet personalisht ose nëse mendoj se një miku im ka gabuar diku, në diçka, të njëjtën gjë ia them personalisht. Publiku shpesh dëgjon atë që i përshtatet, kështu që është më mirë të mos i jepni asgjë për të dëgjuar, sesa diçka që do ta keqinterpretojë.
Sa i përket komenteve negative, gurët janë hedhur dhe do të hidhen, me rëndësi është se çfarë do të vendosim të ndërmarrim – t’i përgjigjemi çdo guri të hedhur ose të ndërtojmë me to një kala.
Cilat janë disa nga praktikat apo ritualet tuaja të cilave u jepni prioritet për të ruajtur mirëqenien tuaj fizike dhe mendore?
Për shëndetin mendor, zgjedhja më e mirë është të qëndrosh i painformuar. Gjegjësisht, të mos i dëgjosh informacionet ditore politike që të mbushin mendjen dhe zënë vend të panevojshëm. Dua të dëgjoj informacione cilësore që mund të avancojnë punën dhe jetesën time. Gjithçka tjetër si hyn në vesh, ashtu edhe del. Njerëzve ndonjëherë u dukem e çuditshme kur them se nuk di diçka ose nuk jam në rrjedhë, por unë ndihem mirë, mendja ime është e pastër për të krijuar dhe për të parë ndryshe dhe më qartë. Zhurma e informacionit shpërqendron, zgjuarsia është në përzgjedhje.
Do t’ju tregoj një histori për garën e bretkosave. 20 bretkosa bënin gara dhe duhej të kërcenin mbi një mur të lartë. U përpoqën, kërcyen, pjesa tjetër e kafshëve brohorisnin, i qortonin se nuk mundeshin, disa u dhanë strategji, të tjerët u përpoqën t’i largonin nga ideja. Në fund, vetëm njëra arriti të kërcejë nga të gjitha 20 sa ishin. Kur u përpoqën të kuptonin se si vetëm ajo ia doli, kur nuk kishte ndonjë aftësi më të veçantë se të tjerat dhe kur ishte në të njëjtat kushte si 19 të tjerat, ata e kuptuan se – bretkosa ishte e shurdhër. Dhe kjo është e gjitha.
Fizikisht e mbaj veten duke vozitur biçikletë, me pilates dhe shëtitje, sigurisht edhe duke pastruar shtëpinë.
A ka ndonjë libër që ka pasur ndikim të madh në jetën tuaj? A jeni nga ata që nënvizojnë fjalë të fuqishme ndërsa lexojnë?
Nënvizimi i mendimeve, fjalive dhe citimeve është aktiviteti im i preferuar kur lexoj një libër. Dhe gjithashtu më pëlqen t’i shkruaj kur dëgjoj libra audio ose ndonjë fjalim motivues.
Por, është shumë e rëndësishme të dimë – citimet nuk ekzistojnë për t’u besuar verbërisht, por për të zbuluar të vërtetën tonë.
Më pëlqen ajo: “Si të vijë, ashtu do të bëjmë” – që do të thotë të përshtatemi me vazhdimësinë, të mos rezistojmë, të mos bërtasim: “Po, por në kohën time”. Ajo kohë ka kaluar tashmë. Sado të luftoni kundër rrjedhës së lumit, nuk do t’ia dilni, më mirë mësoni të notoni.
Si e ruani ekuilibrin e shëndetshëm mes punës dhe jetës private? Çfarë nënkuptoni me kohën cilësore të kaluar me familjen?
Kohë cilësore e shpenzuar për ne janë udhëtimet, udhëtimi i përbashkët në veturë prej disa orësh, kur shkëmbehen një mijë e një ide, mendime, ka kohë për të qeshur, për të debatuar, për të argumentuar, për të diskutuar, për të nxjerrë përfundime etj.
