Heronj të rinj për kujtesën

Heronj të rinj për kujtesën

Bimët që mbështesin shëndetin e trurit

Një numër i madh i bimëve mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të trurit, bimë të tilla si borziloku, çaji jeshil, rozmarina, sherbela, të cilat me shumë mundësi i konsumoni në formë çaji. Por, mjekësia alternative zbulon çdo ditë potenciale të reja të bimëve më pak të njohura në natyrë, ndaj sot kemi heronj të rinj për ruajtjen e shëndetit të trurit.
Disa prej tyre janë studiuar për efektin që kanë ndaj sëmundjes Alzheimer, ndërsa të tjerat janë testuar për efektin e tyre të përgjithshëm ndaj njohjes, veçanërisht aktivitetin mendor ose procesin që lidhet me të menduarit, të kuptuarit, të mësuarit dhe të kujtesën.

Ginko Biloba

Ginko biloba është një ilaç i përdorur gjerësisht në mjekësinë tradicionale kineze. Supozohet se kjo bimë ndihmon në përmirësimin e funksionit njohës duke stimuluar qarkullimin dhe duke përmirësuar rrjedhjen e gjakut në tru.
Edhe pse hulumtimet japin rezultate të ndryshme, ekzistojnë prova se kjo bimë mund të përmirësojë funksionin njohës te njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit ose dëmtime të lehta njohëse.

Përmbledhja e hulumtimeve të botuara në “Journal of Alzheimer’s Disease” në vitin 2015 sugjeron se ekstrakti i ginko bilobas i quajtur EGb761 mund të jetë veçanërisht i dobishëm në ngadalësimin e dobësimit të funksionit njohës te pacientët të cilët përveç dëmtimit njohës dhe demencës kanë edhe simptoma neuropsikiatrike.
Në një studim të bërë për një periudhë prej 4 muaj trajtim me ginko bilboa ka treguar përmirësime të dukshme në funksionin njohës te të rriturit më të moshuar.

Ashuaganda

Ashuaganda është një bimë adaptogjene e cila ndihmon në reduktimin e stresit dhe ankthit, të cilat mund të kenë një efekt pozitiv në funksionin njohës. Gjithashtu, ka edhe veti antioksiduese që e mbrojnë trurin nga stresi oksidativ. Hulumtimet tregojnë se konsumimi i rregullt i ashuagandës mund të përmirësojë kujtesën dhe aftësinë e të mësuarit.
Një studim i vitit 2019 i bërë te 64 persona të rritur zbuloi se përdorimi i ashuagandës uli ndjeshëm ankthin dhe përmirësoi mirëqenien e përgjithshme brenda 60 ditëve.

Një studim tjetër zbuloi se pjesëmarrësit që konsumonin rregullisht ashuagandë kishin përmirësuar kujtesën dhe funksionin njohës për një periudhë prej 8 javëve.
Hulumtimet paraprake tregojnë se ashuaganda pengon formimin e pllakave beta-amiloide, shtresat e proteinave që formohen në tru dhe janë të lidhura me zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit dhe çrregullimeve të tjera neurodegjenerative.

Gotu Kola

Gotu kola është një bimë e cila përdoret në mjekësinë tradicionale për të përmirësuar qartësinë mendore dhe përqendrimin. Rezultatet e hulumtimeve ndaj kafshëve sugjerojnë se kjo bimë mund të ndihmojë trurin kundër stresit oksidativ. Në një studim paraprak të botuar në “Clinical and Experimental Pharmacology & Physiology” në vitin 2003, testet që u janë bërë minjve kanë treguar se gotu kola mund të pengojë stresin oksidativ të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit dhe të përmirësojë funksionin njohës.

Xhensen

Xhenseni është i njohur për vetitë e tij adaptogjene dhe aftësinë për të rritur energjinë dhe fokusin mendor. Studimet shkencore tregojnë se xhenseni mund të ndihmojë në përmirësimin e kujtesës dhe të mësuarit, gjithashtu ndihmon edhe në reduktimin e simptomave të stresit dhe lodhjes.

Bakopa

Bakopa është një bimë e cila njihet për aftësinë e saj në përmirësimin e kujtesës dhe funksionit njohës. Hulumtimet tregojnë se përdorimi i rregullt i bakopës mund të rezultojë me një përmirësim të dukshëm të kujtesës dhe gjithashtu mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të ankthit dhe stresit. Në një studim të bërë, pjesëmarrësit që konsumuan bakopa treguan përmirësime të konsiderueshme në testet e kujtesës gjatë 12 javëve. Bakopa përmban komponentë të quajtur bakoside të cilët, në rast të stresit oksidativ në tru, kryejnë rolin e neurotransmetuesve dhe parandalojnë pengesat në rrjedhën e informacionit.

Melisa

Melisa, e njohur edhe si balsami i limonit, përdoret për të reduktuar stresin dhe ankthin, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e përqendrimit dhe kujtesës. Hulumtimet shkencore tregojnë se melisa mund të ketë një efekt pozitiv në funksionet njohëse, veçanërisht në përmirësimin e kujtesës afatshkurtër.

Radiola

Radiola është një bimë adaptogjene e cila ndihmon në përmirësimin e energjisë dhe mprehtësisë mendore. Ka veti antioksiduese dhe mund të ndihmojë në reduktimin e stresit dhe lodhjes. Studimet tregojnë se radiola mund të bëjë përmirësime të konsiderueshme në funksionin njohës dhe kujtesën tek individët e ekspozuar ndaj stresit.