Shkaqet, simptomat dhe këshilla për frymëmarrje më të lehtë
Infeksionet, alergjitë dhe riniti joalergjik janë arsyet më të zakonshme për hundën tuaj të bllokuar, e cila çdo natë lufton për të marrë frymë. Infeksionet si Covid-i dhe ftohja e zakonshme shkaktohen nga viruse ose baktere; alergjitë më së shpeshti janë sezonale dhe lidhen me alergjenë të zakonshëm si poleni, pluhuri dhe zbokthi i kafshëve; kurse nga ana tjetër, riniti joalergjik shfaqet si reagim ndaj ndotjes dhe ndryshimeve të temperaturës.
Nëse po përballeni me simptoma të tilla si teshtitje, rrjedhje hundësh, kruajtje dhe lotim të syve, hunda juaj e bllokuar është ndoshta rezultat i alergjive ose rinitit joalergjik. Por, nëse keni sekrecion të trashë, me ngjyrë të verdhë ose të gjelbër, ka mundësi të jetë infeksion.
Çfarë e shkakton hundën e bllokuar?
Termi mjekësor për hundën e bllokuar është rinitit, që do të thotë inflamacion i membranës së hundës (e njohur edhe si mukoza) në brendinë e hundës, thotë Dr. Kreg Polinski, një specialist i mjekësisë së brendshme në Baptist Health.
“Kur një person thith alergjen përmes zgavrës së hundës, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një virus, baktere ose ndonjë alergjen, qelizat mast (një lloj qelize imune) lëshojnë një përbërje të quajtur histaminë”, e cila më pas shkakton inflamacion, shpjegon ai.
Ju mund të mendoni se sekrecioni është fajtor për shqetësimin, por bllokimi më së shpeshti ndodh për shkak të enëve të ënjtura të gjakut në hundë, thotë Dr. Kreg.
“Shumë njerëz vazhdimisht fryjnë hundët duke u përpjekur të pastrojnë sekrecionin, por problemi i vërtetë është ënjtja,” thekson ai. “Fryrja e hundës është e dobishme, por nëse asgjë nuk del, kjo në përgjithësi do të thotë se nuk ka shumë sekrecion”.
10 mënyra për të zhbllokuar hundët
Përdorni tretësirë me kripë në formë të spërkatësit
Një tretësirë e kripur sterile mund të blihet pa recetë dhe funksionon duke nxjerrë ujin nga mukoza e fryrë në hundë, duke reduktuar ënjtjen e indit të hundës dhe duke lehtësuar bllokimin.
Spërkatësi me ujë të kripur është i sigurt për të gjitha moshat dhe mund të përdoret sipas nevojës për të lehtësuar simptomat, por përdorimi shumë i shpeshtë mund të shkaktojë rrjedhje të pakontrolluar të hundës.
Provoni të shpëlani hundën me tretësirë të kripur
Shpëlarja e hundës bëhet edhe me tretësirë të kripur, por përdoret një shishe më e madhe për shpëlarje ose enë të posaçme. Tretësira depërton më thellë në zgavrën e hundës dhe del nga ana tjetër. Kjo metodë mund të jetë më efektive se një spërkatës i zakonshëm, sepse sasia më e madhe e solucionit mbulon një zonë më të gjerë në hundë, duke e pastruar atë thellësisht.
Shpëlarja e hundës është e sigurt për të gjitha moshat, por nëse keni imunitet të dobësuar, konsultohuni me një mjek përpara se të përdorni këtë metodë, pasi problemet e hundës mund të tregojnë një gjendje më serioze.
Merrni antihistamina
Antihistaminat mund të ndihmojnë në reduktimin e bllokimit sepse ndalojnë prodhimin e histaminës, e cila është shkaku kryesor i inflamacionit dhe prodhimit të sekrecionit. Nëse jeni duke teshtitur dhe duke ndjerë presion në sinuset tuaja në të njëjtën kohë, atëherë antihistamina më së miri është të kombinohet me një spërkatës për hundë.
Edhe pse ato janë të sigurta për shumicën e njerëzve, megjithatë është mirë që të konsultoheni me një mjek përpara se të merrni antihistaminë, veçanërisht nëse jeni shtatzënë ose ushqeni me gji.
