Ekziston një teori ushqimore e cila thotë se të ushqyerit e shëndetshëm është një sinergji e të paktën dy përbërësve që plotësojnë njëri-tjetrin për t’i dhënë organizmit një dozë shëndeti. Ose me fjalë të tjera, për të marrë më të mirën nga ushqimet që hani, duhet të mësoni se si t’i kombinoni ata.
Mish me erëza të jeshile
Hulumtimet në një universitet japonez zbuluan se përbërësit që shkaktojnë sëmundjet e kancerit përgjysmohen gjatë konsumimit të 70 g majdanoz me 150 g salmon të skuqur. Një studim tjetër i thekson vetitë e ngjashme të rozmarinës kur konsumohet me mishin e pjekur në skarë. Mishi i skuqur dhe i pjekur përmban përbërës të cilët mund të prodhojnë komponentë kancerogjenë. Fitokimikatet në majdanoz dhe erëzat e tjera jeshile kanë aftësinë të neutralizojnë këta komponentë toksikë dhe të mbrojnë qelizat nga shkatërrimi, por gjithashtu marrin pjesë edhe në zbërthimin e tyre në përbërës jo toksikë.
Karota me avokado
Perimet ngjyrë portokalli janë shumë më tepër sesa thjesht një shtojcë anësore që duhet të sjellë freski dhe ngjyrë në pjatë. Për të marrë më të mirën nga karotat, hani ato të shoqëruara me avokado. Sipas hulumtimeve nga “Universiteti shtetëror i Ohajos”, SHBA, një kombinim i tillë rrit përthithjen e komponentëve beta-karoten dhe rolin e tyre në formën aktive të vitaminës A – e nevojshme për shëndetin e lëkurës, kockave dhe syve. Hulumtimi krahasoi ndikimin e një vakti të përgatitur ekskluzivisht nga karotat e pagatuara dhe të njëjtin vakt të kombinuar me avokado. Rezultatet tregojnë një rol të rëndësishëm në aktivizimin e pjesëve joaktive të vitaminës A në organizëm, si dhe rritjen e përthithjes së beta-karotenit (një antioksidant që mbron qelizat nga radikalet e lira) për gjashtë herë më shumë. Përveç kësaj, ky kombinim katërfishon marrjen e alfa-karotenit, i cili lidhet me jetëgjatësinë.
Fruta të thata arrore dhe futa pylli
Hulumtimet e fundit të publikuara në “Annal Of Internal Medicine“ tregojnë se kolesteroli i lartë në vitet 20-të dhe 30-të rrit rrezikun e sëmundjes së arterieve koronare me 44%. Sëmundja e arterieve koronare shkakton atak në zemër dhe është një bllokim i arterieve koronare (përgjegjëse për ushqimin e muskujve të zemrës me oksigjen dhe lëndë ushqyese) me depozita të kolesterolit. Me ndryshime të përshtatshme ushqimi, mund të vijë deri te reduktimi efektiv i nivelit të kolesterolit. Zgjedhja e parë e ushqimit për mbrojtjen e zemrës? Fruta të thata arrore dhe fruta pylli! Ato përmbajnë përbërës plotësues – yndyrat e pangopura te arrorrët ulin kolesterolin në kombinim me flavonoidet nga frutat e pyllit që kanë të njëjtin funksion ndaj kolesterolit. Në këtë kombinim ka akoma më shumë magji! Hulumtimi i publikuar në “American Journal of Nutrition” zbulon se sinergjia mes këtyre lëndëve ushqyese ka super efekte ndaj shëndetit të funksioneve të trurit. Kombinim i shkëlqyeshëm për një meze të shpejtë në lëvizje!
Lakër e egër me limon
Nëse e keni zakon të hani lakër të egër, shtoni pak limon të freskët të shtrydhur për të forcuar shijen, por edhe profilin ushqyes. Kombinimi i përbërësve të pasur me vitaminë C (si agrumet) dhe përbërësve të pasur me hekur (si perimet me gjethe jeshile të errët) rritet aftësia e trupit për të ruajtur hekurin. Vitamina C e bën hekurin më të disponueshëm për proceset e tjera në organizëm. Hekuri është përgjegjës për krijimin e qelizave të kuqe të gjakut të cilat, nga ana tjetër, transportojnë oksigjen në të gjithë trupin duke krijuar energji. Ndër të tjera, mungesa e hekurit në gjak mund të shkaktojë lodhje, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje.