Pyetje të parashtruara më shpesh dhe përgjigje
Kolla e madhe, e njohur edhe si pertusis ose kolla e mirë, është një infeksion i frymëmarrjes shumë ngjitës që akoma paraqet një kërcënim, veçanërisht për foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Edhe pse shumica mendojnë se kjo sëmundje i përket së shkuarës për shkak të vaksinave, pertusis ende qarkullon dhe numri i rasteve rritet periodikisht, madje edhe në vendet me shkallë të lartë vaksinimi.
Sëmundja është e njohur për serinë e saj karakteristike të kollitjeve të shpejta dhe të forta, të cilat shpesh gjatë frymëmarrjes përfundojnë me një tingull të veçantë të ngjashëm me tingullin e gomarit.
Te foshnjat, pertusis mund të shkaktojë komplikime të rrezikshme, të tilla si ndërprerja e frymëmarrjes, pneumoni dhe pasoja të rënda neurologjike.
Por, sa i zakonshëm është pertusis sot, si ta dallojmë në kohë dhe çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur? Në këtë artikull, do t’u përgjigjemi pyetjeve më të rëndësishme në lidhje me këtë sëmundje.
Çfarë është pertusis dhe çka e shkakton këtë sëmundje?
Kolla e mirë (pertusis) është një sëmundje akute dhe ngjitëse e frymëmarrjes, e cila karakterizohet nga sulmet e kollitjes dhe shkaktohet nga bakteri Bordetella pertussis.
Si përhapet pertusis?
Pertusis transmetohet përmes ajrit me anë të pikave infektive (aero-pikat) dhe është shumë ngjitës. Bakteret transmetohen përmes pikave, përmes pështymës dhe aerosoleve që një i sëmurë i nxjerr jashtë kur kollitet dhe teshtin. Shkalla e infeksionit është shumë e lartë, rreth 80%.
Sa kohë nevojitet që të shfaqen simptomat pas ekspozimit ndaj baktereve?
Periudha e inkubacionit të pertusis është zakonisht 7 deri në 10 ditë, me një interval prej 4 deri në 21 ditë.
Cilat janë simptomat e pertusisit?
Pertusis zhvillohet në tri faza:
FAZA E PARË: Zgjat 1-2 javë dhe përfshin rrjedhje hundësh, teshtitje, temperaturë të ulët dhe kollë të lehtë (të ngjashme me një ftohje të zakonshme).
FAZA E DYTË: Zakonisht zgjat 1-6 javë, por mund të zgjasë edhe deri në 10 javë. Simptoma kryesore është një seri kollitjesh të shpejta dhe intensive, të cilat mund të përfundojnë me një përpjekje të gjatë për të marrë frymë të shoqëruar nga një tingull i lartë të ngjashëm me tingullin e gomarit (prandaj në gjuhën popullore njihet edhe si “kolla e gomarit”). Te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, sulmet e kollitjes mund të shkaktojnë mavijosje të lëkurës, të vjella dhe shqetësime serioze.
FAZA E TRETË: Zakonisht zgjat 2-6 javë, por mund të zgjasë edhe disa muaj. Megjithëse kolla zhduket pas 2-3 javësh, paroksizmat mund të përsëriten gjatë një infeksioni të ardhshëm të frymëmarrjes.
Sëmundja është më e lehtë tek adoleshentët dhe të rriturit, por ata ende mund ta transmetojnë atë te të tjerët, veçanërisht te foshnjat e pavaksinuara ose të pavaksinuara mjaftueshëm.
Sa serioz është pertusis?
Pertusis mund të jetë një sëmundje shumë e rëndë, veçanërisht për foshnjat. Fëmijët më të vegjël se 6 muajsh janë më të rrezikuar ndaj komplikimeve, shtrimit në spital dhe vdekjes. Vështirësitë në frymëmarrje të shkaktuara nga kjo sëmundje mund të jenë shumë stresuese si për pacientin ashtu edhe për familjen e tyre.
Edhe pse të rriturit kanë më pak gjasa të zhvillojnë një formë të rëndë të sëmundjes, ata shpesh bëjnë vizita të shumta te mjeku dhe mungojnë në punë, veçanërisht kur kolla vazhdon për një kohë të gjatë pa u diagnostikuar pertusis. Përveç kësaj, të rriturit pa e ditur mund ta transmetojnë infeksionin te foshnjat me të cilat janë në kontakt të ngushtë.
Cilat janë ndërlikimet e mundshme nga pertusis?
Pacientët e rinj kanë një rrezik më të lartë të ndërlikimeve sesa pacientët e moshuar.
Ndërlikimi më i zakonshëm është infeksioni bakteror sekondar, i cili është shkaku kryesor i rasteve të vdekjes nga pertusis.
