Dragana Mlladenovska

Dragana Mlladenovska

E guximshme për ndryshim, e uritur për sukses

Dragana Mlladenovska është një trajnere e shquar e fitnesit, e cila pasionin e saj për aktivitetin fizik e shndërroi në një karrierë të suksesshme dhe të përmbushur. Rrugëtimin e saj të fitnesit e ka filluar që në moshë të re, por fillimisht ka zgjedhur farmacinë si profesion. Pas përfundimit të Fakultetit të Farmacisë me rezultate të shkëlqyera, Dragana megjithatë ndoqi pasionin e saj dhe në moshën 25 vjeçare merr një vendim të guximshëm për ta ndryshuar karrierën. Sot, ajo nuk është vetëm një trajnere e suksesshme, por edhe pronare e FitLife, një platformë që promovon një mënyrë jetese të shëndetshme dhe aktive. Ky vendim i mundësoi asaj të shijojë përditshmërinë dhe të balancojë përgjegjësitë familjare me karrierën e saj, duke frymëzuar shumicën që guximi dhe disiplina të çojnë drejt suksesit.

Si e nisët udhëtimin tuaj të fitnesit dhe a keni ëndërruar ndonjëherë se do të arrinit deri këtu?

Gjithçka filloi shumë kohë më parë dhe shumë spontanisht… Fillova të stërvitem në moshën 13-14 vjeç, por fillova ta dua aq shumë aktivitetin dhe e gjeta lumturinë në të, sa që nuk kisha arsye për të mos ushtruar, por përkundrazi kërkoja vazhdimisht një mënyrë. Si fëmijë, kur mendoja për karrierë, nuk e kisha parë kurrë veten në këtë që jam sot. Sinqerisht, e kam parë veten si një farmaciste të suksesshme dhe për këtë arsye u regjistrova në Fakultetin e Farmacisë. Përfundova në kohë rekord me një mesatare të lartë dhe isha një nga më të mirat e gjeneratës, prandaj askush nga të afërmit nuk priste që unë të bëja një kthesë të tillë në karrierë. Por, 18 vjeç është shumë herët për të marrë një vendim se çfarë duam të bëhemi në jetë.
Në rastin tim mbizotëroi hobi, por më e rëndësishmja, unë e lejova që të notonte më lart. Puna është një e treta e jetës sonë dhe është shumë e rëndësishme ta shijojmë atë. Kur e mora vendimin për ndryshim, në moshën 25 vjeçare, hasa në paragjykime dhe mosbesim për hapin që po ndërmerrja sepse dhashë dorëheqjen nga një punë e sigurt, e punësuar si farmaciste në një kompani të njohur. Por, kur kthehem pas, është vendimi MË I MIRË që kam marrë dhe sot po jetoj ëndrrën time, e shijoj çdo ditë, punën e kam dashuri dhe më përmbush plotësisht.

Të zgjohesh çdo mëngjes i emocionuar dhe të kesh dëshirë për të bërë gjithnjë e më shumë në punë, është shenjë që tregon se sa shumë e do atë që e bën. Jam e lumtur dhe krenare që kam arritur në këtë pikë, por këtu jam sepse pata guximin të bëja një hap dhe të merrja rrezikun në duart e mia. Gjatë viteve të kaluara kam punuar shumë, si profesionalisht ashtu edhe privatisht, sepse nuk mund të ndash biznesin, karrierën dhe familjen. Jam munduar të balancoj për të arritur deri në një pikë më të qëndrueshme, por aty mund të arrish vetëm me punë dhe organizim të mirë. Nga viti 2018 e deri më tani kam bërë shumë, kam arritur të rris biznesin dhe marka ime të bëhet e njohur në vend, kam kryer studimet master shtesë për dietologji dhe terapi diete, por më e rëndësishmja u bëra nënë dhe linda dy vajza të mrekullueshme.

Me çfarë sfidash po përballeni si trajnere fitnesi?

Sinqerisht, nuk jam përballur me sfida për shkak të faktit se jam trajnere femër, por as nuk kam lejuar që të përballem. Në përgjithësi, unë punoj vetëm me femra, edhe pse asnjëherë nuk ia kemi ndaluar asnjë mashkulli që të vijë në stërvitje. Por, në vendin tonë ekziston pikëpamja se pilatesi nuk është për meshkujt, gjë që është krejt e kundërta. Pilates është një metodë e krijuar nga burrat, dhe sportistët më të mirë në botë praktikojnë pilates për të përmirësuar funksionalitetin, fleksibilitetin dhe lëvizshmërinë e trupit.

Por, është një temë e gjerë. Sfida ime më e madhe në punë është balancimi mes punës dhe familjes. Kjo është më e vështira për mua, sepse me dy fëmijë të vegjël dhe pa ndihmën e gjyshërve është shumë e vështirë. Mbështetja më e madhe për të gjitha sfidat është bashkëshorti im. Mendoj se ai është një nga “fajtorët” më të mëdhenj për të gjithë kufijtë që kam zhvendosur.

