Mbretëresha e akullt që thyen tabutë
Disa njerëz e kërkojnë paqen në ngrohtësi. Të tjerët e gjejnë atë në ftohtësi. Ndër këta të fundit është edhe Beti Kotovçevska nga Resnja, një vajzë e cila në mes të dimrit shkon në male për të gjetur një lumë, liqen, ujëvarë dhe të zhytet në ujin e ftohtë. Jo për arsye të ndonjë tendence, por për t’i dhënë trupit shëndet dhe mendjes qetësi.
Pas një aksidenti të rëndë automobilistik që e lë të palëvizshme, Beti zbulon metodën holandeze “Njeriu i akullt”, Wim Hof - një teknikë që ndërthur frymëmarrje specifike, terapi të ftohtë dhe disiplinë mendore. Ajo që fillon si një përpjekje për t’u shëruar, kthehet në filozofinë e saj të jetës.
Stili i ri i jetesës e çon atë deri në Lapland, Finlandë, ku arrin të marrë frymë qetësisht në ujërat e akullta në temperaturë -34°C. Takimi me Wim Hof është vetëm një tjetër dëshmi se ajo është në rrugën e duhur.
Në një mjedis ku që nga fëmijëria na mësojnë të mbrohemi nga i ftohti, Beti thyen akullin – tekstualisht dhe simbolikisht.
Jeni duke promovuar miqësinë me të ftohtin në një mjedis ku ende dëgjojmë: “Vishu, do të ftohesh…Mos dil zbathur…Sot nuk ka not, uji është i ftohtë…” nga prindër që besojnë se i ftohti është burim i sëmundjeve. Sapo fillon të bie shi, parqet boshatisen. Me këtë mentalitet, a është e vështirë ta shtyni idenë tuaj përpara?
Vazhdimisht ndeshem me skepticizëm dhe bindje të vjetra se i ftohti sjell sëmundje, më vjen keq për të gjithë brezat e rinj që ua përcjellin atë traumë kolektive fëmijëve të tyre dhe kjo buron nga frika.
Ne jemi fëmijë të nënës natyrë, nuk jemi krijuar për të qëndruar mbyllur mes 4 mureve, përkundrazi, jemi krijuar për të qenë në natyrë.
Metoda Wim Hof nuk është ideja ime, kjo është një shkencë plotësisht e provuar dhe e demonstruar të cilën e studioj te vetja për 9 vjet dhe tani për tani jam instruktorja e vetme në Maqedoni – ku uji i ftohtë është ende një temë tabu për shkak të paditurisë, kurse për botën është shumë e njohur, por dalëngadalë po e sjell në shtëpi.
Disi gjithmonë gjej mënyra për ta mposhtur këtë mentalitet, por nuk është e lehtë. Duhet kohë dhe shumë durim për të ndryshuar besimet e rrënjosura thellë. Por, pavarësisht kësaj rezultatet flasin vetë. Fillova me pak, vetëm për veten, kurse tani pas 9 vitesh shumë njerëz kanë filluar ta kuptojnë metodën Wim Hof me të ftohtin dhe ta praktikojnë atë.
Shiu dhe parqet e zbrazëta janë, sigurisht, një kujtesë se sa e rëndësishme është të ndryshojmë mendimet tona dhe të ndërpresim zakonet e vjetra. Njerëzit e duan zonën e tyre të rehatisë, dhe kjo është plotësisht e kuptueshme, por qëllimi i kësaj jete është të dalësh prej saj.
I ftohti nuk është burim sëmundjesh, por ilaç për trupin dhe mendjen.
Çfarë halli duhet të ketë një person që të fillojë të lahet me ujë të ftohtë?
Udhëtimi im për fat të keq filloi nga halli, por njerëzit e praktikojnë këtë metodë për përfitime të panumërta fizike dhe mendore.
Si për shembull:
Përmirësimi i sistemit imunitar: Metoda Wim Hof forcon aftësinë e trupit për t’u përballur me infeksionet dhe inflamacionet, gjë që ndihmon në ndërtimin e imunitetit.
