Siç perëndon dielli, ju rritet edhe oreksi? Hulumtimet tregojnë se vaktet e vona nuk janë një ide e mirë!
Nuk ka gjë më të shijshme se një gotë akullore ose disa patatina pas mesnate, a jeni dakord? Se sa e shëndetshme është kjo, është tjetër gjë. Hulumtimet nga Universiteti i Pensilvanisë zbulojnë një lajm jo shumë të ri – nëse doni të ruani një peshë trupore të shëndetshme, të mos ndiheni të fryrë dhe të ruani nivelet normale të kolesterolit dhe sheqerit në gjak, duhet të hiqni dorë nga të rrëmuarit e frigoriferit gjatë orëve të vona të natës.
Për një periudhe prej 8 javësh, studiuesit angazhuan një grup të rriturish për të ngrënë tre vakte dhe dy meze midis orës 8 të mëngjesit dhe 7 pasdite (faza e të ngrënit ditor). Për 8 javët e ardhshme, të njëjtët subjekte hëngrën të njëjtat vakte, por këtë herë pak më vonë gjatë ditës, midis pasdites dhe orës 23:00 (faza e të ngrënit të vonuar).
Sasia e kalorive të konsumuara, aktiviteti fizik, madje edhe koha e kaluar duke fjetur gjatë natës u kontrolluan dhe mbetën të njëjta. Asnjë variabël tjetër nuk ka ndryshuar, përveç periudhës së ngrënies gjatë ditës. Çfarë ndodhi?
Rezultatet treguan se kur subjektet i përmbaheshin regjimit të fazës së vonuar të të ngrënit, jo vetëm që shtuan në peshë, por u rritën edhe nivelet e kolesterolit, triglicerideve (rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës) dhe glukozës (shënues i rrezikut nga diabetit).
Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se gjatë fazës së të ngrënit ditor, disa hormone si grelina (hormoni i urisë) dhe leptina (hormoni që vendos homeostazën e energjisë) priren të reagojnë më herët ose më vonë se zakonisht, gjë që tregon se vaktet e hershme kanë tendencë të bëjnë që të ndiheni më të ngopur për një periudhë më të gjatë.
Por, të jemi real, vaktet e hershme nuk funksionojnë për të gjithë. Për disa njerëz, darka është koha më e pranueshme për një vakt të bollshëm, ndërsa për të tjerët, përgjegjësitë e ditës diktojnë që vakti më i bollshëm të jetë në orën 15:00.
Një studim tjetër tregon se subjektet të cilët vaktin e tyre kryesor e hanë në kohën e drekës (midis orës 12:00 dhe 14:00) mund të humbin më shumë peshë sesa ata që hanë pas orës 15:00.
Tendencat e të ushqyerit ndryshojnë më shpejt se ato të modës, por një gjë është e sigurt, çdo ndjekje obsesive e rregullave rezulton me krijimin e një raporti jo të shëndetshëm me ushqimin. Sapo të zbutet ky raport, shëndeti është i pari që goditet dhe kilogramët kthehen si bumerang.
Rezervimi i vonë për darkë dhe një hamburger i shijshëm që keni marrë gjatë rrugës për në shtëpi, nuk janë një sabotim total i një jave të ngrënies së disiplinuar të sallatave dhe ushqimit të shëndetshëm. Gjëja më e rëndësishme është të përpiqeni që mëkatet e tilla të jenë përjashtim, jo zakon dhe do të mbeteni të sigurt.
MEZET E LEJUARA PËR ZOGJTË E NATËS
25 g fjolla tërshëre me 200 ml qumësht pa yndyrë.
Profili ushqyes: 153 kalori, 10 g proteina, 25 g karbohidrate.
30 g proteinë hirre të tretur në 250 ml qumësht bajamesh.
Profili ushqyes: 141 kalori, 20 g proteina, 2 g karbohidrate.
100 g kos grek pa yndyrë dhe 100 g fruta pylli.
Profili ushqyes: 100 kalori, 10 g proteina, 9 g karbohidrate.