Shfaqet nën ndikimin e lajmeve të tmerrshme që krijojnë panik publik
A ju ka ndodhur të hyni në sallën e një kinemaje në katin e 5-të të një qendre tregtare të madhe dhe të mendoni se çfarë nëse tani, pikërisht në këtë moment, toka të dridhej fort? Të gjithë këta njerëz do të kenë një panik të madh dhe do të turren nga dera. Ose nëse dikush nga audienca e qetë ngrihet dhe fillon të qëllojë njerëzit? Vetë mendimi të jep të dridhura, apo jo? Në minutën tjetër jeni mirënjohës që jeni larg të gjitha atyre historive tronditëse që dëgjoni në lajme. Por, për një pjesë të popullsisë ky mendim është një obsesion, një frikë e vazhdueshme që pengon rrjedhën normale të jetës dhe që shkakton lodhje të madhe.
Epidemi, luftëra, sulme terroriste, vrasje masive të nxitura nga njerëz të thjeshtë, madje edhe të mitur, të gjitha këto ngjarje fatkeqe nxisin panik publik edhe në shoqëritë që janë me mijëra kilometra larg vendit të krimit. Kush është fajtor për këtë? Mediat, por akoma më shumë disponueshmëria në internet e informacioneve dhe pamjeve që nuk janë as etike dhe as të shëndetshme për t’u publikuar.
Në dekadën e fundit, udhëtimet turistike, koncertet, garat sportive, pazaret e Krishtlindjeve dhe ngjarje të tjera të gëzueshme, përveç argëtimit, shoqërimit, kënaqësisë, janë shndërruar në një sinonim për sulm masiv. Dhe në përpjesëtim të drejtë me numrin e sulmeve, lëviz edhe numri i njerëzve që jetojnë në frikë.
Të shtënat masive përkufizohen si të shtëna në të cilën janë plagosur ose vrarë 4 ose më shumë persona në një ngjarje të vetme. Ne jemi dëshmitarë të kësaj praktike pothuajse çdo të dytin muaj të vitit.
Mediat vazhdimisht na bombardojnë me tragjedi të tmerrshme që ndodhin në vende publike si stadiume, klube nate, salla koncertesh, kisha, shkolla, aeroporte. Mesazhi i fshehtë? Asnjë vend nuk është i sigurt! Tani me siguri po e pyesni veten se çfarë lidhje ka e gjithë kjo me ju? Nëse përgjigja është: “Asnjë!”, atëherë gjithçka është në rregull me ju. Në të gjitha rastet e tjera, ju jeni viktimë e ekspozimit të vazhdueshëm mediatik ndaj informacioneve negative që ziejnë në tru duke krijuar një ndjenjë të pakëndshme me pasoja të rënda.
Sipas një sondazhi, 40% e amerikanëve shqetësohen se ata ose një anëtar i familjes do të vritet nga të shtënat masive. 4 nga 10 persona shmangin ngjarjet e mëdha publike, kurse më të frikësuar janë të rinjtë e moshës 18 deri në 34 vjeç. Kjo lloj frike është padyshim e shpërndarë edhe në Ballkan, por për të heshtet.
Ekspertët thonë se receptorët kryesorë të frikës të cilët gjenden në tru dhe të cilët janë zhvilluar në të kaluarën për shkak të takimeve të shpeshta mes njerëzve dhe kafshëve të egra, nën ndikimin e lajmeve digjitale nuk janë përshtatur mjaftueshëm për të reaguar dhe përballur me situatën.
Pikërisht për këtë ndodh e ashtuquajtura trauma sekondare. Shumë njerëz, kur shohin ose dëgjojnë për ndonjë ngjarje të tmerrshme që ka ndodhur në botë, përjetojnë stres fiziologjik si përgjigje për atë lajm. Trauma sekondare është pikërisht ajo – përjetimi i ndjenjave të përshkruara nga një person që ka përjetuar një lloj traume psikologjike ose fizike.
Simptomat e traumës sekondare janë të ngjashme me ato të çrregullimit të stresit post-traumatik (pagjumësi, depresion, sulme ankthi, ndjenja negative) dhe më së shpeshti përjetohen nga njerëzit që punojnë në institucionet e kujdesit shëndetësor, punonjësit socialë dhe fëmijët e familjeve me probleme.
Trauma sekondare ekziston dhe ndodh pasi shihet ose dëgjohet një ngjarje e tmerrshme dhe manifestohet me stres fiziologjik dhe psikologjik. Ekspozimi i shpeshtë ndaj traumës sekondare na bën të jetojmë me shpinën vazhdimisht të rrëqethur, si mace të trembura, gati për të ndezur alarmin e kuq në çdo moment, duke rezultuar në ankth dhe depresion, skllavërim ndaj frikës dhe duke kufizuar shumë nga kënaqësitë e rinisë: koncerti i grupit të preferuar, ndeshje e ekipit të preferuar, e kështu me radhë. Pra, në vend që të kënaqeni, do të skanoni turmën përreth duke kërkuar persona të dyshimtë, snajperë ose kamikaze.
