Kur zemra rreh më fort se çdo goditje – historia e taekwondistes sonë më të suksesshme
Në një kohë kur heronjtë e sportit janë të rrallë, Maqedonia fitoi një yll të ri – Milijana Reljiq, një taekwondiste e cila, me këmbënguljen, guximin dhe talentin e saj, ka arritur majën e Evropës. Në Kampionatin Evropian të Klubeve 2025, ajo fitoi medalje ari, duke konfirmuar dominimin e saj në kontinent. Por, suksesi i saj më i madh ndodhi në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris, ku në raundin e parë ajo mundi kampionen e dyfishtë olimpike nga Britania e Madhe Xhejd Xhouns – një moment që e bëri atë një nga sensacionet më të mëdha të turneut. Si mbajtëse e flamurit të Maqedonisë në hapjen e Lojërave Olimpike, Milijana jo vetëm që përfaqësoi vendin me krenari, por edhe shkroi histori. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo flet për ndjenjën e fitores, vështirësitë me të cilat përballet si sportiste në Maqedoni, motivimin që e shtyn përpara dhe ëndrrat që ndjek. Kjo është historia e një vajze e cila, pavarësisht kushteve modeste, arriti të ngjitet në majën e taekwondo-së evropiane.
Urime për titullin Kampione Evropiane për Klube! Si u ndiet në momentin që e kuptuat se ishit e para në Evropë?
Ndjesia është vërtet e mrekullueshme dhe nuk mund të përshkruhet me fjalë. Në momentin që kuptova se isha e para në Evropë, më pushtuan emocione gëzimi, lumturie dhe ndihem krenare për veten time. Në atë moment e kupton se të gjitha stërvitjet e vështira, uljet, ngritjet dhe gjithçka që ke investuar më në fund shpërblehen. Ky titull për mua do të thotë se nëse investon njëqind për qind në diçka dhe nuk dorëzohesh, rezultati është i pashmangshëm.
Mposhtët një kampione olimpike – si dukej një ndeshje e tillë nga brenda, nga këndvështrimi juaj?
Ajo ka qenë idhulli im që kur fillova të merresha me këtë sport dhe gjithmonë ëndërroja të isha një ditë në vendin e saj. Të gjeja veten në tatami përballë një kampioneje olimpike të dyfishtë, ishte një përvojë që nuk do ta harroj kurrë.
Unë dhe trajneri im, dy muaj para Lojërave Olimpike, e dinim se do të isha me të në raundin e parë dhe për të qenë e sinqertë u ndjeva pak e zhgënjyer. Ajo ishte favoritja më e madhe për të fituar medaljen e artë dhe ndieja shumë presion dhe emocione. Por, falë trajnerit tim e kaluam atë moment së bashku dhe ai më kujtonte çdo ditë se sa shumë kishim investuar – të gjitha orët e stërvitjes herët në mëngjes, shumë sakrifica dhe kjo më dha vetëbesim të jashtëzakonshëm. Hyra në betejë me përqendrim maksimal dhe besova në vetvete se mund ta fitoja. Ndeshja ishte vërtet e vështirë dhe e pasigurt, por me taktikë të mirë arritëm ta fitonim. Nëse ke besim në vetvete, çdo gjë është e mundur.
Është thënë shumë herë se stërviteni në kushte modeste. Çfarë ju mungon më shumë si sportiste në Maqedoni?
Po, është e vërtetë që stërvitemi në kushte modeste dhe ky është një nga problemet më të mëdha me të cilin ne sportistët në Maqedoni po përballemi. Vitin e kaluar, dy muaj para Lojërave Olimpike, nuk kishim sallë për stërvitje, gjë që është një zhgënjim i madh për një sportist që po përgatitet për garën më të madhe sportive. Ndërsa pas sportistëve nga vende të tjera qëndron një ekip i madh, si fizioterapist, psikolog, trajner fitnesi, ne jo vetëm që nuk kishim asgjë nga këto, por po përballeshim me një problem siç ishte mungesa e hapësirës për stërvitje. Pas Lojërave Olimpike, Komiteti Olimpik na ndau një sallë që mund ta përdorim 24/7 dhe jemi vërtet mirënjohës për këtë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tuaj deri më tani dhe çfarë ju bëri të mos dorëzoheni?
Momenti më i vështirë për mua dhe trajnerin tim ishte periudha kur menduam se kishim mbetur vetëm, pa mbështetje dhe pa kushte themelore që të mundem të përparoj. Kishte momente kur, për shkak të vështirësive financiare, mungesës së mbështetjes nga institucionet, mungesës së hapësirës për stërvitje, vërtet donim të dorëzohemi. Por disi, vetë, me burimet tona financiare dhe këmbënguljen, ia dolëm të arrinim deri këtu. Gjithashtu, një rol të madh luajtën njerëzit që besuan tek unë – familja ime, trajneri, miqtë, të gjithë i kisha në krah dhe një mbështetje të madhe. Besoj se çdo sukses është më i bukur kur e arrin atë, pavarësisht të gjitha pengesave.