Si e motivoni veten në punë? A e perceptoni si dështim personal tërheqjen e dikujt nga grupi?

Mua më motivon më shumë përmbushja e detyrave të vogla. Unë zgjohem çdo ditë me një listë detyrash që duhet të kryhen gjatë asaj ditë. Nuk ka kënaqësi më të madhe shpirtërore, sesa të shoh në fund të ditës gjithë listën të gjelbër dhe të përfunduar. Dhe mendoj se pikërisht kjo është arsyeja pse kam arritur sukses të madh profesional, sepse nuk i anashkaloj gjërat e vogla që na çojnë drejt majës. Çdo ditë është një hap përpara drejt qëllimit për çdo gjë në jetë, ndoshta hapi do të jetë i vogël, por kur ecni përpara, suksesi është i pashmangshëm. Në të njëjtën mënyrë i motivoj edhe pjesëtarët e grupit dhe në çdo seancë stërvitore u kujtoj atyre se çdo përparim i vogël i çon ata drejt një versioni më të mirë të vetes. Ndoshta jo çdo ditë është më e mira për të ushtruar, sepse ndikojnë shumë gjëra, sidomos ne femrave: gjumi, stresi, përgjegjësitë, periudha e ciklit mujor…por është më mirë të bëj 50% të stërvitjes ose të realizoj ushtrimet më të lehta, sesa ta justifikoj veten se nuk do të stërvitem.

Ndërkohë që ora po vazhdon, e flas këtë gjatë gjithë kohës dhe me fjalët e mia mendoj se i motivoj shumë. Në kuptimin e plotë të fjalës, nuk e mbyll gojën për 60 minuta, nga pozicionet e trupit, frymëmarrja…i kujtoj se të gjithë jemi njerëz dhe se edhe unë kam ditë kur nuk jam në formën time më të mirë. Kur dikush tërhiqet, shumë rrallë e marr personalisht sepse numri i personave që motivoj është i madh, kam femra që punojnë me mua për më shumë se 10 vite, që nga koha kur kam punuar si trajnere në një studio tjetër, dhe kjo për mua është provë që motivoj mjaftueshëm. Ne si trajnerë duhet të japim motivimin fillestar, por megjithatë secili duhet të ketë këmbënguljen dhe disiplinën e tij dhe të përpiqet të gjejë motivimin e brendshëm që do t’i shtyjë përpara.

fitlife

Në çfarë mënyre arrini të qëndroni në hap me tendencat e fitnesit dhe zbulimet e reja?

Në ditët e sotme është shumë e lehtë për të marrë informacion me disponueshmërinë e internetit. Unë mendoj se aftësia më e madhe është të dallojmë se cilat informacione janë të rëndësishme dhe mbi cilat informacione mund të bazohemi për të pasuruar njohuritë tona. Arsimi universitar dhe gjithçka që mësojmë në fakultet jo gjithmonë zbatohet realisht në punë, por padyshim që njohuritë akademike të ngrenë në një nivel më të lartë, në mënyrë që të dini se ku të kërkoni informacionet përkatëse të cilat vazhdimisht do t’ju avancojnë profesionalisht. Kështu që, unë pasuroj njohuritë e mia nga literatura shkencore. Por, padyshim që edhe masteri në dietologji dhe terapi diete me ngriti në një nivel tjetër përsa i përket të ushqyerit dhe ndikimit të tij në shëndet, aq me tepër që paraprakisht kam kryer 5 vite edukim mjekësor ku kam marrë bazat e anatomisë, fiziologjisë dhe funksionimit të organizmit tonë. Gjithçka në të ardhmen është vetëm një përmirësim dhe plotësim i figurës me detaje të vogla.

Çfarë mesazhi apo këshille keni për ata të cilët dëshirojnë të bëhen trajnerë?

Edukim, përvojë, punë, durim dhe shumë dashuri… Shumë shpesh duam që gjërat të ndodhin brenda natës, por kjo është e pamundur. Për këdo që dëshiron të jetë superior në atë që bën, i rekomandoj që të mos ndalojë së mësuari dhe të përpiqet, por edhe të jetë i gatshëm të fitojë përvojë.

A ekziston rreziku i ndarjes joprofesionale të programeve të ushqimit dhe fitnesit? A keni konkurrencë të shëndetshme për të ecur përpara?

Ka shumë rrezik sepse në ditët e sotme askush nuk mund t’ju ndalojë të shpërndani çfarëdo lloj informacioni në rrjetet sociale, por kur bëhet fjalë për informacione lidhur me shëndetin, unë do t’i rekomandoja të gjithëve të jenë shumë të kujdesshëm dhe të dëgjojnë këshillat e njerëzve që kanë edukimin e duhur për atë që prezantojnë. Ka edhe konkurrencë të shëndoshë, por në vendin tonë realisht nuk ka shumë. Nëse flasim për progres, sinqerisht konkurrenca nuk më ndikon shumë. Unë frymëzimin për përparim e kërkoj gjithmonë brenda vetes.