Zemra ju rreh fort dhe merrni frymë me vështirësi kur jeni në një turmë? Çdo trokitje e papritur apo e qeshur me zë të lartë në veshët tuaj kthehet në një tingull paralajmërues? Nuk rrini kurrë deri në fund të koncertit, nëse merrni guximin edhe për t’u shfaqur aty? Sipas Pem Ramsden, psikologe në Universitetin e Bradford, Angli, këto simptoma tregojnë çrregullime të deleguara të stresit post-traumatik. Hulumtimi i saj tregon se mesatarisht 18% e njerëzve që kanë parë imazhe të sulmeve, kamikazëve, të shtënave masive ose sulmeve terroriste, shfaqin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik që rezultojnë me depresion, pagjumësi dhe keqpërdorim të ilaçeve.
Një studim tjetër tregon se një grup njerëzish që u ekspozuan më shumë se 6 orë ndaj historive mediatike rreth bombardimeve në Maratonën e Bostonit, përjetuan shumë më tepër stres sesa njerëzit që ishin në vendngjarje ose njihnin dikë që ishte aty. Ky është informacion i mirë për ata që e kanë zakon të shikojnë dokumentarë për vrasje masive.
Ne jemi të predispozuar të fiksojmë ngjarjet stresuese, sepse në këtë mënyrë paraardhësit tanë e mbronin veten. Por, ky fiksim e shqetëson trurin. Gjendja e gatishmërisë së lartë të trurit për rrezik mund të jetë e mirë nëse jeni në një situatë për të shpëtuar kokën nga grabitqarët në natyrë, por është e keqe kur bëhet një gjendje e përhershme mendore.
“Zbuluam se njerëzit që lexojnë lajme negative, sekretojnë më shumë hormonin e stresit, kortizol”, thotë Sonja Lupien, doktore shkencash dhe drejtoreshë e “Qendrës për kërkime mbi stresin njerëzor” në Montreal. Nivelet e larta të kortizolit lidhen lehtësisht me depresionin dhe dinë të jenë shkaktarë të një sërë problemesh të tjera shëndetësore.
Edhe pse të rinjtë janë të vetëdijshëm se gjasat për të vdekur në një incident të tillë janë të vogla, frika e mposht mendjen e shëndoshë kur dita fillon me lajme të këqija që në mëngjes. Kështu, truri fillon të luftojë për të llogaritur njohurinë se gjërat e përditshme që bëjmë janë shumë më të rrezikshme se ngjarjet teatrale për të cilat lexojmë në internet.
Megjithatë, është e mundur të jetosh me frikën, por pa e kontrolluar ajo funksionimin e përditshëm. Hapi i parë është të kujdesemi për veten pasi të kemi përjetuar një traumë sekondare. Flisni me veten se asgjë e keqe nuk do t’ju ndodhë. Nëse nuk e ngushëlloni veten, truri nuk do të ketë mundësinë të rivendoset nga kërcënimi fillestar. Nëse ndiheni të shqetësuar pasi keni dëgjuar lajme të këqija, bëni diçka që ju qetëson gjithmonë: bisedoni me një të afërm, lëshoni një film, bëni një shëtitje. Në vend që të mërziteni me detajet e një lajmi, kërkoni në Google të dhëna statistikore për të qetësuar trurin tuaj se ngjarja është një në një milion. Njohuria do t’ju vendosë në një pozicion fuqie dhe është vërtetuar shkencërisht se kjo ju bën të ndiheni më të sigurt. Si mjet i fundit, nëse frika zë një vend dominues në jetën tuaj të përditshme, kërkoni ndihmë profesionale.
Edhe nëse ndodh diçka e keqe, e çfarëdo përmase, mos i rezistoni turmës (shtytja nuk do t’ju ndihmojë, kurse vrapimi në drejtim të kundërt akoma më pak), lini celularin dhe harroni filmimin (jeta juaj është shumë më e rëndësishme ). Ekspertët thonë se në tru ne kemi një makineri të tërë e cila në nënvetëdije gjuan edhe shenjat më të vogla të kërcënimit. I njëjti sistem, shpesh na jep shenja paralajmëruese, por vështirë se dikush i beson ato. Ky është në fakt instinkti i mbijetesës të cilin e kemi pasur gjithmonë, por kemi zgjedhur ta heshtim.
Mos harroni: Vetëm për shkak se bota është një vend i frikshëm, nuk do të thotë që duhet të jetoni me frikë.