Përdorni spërkatës mjekues për hundë
Ata funksionojnë brenda pak minutash duke ngushtuar enët e gjakut në membranën e hundës, ashtu që reduktohet ënjtja dhe hapen rrugët e frymëmarrjes së hundës. Megjithëse janë efektive, është shumë e rëndësishme të përdoren vetëm përkohësisht dhe për një periudhë të shkurtër kohore.
Kur enët e gjakut në hundë ngushtohen, indet pranojnë më pak oksigjen dhe përdorimi i zgjatur mund të dëmtojë membranën. Si reagim i këtij dëmtimi, membrana ënjtet edhe më shumë, duke përkeqësuar më tej bllokimin.
Prandaj, është mirë të përdoret jo më shumë se dy herë në ditë dhe jo më gjatë se tri ditë rresht, më pas duhet bërë një pushim prej të paktën një muaji.
E njëjta gjë vlen edhe për spërkatësit e hundës me kortikosteroide, të cilët gjithashtu veprojnë duke ngushtuar mukozën në hundë dhe duke reduktuar inflamacionin. Një nga përparësitë e spërkatësve me kortikosteroide është se ata janë lehtësisht të disponueshëm dhe ilaçi funksionon vetëm në zgavrën e hundës. Me fjalë të tjera, ato nuk shkaktojnë përgjumje.
Përdorni vaj eukalipti
Nëse jeni duke kërkuar një ilaç natyral në shtëpi, Dr. Polinski rekomandon vaj eukalipti. Hulumtimet tregojnë se mund të veprojë si një analgjetik dhe ka veti antibakterore dhe anti-inflamatore që ndihmojnë në reduktimin e sekrecionit dhe inflamacionit në hundë.
“Vaji i eukaliptit mund të thithet si avull përmes një shpërndarësi për të reduktuar simptomat e hundës së bllokuar, ose duke shtuar disa pika vaj në një enë me ujë të nxehtë”, thotë Dr. Polinski.
Edhe pse është i sigurt për t’u thithur, shmangni gëlltitjen ose aplikimin direkt në fytyrën tuaj. Ruani në një vend të freskët dhe të thatë, pasi nxehtësia dhe rrezet direkte të diellit mund të ndryshojnë strukturën e tij.
Aktivizoni lagështuesin e ajrit
Lagështuesit e ajrit mund të reduktojnë bllokimin e hundës dhe dhimbjen e sinusit përmes avullit të ujit që lëshojnë, i cili nga ana tjetër hollon sekrecionin.
Rekomandohet veçanërisht mbajtja e lagështuesit gjatë natës, pasi ajri tepër i thatë mund të acarojë dhe të pezmatojë mukozën e hundës.
Përdorni ujë të distiluar në pajisje dhe mos harroni ta zbrazni dhe pastroni rregullisht, pasi bakteret mund të shumohen në ujin e ndenjur.
Përdorni një kompresë të ftohtë
Një tjetër mjet i thjeshtë shtëpiak për lehtësimin e hundës së bllokuar është akulli. Vendosni një kompresë të ftohtë të mbështjellë me një pëlhurë të hollë në urën e hundës për 10 deri në 15 minuta. I ftohti ndihmon në ngushtimin e enëve të ënjtura të gjakut dhe reduktimin e bllokimit.
Shmangni irrituesit
Mundohuni të shmangni irrituesit si tymi, pluhuri, parfumet, freskuesit e ajrit ose aromat e forta. Pse? Këto aroma dhe grimca mund të hyjnë në hundë dhe të shkaktojnë acarim dhe bllokim të mëtejshëm. Erërat e forta gjithashtu mund të shkaktojnë kollitje dhe madje edhe simptoma të astmës.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Nëse hunda e bllokuar zgjat më shumë se 10 ditë ose përkeqësohet, është koha për t’u drejtuar te mjeku. Është gjithashtu e nevojshme të kërkoni ndihmë mjekësore nëse bllokimi i hundës shoqërohet me simptoma të tilla si ethe, dhimbje në fytyrë, sekrecion të trashë të gjelbër ose vështirësi në frymëmarrje.
Përveç kësaj, nëse keni gjendje shëndetësore si astma ose alergji kronike, bisedoni me një mjek për të marrë këshilla lidhur me masat parandaluese.
Mos harroni, ilaçet pa recetë nuk janë gjithmonë të destinuara për përdorim afatgjatë, kështu që nëse nuk ofrojnë lehtësim, është koha për të ndërmarrë një masë të re.