Rritja e energjisë: Teknika e frymëmarrjes stimulon qarkullimin e oksigjenit në trup, gjë që sjell rritjen e energjisë dhe një qëndrueshmëri më të mirë.
Reduktimi i stresit dhe ankthit: Kombinimi i frymëmarrjes dhe meditimit ndihmon në reduktimin e nivelit të stresit dhe përmirësimin e qartësisë mendore. Terapia e ftohtë stimulon çlirimin e endorfinës, e cila krijon një ndjenjë lumturie dhe relaksi.
Rritja e fokusit mendor dhe vetëkontrollit: Zbatimi i teknikave të frymëmarrjes dhe terapisë së ftohtë ndihmon në përmirësimin e vetëdisiplinës dhe fleksibilitetit mendor, gjë që çon në përqendrim më të mirë dhe kontroll më të madh të emocioneve.
Përmirësimi i qarkullimit: Uji i ftohtë ndihmon në përmirësimin e qarkullimit në trup, gjë që mund të çojë në një furnizim më të mirë të organeve me oksigjen dhe lëndë ushqyese.
Ripërtëritja e qelizave: Terapia e ftohtë ndihmon në përshpejtimin e proceseve të ripërtëritjes së qelizave dhe ngadalëson plakjen.
Përmirësimi i gjumit: Praktikimi i metodës Wim Hof ndihmon për një gjumë më të mirë dhe të plotë, falë ankthit të reduktuar dhe qarkullimit të përmirësuar.
Tolerancë më e madhe ndaj të ftohtit dhe temperaturës: Aplikimi i terapisë së ftohtë rrit tolerancën ndaj të ftohtit, gjë që është e dobishme për shëndetin e përgjithshëm dhe gjithashtu ndihmon trupin të përshtatet me kushte të ndryshme klimatike.
Shëndet më i mirë mendor: Praktika e vazhdueshme e metodës stimulon ndjenjën e mirëqenies, pozitivitetit dhe shëndetit të përgjithshëm mendor.
Ndërtimi i qëndrueshmërisë: Me praktikimin e rregullt të metodës, trupi dhe mendja bëhen më të forta, më elastike dhe më të qëndrueshme.
A mund të ketë metoda efekt të plotë nëse praktikohet vetëm në dush dhe jo në natyrë?
Po, metoda Wim Hof mund të ketë një efekt pozitiv edhe nëse praktikohet vetëm në dush, pa patur nevojë për të qenë në natyrë. Komponenti themelor i metodës është frymëmarrja. Uji i ftohtë, qoftë në natyrë apo në dush, shkakton reagime të ngjashme në trup. Ai e aktivizon sistemin nervor simpatik, përmirëson qarkullimin dhe forcon funksionin imunitar. Në dush mund të praktikohet gradualisht, duke filluar me periudha të shkurtra të ujit të ftohtë dhe duke rritur gradualisht kohën dhe intensitetin.
Kur e dini se trupi juaj është gati për hapin tjetër – larje në natyrë?
E dini se jeni gati për t’u larë në natyrë kur:
Trupi është adaptuar me të ftohtin – nëse mund të përballoni pa problem dushet më të gjata me ujë të ftohtë.
Merrni frymë me qetësi – nëse frymëmarrja juaj është e kontrolluar dhe ndiheni të qetë në kushte të ftohta.
Kështu është nëse e praktikoni metodën vetë, por nëse e praktikoni atë me një instruktor që do t’ju udhëheqë, në këtë rast unë, atëherë kjo praktikë mësohet edhe në një leksion pesë orësh.
A keni menduar ta ofroni këtë metodë përmes një programi online? Në çfarë mënyre njerëzit arrijnë deri te ju për ndihmë dhe si i ndihmoni ata?
Sigurisht që po, unë jap mësime edhe online, por si instruktore e një metode kaq ekstreme, insistoj gjithmonë që mësimet të jenë me pjesëmarrje fizike, sepse kështu ata mund të mësojnë shumë më mirë dhe të ndiejnë të gjithë magjinë e frymëmarrjes së përbashkët, e më pas të larjes. Pra, kur nxënësi të jetë gati, mësuesi do të shfaqet vetë.