Unë jam nga ata prindër që duan të dëgjojnë menjëherë fëmijët e tyre. Ata janë edhe të padurueshëm, euforikë, ndonjëherë kokëfortë, prandaj nëse nuk i dëgjoni menjëherë, mund të mos ju tregojnë ose të ndryshojnë mendje. Prandaj, sa herë që djemtë e mi më drejtohen, unë e ndërpres atë që po bëj dhe i dëgjoj, në mënyrë që ata ta dinë se jam këtu për t’i dëgjuar dhe ta dinë se gjithmonë, në çdo kohë, mund të më drejtohen për çdo gjë. Që të mos mendojnë se mami është në takim, të mos e ndërpres ose fle, të mos e zgjoj. Për ta jam gjithmonë aty. Ky për mua është një përkushtim cilësor.
Çfarë mund t’ju bëjë lehtësisht të qeshni dhe çfarë ju zemëron më shpejt?
Më bëjnë më shumë për të qeshur njerëzit nga të cilët nuk pres të jenë shakaxhinj ose se dinë të tregojnë barcoleta apo ndonjë shaka. Pastaj, kur pamja e tyre nuk përshtatet me atë që thonë, kjo më bën të qesh edhe më shumë, në kuptimin pozitiv të fjalës. Më pëlqen ai lloj i humorit të sofistikuar që nga pak lajkaton, dhe më pak trondit.
Më inatos padrejtësia dhe mosrespektimi. Zemërohem keq kur dikush luan me besimin tim. Unë jam një person që jep mundësi, por nëse e mbyll njëherë me dikë, e mbyll për gjithë jetën.
Ndani me ne të paktën një recetë vegane të cilën do ta shijojnë edhe adhuruesit e mishit. Më korrigjoni nëse e kam gabim, por mendoj se jeni bërë vegane për arsye shëndetësore, sa kohë keni që e praktikoni këtë mënyrë të ushqyeri? A keni tashmë argumente se është mirë të jesh vegan?
Unë jam vegane për gati 20 vite. Dhe është e vërtetë, unë jam vegane për arsye shëndetësore, për shkak të intolerancës dhe alergjive, u detyrova të ndryshoj mënyrën e të ushqyerit. Argumentet e mia personale janë se veganizmi është i mirë për shëndetin dhe organizmin tim. Në të njëjtën kohë, nuk dua të orientoj apo të bind askënd. Kjo mënyrë e të ushqyerit mua më mundëson një jetë të mirë dhe kjo ka shumë rëndësi për mua.
Personalisht mendoj se secilit prej nesh trupi i thotë se çfarë është e mirë për të, pamja në pasqyrë gjithashtu, por ka një gjë të ndërlikuar… Trupi thotë: mos ha çokollatë, por truri thotë: ma jep këtu çokollatën, sekreton hormon lumturie dhe do të ndihem më mirë. Gjunjët bërtasin: nuk të mbajmë dot nga pesha, truri bërtet: hajde ulu në kolltuk ku po shkon. Trupi shihet në pasqyrë dhe thotë: kjo formë nuk është e mirë, truri thotë: ka burime të tjera lumturie, nuk është vetëm pamja. Rezultatet thonë: presion i lartë, truri thotë: një herë jetohet…dhe kështu…ne zgjedhim vet se kë do të dëgjojmë.
Recetë: Dy banane të ngrira, dy hurma, një lugë çaji kakao dhe një filxhan i vogël qumësht me bazë bimore, përzieni dhe shijoni një akullore të shëndetshme vegane.
Si nënë e re, në cilat parime bazoheni gjatë edukimit të fëmijëve tuaj? A jeni krenare për atë që keni arritur deri tani?
Nënë e re është një kompliment, faleminderit për këtë, por di të them që jam një nënë e vjetër. Nënat e reja janë ato me fëmijë 3, 4 vjeç, djemtë e mi janë 17 dhe 12 vjeç.
Përndryshe, jam dakord, edukimi është një sfidë, veçanërisht në këtë kohë kur të gjitha informacionet janë lehtësisht të arritshme, kur truri i fëmijëve funksionon me shpejtësi 300 në orë dhe kur dinakëria dhe shkathtësia e tyre janë në nivel të lartë. Gënjeshtrat apo premtimet e paplotësuara këtu nuk funksionojnë, gjithçka mund të lexohet në internet dhe për këtë arsye duhet të jesh jashtëzakonisht i kujdesshëm.
