Kërcënim i heshtur nga qëndrimi ulur për një kohë të gjatë
Si komb qëndrojmë ulur shumë, apo jo?! Ulemi në punë, ulemi para televizorit, na pëlqen shumë të rrimë ulur gjatë në kafe, të ulemi në kolltukun tonë të preferuar me një libër të mirë ose me telefonin, madje ulemi edhe kur gatuajmë – veçanërisht nëse nuk na mbajnë këmbët.
Por, qëndrimi ulur për një kohë të gjatë, edhe kur duket i padëmshëm, mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e venave tona. Një prej tyre është tromboza e venave të thella (DVT) – një gjendje që shpesh vjen pa paralajmërim, por që mund të jetë kërcënuese për jetën.
Çfarë paraqet saktësisht tromboza e venave të thella?
DVT është një gjendje në të cilën formohet një mpiksje gjaku (tromb) në venat e thella, zakonisht në këmbë. Kur gjaku nuk qarkullon mjaftueshëm – siç ndodh gjatë të ndenjurit ulur ose pushimit për një kohë të gjatë – gjasat janë më të mëdha për koagulim jonormal të gjakut. Kjo mpiksje mund të bllokojë rrjedhën normale të gjakut dhe të shkaktojë dhimbje, ënjtje dhe inflamacion. Komplikacioni më serioz është nëse mpiksja shkëputet dhe shkon deri te mushkëritë – një gjendje e njohur si emboli pulmonare, e cila kërkon kujdes urgjent mjekësor.
Çfarë mund të shkaktojë tromboza e venave të thella?
Tromboza e venave të thella mund të shfaqet si rezultat i faktorëve të ndryshëm që dëmtojnë shtresën e brendshme të venave. Çdo dëmtim i kësaj shtrese, qoftë për shkak të intervenimit kirurgjik, lëndimit ose si përgjigje e sistemit imunitar, mund të shkaktojë formimin e mpiksjes.
Për më tepër, kur gjaku është i trashë ose kur qarkullon shumë ngadalë, ai bëhet i prirur ndaj mpiksjes. Kjo është veçanërisht e rrezikshme kur ndodh në një venë që tashmë është e dëmtuar. Tromboza mund të ndikohet edhe nga faktorët gjenetikë, ndryshimet hormonale ose qëndrimi i gjatë ulur në një pozicion.
Kush është i rrezikuar?
Jeni në grupin e rrezikut nëse:
- Qëndroni ulur për një kotë të gjatë pa lëvizur, siç është rasti me punonjësit e zyrës ose ata që kalojnë shumë kohë pas timonit ose para televizorit.
- Udhëtoni shpesh me aeroplan ose tren.
- Jeni mbi 60 vjeç.
- Jeni mbipeshë, keni hipertension ose probleme të tjera shëndetësore.
- Personat që kanë kancer, të cilët janë të prirur për pushim të zgjatur në shtrat për shkak të sëmundjes ose operacionit.
- Duhanpirësit.
Si dallohet kjo gjendje?
Simptomat fillestare mund të shfaqen shumë ngadalë dhe të anashkalohen lehtësisht:
- Dhimbje ose ndjeshmëri në këmbë, më shpesh te pulpa.
- Ënjtje ose ndjeshmëri në lëkurë.
- Ngrohtësi dhe skuqje në vendin ku është prezente mpiksja.
- Ndjenjë e rëndesës në këmbë.
Simptomat nuk shfaqen në të gjitha rastet, prandaj është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje të gjitha ndryshimeve në qarkullimin e gjakut.
Si të mbroheni?
Lëvizje të rregullta: Edhe pse mund të mos jeni më në gjendje të vraponi, shëtitjet e shkurtra ose ushtrimet e thjeshta të këmbëve ndihmojnë në ruajtjen e qarkullimit të mirë.
Çorape kompresive: Këto çorape stimulojnë qarkullimin dhe parandalojnë formimin e mpiksjes së gjakut. Janë veçanërisht të dobishme kur qëndroni ulur për periudha të gjata kohore.
Shumë ujë: Hidratimi është i rëndësishëm për qarkullimin e gjakut dhe ndihmon në parandalimin e mpiksjes.
Kontrolli i peshës: Pesha e shëndetshme zvogëlon gjasat për trombozë.
Ushtrime të rregullta: Madje edhe në punë, është e rëndësishme të ngriheni dhe të lëvizni çdo 1-2 orë.
Në cilat raste duhet të vizitoni mjekun?
Në rastin e simptomave të mëposhtme, vonesa e konsultimit me mjekun mund të ketë pasoja të rënda:
- Dhimbje ose ënjtje në njërën këmbë.
- Dhimbje të forta gjatë ecjes ose qëndrimit në këmbë.
- Ndjenjë e lodhjes dhe dobësisë, menjëherë pas uljes.
- Frymëmarrje të shkurtra ose dhimbje gjoksi (mund të ndodhë nëse tromboza kalon në emboli pulmonare).
Po sikur tromboza të jetë shfaqur tashmë?
