Stres….stres….stres

Stres….stres….stres

Ngado që kthehemi, gjithkund flitet, shkruhet, diskutohet për stresin, për ndikimin e tij te ne, si ta reduktojmë, si ta trajtojmë atë dhe ajo që është shumë me rëndësi, të mësojmë se si të jetojmë me të si pjesë e jetës sonë të përditshme, pa ndikuar negativisht ndaj nesh.

Stresin mund ta përkufizojmë si një reagim fizik, fiziologjik dhe psikologjik i organizmit që vjen si rezultat i një stresori (stimuli) të caktuar që mund të jetë me prejardhje të ndryshme. Stresorët janë kryesisht të natyrës psikologjike dhe janë të pakëndshëm, si konfliktet me njerëzit e tjerë, ndryshimi i vendit të punës, humbja e një personi të afërt, problemet financiare, humbja e vendit të punës, sëmundjet dhe shëndeti i dëmtuar, shkëputja e një marrëdhënie emocionale, etj., por edhe ngjarje të këndshme që ndodhin papritur dhe e vendosin personin në gjendje të pasigurt dhe në pamundësi për një reagim adekuat ndaj vetë situatës.

Organizmi i njeriut i përgjigjet stresit duke aktivizuar sistemin nervor autonom, boshtin hipotalamus-hipofizë-gjëndra mbiveshkore dhe sekretimin e hormoneve të stresit kortizol dhe adrenalinë, të cilat janë përgjegjëse për simptomat e shumta që shfaqen gjatë stresit. Një stres i vogël mund të jetë i dobishëm, duke përmirësuar performancat sportive, motivimin, të menduarit më të shpejtë dhe zgjidhjen e problemeve, reagimet e një personi ndaj ngjarjeve në mjedis. Por, ekspozimi afatgjatë ndaj stresit, veçanërisht me intensitet të shtuar, mund të çojë në probleme serioze shëndetësore si depresioni, ankthi, sëmundjet kardiovaskulare, gastrointestinale, muskuloskeletore, neurologjike, mosfunksionim seksual, probleme menstruale, të cilat dëmtojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së një personi. Lidhjen e fortë midis mendjes dhe trupit tonë mund ta shohim pikërisht përmes ndikimit të stresit ndaj nesh.

Stresi ka shumë fytyra, prandaj është shumë e rëndësishme të bëjmë dallimin e simptomave dhe një vlerësim të duhur nëse stresi është përgjegjës për shfaqjen e tyre ose është diçka më tepër, sepse shumë simptoma që zakonisht u ngarkohen gjendjeve të tjera mund të nënkuptojnë edhe disa probleme shëndetësore.

Fizike: rraskapitje, dhimbje koke, pafuqi, mungesë energjie, ngurtësi dhe tension muskulor, dhimbje shpine, shqetësime në stomak, takikardi, lodhje, tharje e gojës;
Emocionale dhe njohëse: zvogëlim i përqendrimit, shqetësim, mendime të këqija, humor të keq, nervozizëm, pagjumësi, çorganizim, frustrim dhe demotivim;
Bihejvioriste: alkoolizmi, përdorimi i drogës, izolimi social, ndryshimi i oreksit, mungesa në punë etj.

Një element kyç është përvoja personale, pra interpretimi i faktorit stresues dhe vetë stresit. Dy individë të ndryshëm reagojnë ndryshe ndaj të njëjtit faktor stresues, te disa mund të shkaktojë një reagim të vrullshëm, kurse te të tjerët nuk do të shfaqet as shqetësim.

Si të menazhojmë stresin?

Menazhimi efektiv i stresit çon në një mënyrë jetese më të ekuilibruar, më produktive, më të shëndetshme dhe krijimin e një ekuilibri emocional. Kjo mund të arrihet përmes identifikimit të faktorëve stresues, ushtrimeve (vozitja e biçikletës, vrapimi, joga), të ushqyerit e shëndetshëm dhe vaktet e rregullta, zakoneve të mira të gjumit prej 8 orësh, menazhimit të mirë të kohës dhe përgjegjësive, kalimit të kohës me njerëzit që ju bëjnë të ndiheni rehat dhe të sigurt, etj.

Por, ndonjëherë të gjitha këto teknika nuk mjaftojnë dhe organizmi i tejkalon kapacitetet dhe mekanizmat mbrojtës për t’iu përshtatur stresit. Në atë rast nevojitet një terapi farmakologjike. Shumica e preparateve farmakologjike, qofshin ato me bazë natyrale, kombinime vitaminash ose barna, të tilla si anksiolitikët dhe antidepresivët, zakonisht fokusohen në një ose disa simptoma, për shembull vetëm ndaj simptomave fizike ose vetëm ndaj simptomave psikologjike. Një preparat farmakologjik ideal do të ishte ai i cili do të kishte një efekt të dyfishtë si ndaj simptomave fizike, ashtu edhe psikologjike, të kishte një profil të sigurt dhe pa efekte anësore. Një preparat që ka në përbërjen e tij ekstrakt të bimës Rodiola rosea, substanca aktive e së cilës është salidrozidi, i cili vepron si adaptogjen, mund të plotësojë këto kushte dhe për të cilin ka studime të shumta, ka aftësinë të normalizojë funksionet në organizëm, të forcojë sistemet e prekura nga stresi dhe të rrisë rezistencën e organizmit ndaj stresit, rraskapitjes dhe dobësisë. Këtë e bën përmes normalizimit të sintezës së kortizolit.

Ekzistojnë studime të shumta klinike që kanë treguar efektivitetin, tolerancën e mirë dhe sigurinë e këtij ekstrakti. Gjatë trajtimit terapeutik prej 4 javësh, u tregua një përmirësim klinik i rëndësishëm i aftësisë mendore, performancës së punës, përqendrimit dhe reduktimit të ankthit të moderuar.

Duke pasur parasysh se stresi është shoqëruesi ynë i përjetshëm, është e nevojshme të bëjmë një kombinim të mirë të “terapisë” si një mënyrë e përhershme për ta kontrolluar atë duke ndryshuar zakonet e jetës dhe duke përdorur trajtim farmakologjik nëse është e nevojshme, për të shmangur ndikimin negativ të stresit në organizmin tonë.