Për mua gjëja më e rëndësishme është t’u mësoj fëmijëve respektin. Të dinë të respektojnë si njerëzit ashtu edhe përmbajtjen. Të njohin vlerën e vërtetë të gjërave dhe të jem shembull i vërtetë për atë që e them. Të mos ngatërrohen fjalët dhe veprat. Më pëlqen kur u jap mundësinë të marrin vendime vetë dhe të mbajnë përgjegjësi. Të mësojnë se çfarë janë pasojat. Dua që ata të shohin gabimin e tyre dhe të mësojnë ta korrigjojnë vetë. Unë jam gjithmonë këtu për ta, por dua t’i mësoj së pari të mbështeten te vetja dhe të besojnë në vetvete.
Unë e kam zakon t’i dëgjoj fëmijët dhe të përpiqem të gjykoj nga sjellja e tyre se në çfarë faze gjenden, udhëhiqem nga instinkti dhe intuita e nënës. Nuk mendoj se ndonjë doracak mund të përgënjeshtojë apo definojë atë që një nënë e di se si duhet të veprojë në një moment të caktuar me fëmijën e saj.
Ndoshta udhëzuesi duhet të japë njëfarë drejtimi, por ai nuk mund ta edukojë fëmijën dhe ta mësojë të jetë njeri. Librat japin vetëm drejtim dhe të hapin sytë, gjithçka tjetër është praktikë.
Duke lëvizur nëpër “murin” tuaj në Instagram, vura re shumë disiplinë – në mënyrën e të ushqyerit, në aktivitetin fizik (stërviteni edhe gjatë pushimeve), në organizimin e emisionit. Pra, nëse pajtoheni që disiplina është një nga argumentet e suksesit tuaj, cilët janë të tjerët?
Disiplina është çelësi në çdo gjë, në punë, në mënyrën e të ushqyerit, në kolegjialitet, në miqësi dhe në prindërim. Shtyrja e gjërave për më vonë ose nesër, është hapi i parë drejt sabotimit dhe vetëpengimit.
Përshtypja ime është se në TV ka gjithnjë e më pak prezantues të kompletuar. Ju dhe disa të tjerë jeni përjashtim dhe sikur e ruani me besnikëri atë epokë të artë kur të gjithë fshehurazi donim të ishim në TV. Çfarë ju motivon të qëndroni aktive në TV dhe më e rëndësishmja, a arrihet pritshmëria e shikueshmërisë pa mbështetjen e rrjeteve sociale?
Jetojmë në një kohë tjetër, në kohën e rrjeteve sociale, në të cilën çdokush mund të bëhet i famshëm dhe i dukshëm në një sekondë. Por, të jesh i famshëm nuk do të thotë të jesh popullor. Popullariteti në interpretimin e tij ka anën pozitive në kuptimin e reputacionit, mbështetjes, nderit, emrit të mirë, njohjes etj., kurse njohja mund të jetë edhe në kontekst negativ.
Publiku di saktësisht të vlerësojë se kë do të njohë dhe kë të shpallë popullor.
Përndryshe, nuk mendoj se mund të jesh rojtar i ndonjë kohe të caktuar, sepse gjithçka ndryshon, çështja është të përshtatesh me kohën e re, duke sjellë me vete cilësitë dhe gjërat e bukura nga gjeneratat e mëparshme. Unë ende besoj në magjepsjen, madhështinë dhe integritetin e televizionit. Besoj në magjinë e televizionit dhe për sa kohë që entuziazmi më mban, do të punoj në televizion me mbështetjen e rrjeteve sociale. Në momentin që do ta ndiej se është lodhje dhe jo kënaqësi, do të heq dorë.
Më pëlqen gjithë ai angazhim rreth vendosjes së skenës, dritave, ndërtimit të kuadrit, perceptimit, drejtimit, pastaj veshjes, zbukurimit, emocioneve pozitive, pasigurisë gjatë krijimit të një produkti televiziv.
Ndryshe nga rrjetet sociale kur mjafton të ndizni kamerën, të filloni të flisni dhe gjithçka do të jetë virale, lehtësisht e përsëritshme, lehtësisht e arritshme dhe lehtësisht e ndryshueshme. Hiperprodhimi nuk është stili im i punës.