Njerëzit fshihen pas justifikimeve të ndryshme që të mos ushtrojnë, por pak janë të sinqertë kur bëhet fjalë për një bllokim mendor – apo?

Mendoj se justifikimet si mungesa e kohës, financave, etj. janë vetëm arsyetime. Bllokimi mendor dhe vetë-motivimi janë zakonisht pengesat më të mëdha për të zhbllokuar kujdesin ndaj vetes dhe unë e shoh këtë gjatë gjithë kohës te klientët e mi, por edhe te njerëzit në rrethin tim të ngushtë. Qasja ime në një rast të tillë është që përmes edukimit të shpjegoj se sa i rëndësishëm është kujdesi që i kushtojmë trupit për cilësinë e jetës që jetojmë. Stërvitja dhe të ushqyerit e shëndetshëm janë shumë më tepër se një pamje e mirë fizike, është i vetmi mjet që përmirëson me sukses shëndetin mendor dhe fizik. Unë shumë shpesh, përmes të gjitha videove të mia që shpërndaj në rrjetet sociale, përpiqem të shpjegoj në mënyrë popullore proceset fiziologjike në trup dhe ndikimin e stilit të jetesës në to, me qëllimin e vetëm për të arritur në momentin që secili nga ne është përgjegjës për shëndetin e tij dhe secili, nëse dëshiron, mund të gjejë një mënyrë për të marrë më shumë nga jeta. “Cilësia e jetës” është një frazë shumë e fuqishme, të cilën nëse e kuptojmë thellësisht, do të gjejmë gjithmonë një mënyrë për t’u përmirësuar.

Dragana Fitlife

Qëllimi juaj është që klientët të arrijnë pamjen e dëshiruar, por a ju ka ndodhur ndonjëherë të ndërprisni një orë ushtrimesh sepse dikush ka nevojë për bisedë?

Synimi im nuk është aspak pamja fizike dhe gjithmonë theksoj se ajo që marrin nga ushtrimet është përmirësimi i shëndetit të përgjithshëm. Pamja e mirë fizike është vetëm një shpërblim që vjen si shtesë. Programet e mia kanë orientim holistik për të përmirësuar atë që përmenda më herët – cilësinë e jetës që përfshin në mënyrë të barabartë edhe shëndetin mendor, sepse stërvitja është një mjet themelor që mund të ndryshojë shumë rrjedhën e jetës dhe plakjes suaj. Shëndet më i mirë metabolik, menaxhim më i lehtë i stresit, gjumë më i mirë, ruajtja e një sistemi të shëndetshëm muskulo-skeletor, përmirësimi i ekuilibrit hormonal në trup, kështu që nëse shikojmë më thellë në të gjitha këto përfitime, është e qartë se e gjithë kjo është shumë më tepër se një pamje e mirë fizike. Stërvitja dhe kujdesi për veten e përmirësojnë shëndetin mendor dhe fleksibilitetin metabolik që padyshim kanë ndikim holistik në të gjithë trupin.

Cilat janë predispozitat që duhet të ketë një trajner fitnesi, përveç gjendjes së mirë fizike?

Ndjeshmëri dhe dhunti. Është tjetër gjë të jesh i arsimuar mirë dhe të njohësh punën, por është tërësisht tjetër gjë mënyra se si ia prezantoni klientëve. Për të qenë mësues duhet të dish të përcjellësh njohuri. Kur punoni me njerëz, duhet të keni ndjeshmëri dhe dhunti për t’u mundësuar të lidhen me ju. Komplimenti më i mirë që kam marrë nga një kliente, një grua që bën stërvitje online, ishte se i përcjell energji dhe motivim të tillë, qoftë edhe virtualisht, saqë nëse nuk stërvitet, ndjen se më ka zhgënjyer, kurse pas mbarimit merr energji dhe motivim me të cilin ditët e saj marrin një kuptim tjetër.

A keni kohë për veten tuaj dhe si e kaloni atë?

Kësaj pyetjeje e kam vërtet të vështirë t’i përgjigjem sepse në fakt kam shumë pak kohë për veten time. Dy fëmijë të vegjël, familja, biznesi dhe të gjitha përgjegjësitë që shoqërojnë pas, sinqerisht është shumë e vështirë t’i balancosh. Por, nga ana tjetër, mënyra se si punoj është që të gjithë stërvitjen e bëj me klientët e mi, kështu që ajo periudhë e ditës, edhe pse është punë, për mua është kohë për veten time. Unë e shijoj çdo stërvitje të realizuar, sepse me stërvitjen edhe unë i mbush bateritë dhe kthehem në shtëpi te fëmijët plot me energji pozitive.

Cilat janë disa nga praktikat apo ritualet tuaja të bukurisë?

Më pëlqen një masazh i mirë dhe është diçka që e praktikoj rregullisht. Masazhi më rigjeneron, më relakson, në atë kohë shkëputem plotësisht nga gjithçka që më rrethon dhe i lejoj vetes ta shijoj atë një orë kohë për veten time.