Diagnoza zakonisht vendoset me ultratinguj të venave, kurse trajtimi përfshin:
Barna antikoagulante – hollojnë gjakun dhe ndihmojnë në parandalimin e zgjerimit të mpiksjes. Ato mund të pihen ose të merren në formë injeksioni. Antikoagulantët nuk kanë aftësinë të shpërbëjnë mpiksjen (trombin), por ata parandalojnë formimin e mpiksjeve të tjera dhe i japin trupit kohë për të shpërbërë vetë ato që tashmë ekzistojnë.
Trajtimi i trombozës së venave të thella me trombolitikë përfshin barna që kanë aftësinë të shpërbëjnë mpiksjen. Këto barna mund të shkaktojnë gjakderdhje serioze, prandaj përdoren vetëm në situata emergjente. Trombolitikët merren në mënyrë intravenoze dhe ekskluzivisht vetëm në kushte spitalore, ku pacienti mund të jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme mjekësore.
Në disa raste, nëse mpiksja përhapet, ndërhyrja kirurgjike mund të jetë e nevojshme.
Efektet anësore të barnave për trajtimin e trombozës së venave të thella
Antikoagulantët, barnat që hollojnë gjakun, i bëjnë pacientët të ndjeshëm ndaj mavijosjeve dhe gjakderdhjeve më të shpeshta. Gjakderdhja e brendshme mund të jetë shumë serioze, kështu që kur përdorni antikoagulantë, është e rëndësishme që mjeku të sigurohet se gjaku juaj nuk është shumë i holluar. Disa nga antikoagulantët e rinj nuk kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore lidhur me efektin të tyre në hollimin e gjakut.
Shenjat paralajmëruese të gjakderdhjes së brendshme
Gjakderdhja e brendshme në stomak mund të dallohet nga dhimbjet e forta, të vjellat në formën e kokrrave kafe ose lëngut të kuq të ndezur. Nëse gjakderdhja ndodh në tru, mund të shkaktojë një dhimbje koke të fortë ose simptoma të goditjes në tru, të tilla si lëvizje të panatyrshme, shikim të paqartë dhe konfuzion.
Mos e nënvlerësoni rrezikun e heshtur!
Tromboza e venave të thella është një sëmundje e lidhur ngushtë me stilin e jetesës moderne – qëndrimi i vazhdueshëm ulur dhe mungesa e aktivitetit fizik rrisin gjasat për shfaqjen e saj. Prandaj, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje ndryshimeve të vogla në stilin tuaj të jetesës, që megjithëse mund të duken të parëndësishme, ato mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin tuaj. Nëse jeni më në moshë dhe nuk ndiheni mirë, është më mirë të konsultoheni me një mjek për të shmangur pasoja serioze.
Ushtrime për të stimuluar qarkullimin gjatë kohës që jeni në punë
Ndërsa qëndroni ulur në karrigen tuaj, filloni të ngrini dhe ulni njërën këmbë, pastaj tjetrën, sikur të jeni duke marshuar me këmbët tuaja nën tavolinë. Kjo do të përmirësojë qarkullimin.
Qëndroni në këmbë dhe bëni disa rrathë me kyçet e këmbëve (djathtas dhe majtas).
Ngrihuni nga karrigia juaj çdo orë dhe bëni një shëtitje të shkurtër nëpër zyrë ose në shtëpi. Këto pushime të shkurtra do të nxisin rrjedhjen e gjakut dhe do të parandalojnë mpiksjen e tij.
Tromboza e venave të thella gjatë shtatzënisë
Gratë gjatë periudhës së shtatzënisë janë më të ndjeshme ndaj trombozës së venave të thella dhe gjithashtu 4 deri në 6 javë pas lindjes. Kjo është si rezultat i niveleve më të larta të estrogjenit, gjë që e bën gjakun më të ndjeshëm ndaj mpiksjes. Për më tepër, presioni nga mitra e zgjeruar mund të ngadalësojë rrjedhën e gjakut në vena. Në disa raste, disa çrregullime të gjakut mund të rrisin më tej rrezikun e zhvillimit të trombozës.
Tromboza e venave të thella dhe udhëtimet e gjata
Udhëtimi në vende të reja dhe të largëta mund të jetë shumë emocionues, por jo edhe e ndenjura ulur në të njëjtën karrige gjatë një fluturimi të gjatë ndërkombëtar. Hulumtimet shkencore konfirmojnë se fluturimet që zgjasin më shumë se 4 orë rrisin rrezikun e zhvillimit të trombozës së venave të thella. Ky rrezik nuk vlen vetëm për fluturimet ajrore, por edhe për udhëtimet me makinë, autobus ose tren. Qëndrimi ulur për periudha të gjata pa lëvizur ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe rrit mundësinë e formimit të mpiksjes së gjakut.
Çfarë është embolia pulmonare?
Embolia pulmonare ndodh kur një mpiksje shkëputet dhe shkon në mushkëri, ku mund të bllokojë një arterie që furnizon mushkëritë me gjak. Kjo mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet në kohë. Simptomat përfshijnë dhimbje të forta gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës dhe kollitje me gjak.