Pneumonia shfaqet te 1 deri 20 raste, kurse te foshnjat më të vogla se 6 muajsh kjo përqindje është edhe më e lartë.
Foshnjat kanë gjithashtu rrezik më të lartë nga ndërlikimet neurologjike, të tilla si sulme dhe ënjtje të trurit, ndoshta për shkak të mungesës së oksigjenit.
Ndërlikimet e tjera përfshijnë: inflamacionin e veshit, humbjen e oreksit dhe dehidratimin.
Te personat e rritur, ndërlikimet mund të përfshijnë:
Pneumoni (deri në 5% të rasteve).
Brinjë të thyera nga kollitja intensive (deri në 4% të rasteve).
Humbjen e vetëdijes, urinim i pakontrolluar, hernie, anginë dhe humbje peshe.
Si mund ta di nëse fëmija im ka pertusis?
Diagnoza e pertusis më së shpeshti bëhet në bazë të simptomave dhe ekzaminimit fizik. Për më tepër, testimi laboratorik mund të bëhet duke marrë një mostër nga fyti ose hunda.
A ka një kurë për pertusis?
Antibiotikët përdoren në trajtimin e pertusisit.
Sa kohë është ngjitës një person me pertusis?
Personat me pertusis janë më ngjitës në fazën e parë dhe në dy javët e para nga shfaqja e kollës (afërsisht 21 ditë).
Sa i zakonshëm është pertusis në Maqedoni?
Në vitin 2024, deri më 15 shkurt, Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka regjistruar gjithsej 39 raste të kollës së mirë (pertusis), që paraqet një incidencë prej 2,1 në 100.000 banorë. Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me periudhën paraardhëse pesëvjeçare (2019–2022), kur u raportuan gjithsej 9 raste. Numri më i madh i rasteve është shënuar në Shkup (84,6%), ndërsa grupmosha më e prekur janë fëmijët nën 1 vjeç.
A mund të infektoheni me pertusis më shumë se një herë?
Riinfeksioni është i rrallë, por i mundshëm. Pas infeksionit natyral, imuniteti mund të dobësohet pas 7 vjetësh, kurse riinfeksioni shpesh fillon me një kollë të zgjatur në vend të simptomave tipike të pertusisit.
Vaksinimi
Mënyra më e mirë për të parandaluar pertusis është vaksinimi.
Vaksinimi kundër pertusis në Republikën e Maqedonisë së Veriut kryhet me vaksina të kombinuara:
– Hexaxim (DTaP-IPV-Hib-HepB)
– Pentaxim (DTaP-IPV-Hib)
– Tetraxim (DTaP-IPV)
Seria e vaksinimit primar kryhet me tri doza të vaksinës së kombinuar (Hexaxim ose Pentaxim). Sipas Kalendarit të imunizimit, doza e parë e vaksinës u jepet fëmijëve në moshën dy muajshe, doza e dytë në moshën 4 muajshe dhe doza e tretë në moshën 6 muajshe.
Rivaksinimi i parë kryhet një vit pas përfundimit të vaksinimit primar, me dhënien e një doze Pentaxim në moshën 18 muajshe. Rivaksinimi i dytë jepet në klasën e dytë, pra në moshën 7 vjeçare, me dhënien e një doze të vaksinës së kombinuar Tetraxim.
Vaksina kundër “kollës së mirë” në moshën e rekomanduar për foshnjat redukton rrezikun e një forme serioze të sëmundjes.
Për më tepër, të rriturit, veçanërisht ata që janë në kontakt me të porsalindurit, duhet të konsiderojnë rivaksinimin, kurse në vendet më të zhvilluara të botës vaksinohen edhe gratë shtatzëna.
Pertusis mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik. Duke rritur ndërgjegjësimin, vaksinimin e rregullt dhe diagnostikimin në kohë, përhapja e saj në popullatë mund të reduktohet ndjeshëm.
Masat e mbetura parandaluese hyjnë në grupin e masave të përgjithshme parandaluese që praktikohen për të gjitha sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.
Sa efektive është vaksina kundër pertusis?
Pas përfundimit të serisë primare të vaksinave DTaP ose Td/Tdap, rreth 95% e njerëzve zhvillojnë nivele mbrojtëse të antitrupave kundër difterisë dhe 100% kundër tetanosit.
Mbrojtja nga pertusisi pas vaksinimit është rreth 80-85%, por fillon të ulet pas një viti, prandaj rekomandohen doza shtesë.
Cilat janë efektet anësore të vaksinës?
Efektet anësore të zakonshme përfshijnë dhimbje, skuqje dhe ënjtje në vendin e vaksinës, si dhe temperaturë të lehtë.
A mund ta shkaktojë vaksina sëmundjen?
Jo!