USHQIM NGJYRË VJOLLCE

USHQIM NGJYRË VJOLLCE

I bukur për syrin, ushqyes për trupin

Në botën shumëngjyrëshe të frutave dhe perimeve, ushqimet ngjyrë vjollce shpesh shquhen si mbresëlënës në pamje, por edhe ushqyes. Nga lakra vjollcë te boronicat e pasura dhe manaferrat ekzotike akai, këto ushqime përmbajnë përfitime të fuqishme shëndetësore. Por, çfarë e bën ushqimin vjollcë kaq të veçantë?

Robert Ortiz, shefi i kuzhinës në restorantin peruan Lima (Londër Qendrore) u shërben mysafirëve të tij Chica Sours – një koktej i kuq i errët, i pasur me antocianinë, i bërë nga misri vjollcë (chicha morada) i cili në vendlindjen e tij Peru është konsideruar për shekuj me radhë si një pije jashtëzakonisht e shëndetshme.

“Njerëzit në Peru besojnë se një koktej i tillë në ditë është i nevojshëm për presionin e gjakut”, thotë Ortiz. “Kontrollon oreksin dhe përmban një përqindje të lartë të antioksidantëve”.
Sot, ky kuzhinier e ka edhe shkencën në anën e tij për të vërtetuar atë që peruanët kanë pretenduar prej vitesh: antocianinat, përbërësit që u japin ushqimeve ngjyrat e tyre të gjalla – të kuqe, të kaltër dhe vjollcë, janë dhurata e natyrës për shëndetin e përgjithshëm të njerëzve.

ZEMËR E LUMTUR

Studimet tregojnë se antocianinat kanë një rol mbrojtës kundër diabetit të tipit 2, demencës dhe presionit të lartë të gjakut. Kjo është për shkak të përbërësve anti-inflamatorë të çliruar nga antocianinat, të cilat i mbajnë enët e gjakut të shëndetshme. Profesoresha Aedin Kasidi, një studiuese ushqimore në Universitetin “East Anglia’s Norwich Medical School“, ka vërtetuar se antocianinat mund të zvogëlojnë rrezikun e sulmit në zemër për 32%.

Në studimin i cili zgjati plot 24 vite, ajo bashkë me kolegët nga Harvardi krahasuan të dhënat për 93,600 gra midis moshës 25 dhe 42 vjeç dhe arritën në përfundimin se ato që konsumonin tre ose më shumë vakte në javë që përfshinin boronica dhe luleshtrydhe, reduktuan ndjeshëm rrezikun e sulmit.
“Antocianinat rrisin nivelin e oksidit të azotit, i cili ruan fleksibilitetin e enëve të gjakut, duke ndikuar kështu në mënyrë indirekte në qarkullimin e gjakut”, shpjegon profesoresha Kasidi.

FIGURË E HOLLË

Profesoresha Kasidi publikoi rezultatet e projektit 24-vjeçar në të cilin u vëzhguan 124,000 njerëz. Sipas konkluzioneve, ata që konsumonin vetëm disa racione antocianina në javë, arritën ta mbajnë, madje edhe ta zvogëlojnë peshën në krahasim me ata që bënin të njëjtën gjë vetëm një herë në muaj ose më pak, duke marrë parasysh edhe faktorë të tillë si dieta dhe niveli i aktivitetit.

“Provat që antocianinat ndikojnë në presionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit janë në rritje, por deri më tani, shumë pak dihej për efektin e tyre ndaj peshës”, thotë profesoresha. Është shumë e vështirë të zbulohet efekti i përbërësve, kështu që nuk është ende e qartë nëse antocianinat ndikojnë te oreksi apo thjesht alarmojnë bakteret në stomak. Por, gjithçka që është zbuluar funksionon: konsumimi i vetëm 10 miligramë antocianina zvogëlon 7-100 kilogramë që do të fitoheshin në një periudhë 4-vjeçare. Një racion me boronica përmban 121 miligramë antocianina, 11 herë më shumë në raport me sasinë e kërkimeve. Kjo do të thotë që duhet t’i konsumoni pa kufi! Profesoresha Kasidi dhe ekipi i saj aktualisht po përpiqen të përcaktojnë nivelin optimal që do të çonte në uljen e peshës.

Qëllimi i tyre nuk është të sjellin një dietë të re me të cilën do të fiksohen njerëzit në mbarë botën, por t’i inkurajojnë ata të marrin të paktën një racion ngjyrë vjollce në ditë, pavarësisht nga regjimi. “Kjo nuk është një pilulë magjike, nëse hani shumë boronica në të njëjtën kohë dhe nuk hiqni dorë nga ëmbëlsirat, nuk do ta neutralizoni sheqerin”, paralajmëron ajo.
“Nga ana tjetër, duhet të keni parasysh sheqerin natyral”, paralajmëron dietologu Sian Porter nga Shoqata Britanike e Dietologjisë. Kumbullat e e zeza ndoshta jo aq shumë, por përmbajtja e sheqerit te rrushi i zi nuk duhet nënvlerësuar.

Ju mund të ulni indeksin glicemik nëpërmjet antocianinave te perimet si patëllxhani, brokoli vjollcë dhe lakra vjollcë. Por, ka disa rregulla që duhet të ndiqni kur gatuani ushqim ngjyrë vjollce. Më e rëndësishmja, mos i qëroni perimet – antocianinat përgjithësisht janë të pranishme në lëkurë. Gjithashtu mos i zieni. Ashtu si vitamina C, këto lëndë ushqyese janë të tretshme në ujë.
Kur të vendosni brokolin vjollcë të ziejë, do të vini re se i gjithë uji do të marrë ngjyrë. Kjo është një sasi e madhe e humbur e antocianinave. Gatimi në avull ose pjekja është një alternativë më e mirë. Nëse është e nevojshme t’i zieni, bëni atë në sasi sa më të vogël uji dhe në fund ruani për salcën. Kur blini perime ngjyrë vjollce, zgjidhni ato që janë më të errëta, më të pasura dhe shumëngjyrëshe. Ngjyra është treguesi më i mirë gjatë zgjedhjes.

SHIKIM I MPREHTË

Antocianinat ndihmojnë në mbrojtjen e syve nga dëmtimi oksidativ i shkaktuar nga radikalet e lira dhe mund të përmirësojnë shikimin me ndihmën e qarkullimit të gjakut në retinë. Konsumimi i rregullt i ushqimeve vjollcë, si manaferrat dhe boronicat, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të degjenerimit makular dhe kataraktit të lidhur me moshën.

PËRQENDRIMI I TRURIT

Hulumtimet sugjerojnë se antioksidantët në ushqimet vjollcë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit dhe në përmirësimin e kujtesës dhe funksionit njohës. Është zbuluar se antocianinat përmirësojnë komunikimin midis qelizave të trurit dhe mbrojnë nga gjendjet neurodegjenerative.

ALARMI VJOLLCË

Mos u mashtroni nga panxhari i kuq. Edhe pse është i pasur me një sërë lëndësh të tjera ushqyese, ngjyra e tij nuk është për shkak të antocianinave.