Dinamika tradicionale në marrëdhënien prind-fëmijë po ripërcaktohet vazhdimisht. Pyesni edhe veten, shumë nga rregullat që kanë vlejtur për ju, sot si prindër nuk i impononi?! Në filozofinë moderne të prindërimit, dominon ideja që prindërit duhet të jenë miq me fëmijët e tyre. A sjell të mira apo kjo qasje kërcënon kufijtë e nevojshëm për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve?
PRO miqësisë!
Kur fëmijët i shohin prindërit e tyre si miq, ata mund të ndihen më rehat për të ndarë mendimet, frikën dhe përvojat e tyre pa u frikësuar nga gjykimi ose ndëshkimi. Kjo çiltërsi mund të forcojë marrëdhënien dhe t’i ndihmojë prindërit që në mënyrë më efektive t’i udhëheqin fëmijët e tyre gjatë jetës.
Komunikim i përmirësuar
Gjasat janë më të mëdha që fëmijët të flasin për çështje të ndjeshme, të tilla si shëndeti mendor, ngacmimet nga bashkëmoshatarët ose vështirësitë e zotërimit të materialit mësimor, nëse i perceptojnë prindërit e tyre si aleatë dhe jo si figura autoritare. Ky dialog i hapur mund të çojë në mbështetje dhe ndërhyrje në kohë.
Mbështetje emocionale
Një marrëdhënie e bazuar në miqësi u mundëson prindërve që më lehtë të ofrojnë rehati dhe siguri. Fëmijët janë vazhdimisht në kërkim të afirmimit dhe vërtetimit, kurse prindërit që mund ta ofrojnë këtë në mënyrë miqësore, mund të ndikojnë pozitivisht në vetëvlerësimin dhe mirëqenien emocionale të fëmijës së tyre.
Respekt i ndërsjellë
Kur prindërit dhe fëmijët lidhen me njëri-tjetrin si miq, kjo mund të nxisë një ndjenjë respekti të ndërsjellë. Fëmijët mësojnë të vlerësojnë këndvështrimet dhe këshillat e prindërve të tyre, jo nga detyrimi, por nga respekti dhe besimi i vërtetë.
KUNDËR miqësisë!
Pavarësisht përfitimeve të mundshme, psikologët e familjes pohojnë se të qenit shumë miqësor me fëmijët mund të rrëzojë autoritetin të cilin prindërit duhet ta sigurojnë. Kufijtë e shëndetshëm kanë rëndësi themelore që fëmijët të fitojnë përgjegjësi dhe respekt ndaj prindërve të tyre.
Disiplinë dhe autoritet
Prindërit kanë përgjegjësinë për të zbatuar rregullat dhe për të vendosur kufij. Miqësia që nuk ka një kufi të qartë midis prindit dhe fëmijës mund të rrezikojë disiplinën, kështu që fëmija mund të mos e marrë seriozisht autoritetin e prindit. Fëmijëve u pëlqen të testojnë prindërit e tyre dhe të tejkalojnë kufijtë, por imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të ekzistonin ato?!
Ngatërrimi i roleve
Fëmijët kanë nevojë që prindërit e tyre të jenë modele dhe autoritete. Nëse prindi përpiqet të marrë rolin e një bashkëmoshatari, kjo mund të ngatërrojë të kuptuarit e fëmijës për këto role, duke çuar potencialisht deri në paraqitjen e problemeve lidhur me respektimin e formave të tjera të autoritetit, duke filluar nga mësuesit e deri te organet për zbatimin e ligjit.
Siguri dhe stabilitet
Një prind i fortë dhe autoritar, qoftë edhe vetëm një, u jep fëmijëve një ndjenjë sigurie. Fëmijët duhet të dinë se prindërit e tyre kanë kontroll dhe janë të aftë të marrin vendime që do të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Vija e paqartë midis miqësisë dhe prindërimit mund të komprometojë ndjenjën e stabilitetit.
Ku është balanca?
Me strategjitë e duhura, çdo prind mund të jetë në të njëjtën kohë mik dhe autoritet për fëmijën e tij!
- Inkurajoni biseda të sinqerta dhe të hapura, dëgjoni në mënyrë aktive dhe empatike.
- Vendosni rregulla dhe pasoja për t’u siguruar që fëmijët të kuptojnë kufijtë.
- Përmes shembujve, tregoni vlerat dhe sjelljet që dëshironi të ngulitni tek ata.
- Kaloni kohë së bashku në aktivitete që ju dhe fëmija juaj i pëlqeni.
- Ndërsa rriten, respektoni individualitetin e tyre dhe inkurajoni pavarësinë.