Unë reklamoj veten në llogaritë e mia të mediave sociale, Instagram dhe Facebook, zakonisht njoftoj se kur dhe ku do të jetë seminari i radhës. Drejtoj gjithashtu edhe seanca individuale për njerëzit që duan të jenë vetë në këtë proces të thellë.
Libri i Wim Hof është i disponueshëm në gjuhën maqedonase, por a mjafton ai që një person ta kuptojë metodën dhe ta zbatojë atë në mënyrë të pavarur? A ekziston rreziku nga zbatimi i gabuar?
Po, libri i Wim Hof është një burim i shkëlqyer për t’u njohur me metodën dhe për të marrë njohuri fillestare për parimet e saj. Ai përmban shpjegime të hollësishme të teknikave të frymëmarrjes, terapisë së ftohtë dhe meditimit, dhe mund të jetë shumë i dobishëm për ata që duan ta zbatojnë metodën vetë. Por, se a mjafton për ta praktikuar metodën në mënyrë të pavarur dhe të sigurt, varet nga qasja personale dhe niveli i vëmendjes që i kushtoni udhëzimeve.
Ekspozimi i tepërt ndaj të ftohtit: Nëse nuk zbatohen rekomandimet për përshtatje graduale mund të rezultojë në rrezik hipotermie ose gjendje shoku në trup. Në kushte natyrore, uji i ftohtë është shumë më ekstrem se sa në dush, kështu që nuk duhet të fillohet me periudha të gjata të larjes, veçanërisht pa adaptimin e duhur.
Frymëmarrje e pasaktë: Teknika e frymëmarrjes mund të shkaktojë hiperventilim, që mund të rezultojë me humbjen e ndjenjave, marramendje apo edhe lëndim nëse nuk zbatohet në mënyrën e duhur.
Kështu që, po, si instruktore, gjithmonë këshilloj që nëse po e filloni vetë, duhet ta bëni me hapa shumë të vegjël.
A i zgjon metoda njerëzit e qetë dhe a i qetëson ata që janë hiperaktivë, duke qenë se është një simbiozë e dy ekstremeve – frymëmarrje e qetë në kushte jo të zakonshme?
E saktë, metoda Wim Hof është një simbiozë e dy ekstremeve: frymëmarrje e qetë në kushte të ftohta. Për njerëzit e qetë, metoda mund të jetë një nxitje për veprim, duke i zgjuar dhe duke i ndihmuar ata të ndërtojnë vetëdisiplinë dhe të fitojnë forcë. Njerëzit hiperaktivë, uji i ftohtë dhe frymëmarrja e qetë i qetësojnë, duke i ndihmuar ata të mësojnë se si të kontrollojnë mendjen dhe trupin e tyre. Në thelb, metoda balancon energjinë dhe qetësinë, dhe është e dobishme për këdo që dëshiron të zhvillohet dhe të gjejë ekuilibrin e brendshëm.
Tani do t’ju kthej pas në takimin me Wim Hof…si është ai në jetën reale?
Takimi me Wim Hof, mësuesin dhe babain tim të dytë, ishte dëshira ime më e madhe. Ai nuk është thjesht një njeri që flet për metodën, por e jeton me të vërtetë atë. Energjia dhe pasioni i tij janë infektues dhe ndihen menjëherë kur hyni në praninë e tij. Ajo që më befasoi më shumë është se sa i sinqertë dhe real ishte.
Prej tij mësova se forca e brendshme dhe besimi në vete janë çelësi i vërtetë për të tejkaluar të gjitha pengesat, qofshin ato fizike apo mendore.
Në rastin tim ka qenë një pengesë fizike, kam qenë e palëvizshme për 2 vite pas aksidentit tim automobilistik dhe tani jam shëruar 100%.
Ajo për të cilën flet nuk është thjesht teori, por përvojë praktike.
Besimi i tij se “e pamundura nuk ekziston”, por vetëm potenciale për zbulim të vetvetes, është diçka që nuk mund të përcillet vetëm me fjalë apo libra.
Ajo duhet të përjetohet, të ndihet personalisht dhe vetëm atëherë mund të kuptohet plotësisht.
Wim Hof është prova e gjallë se kufijtë janë më shumë mendorë sesa fizikë dhe forca e vërtetë qëndron në kontrollin e mendjes dhe procesit të frymëmarrjes. Ajo që ai mëson është shumë më tepër se teknikë – është një mënyrë jetese dhe një mënyrë për të parë botën.
Si ishte fëmijëria juaj, a keni pasur gjithmonë një lidhje të thellë me natyrën? Çfarë ju mungon më shumë nga ato ditë pa shqetësime?
Po, Beti është rritur në natyrë që e vogël falë prindërve të mi të mrekullueshëm dhe mbaj mend që gjyshi më quante bretkosë se nuk dilja nga uji. Dikur inatosesha me të, por tani e kuptoj plotësisht.
Një fëmijëri e pashqetësuar, çdo ditë në harmoni me natyrën. Kur perëndonte dielli, atëherë edhe ne ktheheshim në shtëpi. Prindërit e mi nuk më mbajtën në një kuti qelqi, por më linin në shi, në borë, në diell dhe kështu ndërtova gjithë atë që jam sot.
Sinqerisht, edhe tani jam e shkujdesur, se kështu është jeta në mal. Jam e shqetësuar vetëm kur udhëtoj në qytete dhe shtete më të mëdha.
Ju udhëtoni shumë, pra sa ndikojnë kulturat e ndryshme në këndvështrimin tuaj për botën?
Sigurisht, udhëtimi është një nga mënyrat më të mira për të zgjeruar këndvështrimin tuaj dhe për të mësuar gjëra të reja jo vetëm për botën, por edhe për veten. Kulturat që kam vizituar janë shumë të ndryshme, por secila prej tyre ka lënë një shenjë unike në këndvështrimin tim për jetën.
Thjesht ju zgjerohet këndvështrimi ndaj vetes, çliroheni nga të gjitha gjërat që dikush ju ka mbjellur dhe që nuk kanë qenë tuajat. Për mua, udhëtimi përfaqëson çlirimin e vetes së vërtetë, kur je askushi dhe asgjë në vendin e dikujt tjetër, atëherë je në dritën e vërtetë dhe je pikërisht vetvetja autentike.
Ku e shihni veten në të ardhmen?
Dua të vazhdoj të udhëtoj dhe të shoh sa më shumë kultura, kurse për një të ardhme më të largët planifikoj të shpërngulem në një mal pranë një lumi për një lidhje absolute me nënën natyrë, nuk e shoh veten në qytete/shtete të mëdha. Dua një jetë të qetë dhe të përmbushur me dashuri dhe mirëkuptim, pa nxitim, duke e shijuar.
Nëse një vajzë e re do t’ju afrohej sot dhe do t’ju thoshte: “Dua të jem si ty”, çfarë do t’i thoni asaj të bëjë dhe çfarë të mos bëjë?
Ji besnike ndaj vetes – gjëja më e rëndësishme është të ndërtoni rrugën tuaj dhe të ndiqni intuitën, pa u përpjekur të jeni dikush tjetër.
Lufto për qëllimet e tua – ndonjëherë rruga do të jetë e vështirë, por këmbëngulja dhe pasioni janë të rëndësishme për atë që bën.
Mos ki frikë të mësosh dhe të eksperimentosh – jeta është një proces i të mësuarit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Lejo veten të bësh gabime dhe të rritesh prej tyre.
Ji e guximshme në zgjedhjet e tua – ndonjëherë duhet të marrësh vendime të vështira, por nëse beson në vete, do t’i marrësh ato me siguri.
Çfarë nuk duhet të bëjë?
Mos u krahaso me të tjerët – çdo rrugë është e ndryshme dhe është e rëndësishme të përqendrohesh në procesin tënd, jo në atë që bëjnë të tjerët.
Mos ki frikë të thuash jo – është e rëndësishme të vendosësh kufij të shëndetshëm dhe të mësosh kur duhet të tërhiqesh ose të refuzosh diçka që nuk të përshtatet.
Mos harro të kujdesesh për veten – ndonjëherë harrojmë të relaksohemi dhe t’i përkushtohemi shëndetit dhe mirëqenies sonë.
Ky është thelbi i kësaj jete.