Cilat janë synimet tuaja të mëdha të radhës? A janë Lojërat Olimpike në atë listë?
Sfida jonë e radhës është Kampionati Botëror 2025 në Kinë në tetor, i cili është shumë i rëndësishëm për ne dhe sjell një numër të madh pikësh për Lojërat Olimpike. Dhe sigurisht, ajo për të cilën po stërvitemi janë Lojërat Olimpike dhe do të bëjmë çmos për të siguruar normën për Lojërat Olimpike të ardhshme në LA dhe për t’u kthyer me një medalje.
Si duket një ditë tipike për ju – nga momenti i zgjimit deri kur shtriheni për të fjetur?
Dita ime fillon herët në mëngjes, më pëlqen të zgjohem herët sepse më bën të ndihem sikur po e shfrytëzoj ditën në maksimum. Pasi zgjohem, ha mëngjes dhe përgatitem për stërvitjen e mëngjesit. Stërvitjen time të parë e bëj me trajnerin tim të fitnesit Petar Basnarkov, me të cilin punojmë për forcën, qëndrueshmërinë, gjendjen e fizike, etj. Pas stërvitjes së parë, bëj një pushim të shkurtër dhe nëse kam kohë, më pëlqen të takohem dhe të kaloj kohë me miqtë e mi. Gjatë orëve të pasdites, bëj stërvitjen time të dytë – taekwondo, ku punojmë mbi teknikat, taktikat, sparingun, e të ngjashme. Pasi mbaroj stërvitjet dhe të gjitha detyrimet e mia, përpiqem ta kaloj mbrëmjen duke pushuar, duke fjetur mirë, duke lexuar një libër të mirë dhe duke e marrë veten për të qenë e freskët ditën e ardhshme.
Sa orë në ditë stërviteni dhe si kujdeseni për rikuperimin pas stërvitjeve të vështira?
Gjatë ditës stërvitem 4 deri në 5 orë dhe rikuperimi pas stërvitjes është vërtet i rëndësishëm, sepse na mundëson që ditën e nesërme të jemi të pushuar dhe sërish të japim maksimumin tonë në stërvitje. Elementet më të rëndësishme për mua, për rikuperimin pas stërvitjeve të vështira, janë gjumi, pushimi dhe ushqyerja e mirë. Gjithashtu përdor suplemente të caktuara, masazh sportiv, banja të ftohta, të cilat ndihmojnë vërtet në rikuperimin pas stërvitjes së vështirë.
Sa i rëndësishëm është ushqimi në sportin tuaj? A ndiqni një regjim specifik?
Ushqimi luan një rol të madh në sportin tim, pasi jemi të ndarë në kategori peshe. Kjo do të thotë që duhet ta ruaj peshën për të hyrë në kategorinë time, duke mos e humbur shpejtësinë, forcën dhe qëndrueshmërinë. Dieta ime përbëhet nga një ushqim i larmishëm dhe i balancuar, gjegjësisht proteina, karbohidrate komplekse dhe yndyra të shëndetshme, shmang ngrënien e ushqimeve të përpunuara dhe sasinë e tepërt të sheqerit. Para ndeshjeve mund të jetë vërtet sfiduese, sepse humbas 2 deri në 3 kilogramë dhe duhet të kujdesem shumë për çdo vakt.
Si e përballoni stresin para ndeshjeve të mëdha? A keni ndonjë teknikë apo “ritual” që e bëni gjithmonë?
Stresi është i pranishëm te çdo sportist, por duhet të mësojmë si ta përballojmë atë. Edhe sportistët më të mëdhenj, kampionët e botës dhe olimpikë ndiejnë stres dhe emocione. Para ndeshjes, zakonisht i fik rrjetet sociale dhe telefonin në mënyrë që të mund të përqendrohem vetëm te ndeshja. Ditën e ndeshjes, dëgjoj muzikë e cila më ndihmon të çlodhem dhe t’i kujtoj të gjitha sukseset që kam arritur duke përsëritur me vete – ti je më e mira. Kjo gjë më redukton vërtet stresin.
Cili është motivi juaj i brendshëm më i madh? Çfarë ju shtyn që të vazhdoni, edhe kur është më e vështirë? A keni ndonjë mantër, citat apo mendim që e përsërisni shpesh me vete?
Familja dhe trajneri janë motivi im më i madh që gjithmonë më shtyn përpara kur e kam të vështirë dhe nuk mundem vetë, sigurisht edhe dashuria për vendin tim dhe dëshira që gjithmonë ta përfaqësoj në mënyrën më të mirë. E dua dhe shpesh ia përsëris vetes thënien: “Pain is temporary. Quitting lasts forever”.
Cili person ka pasur ndikimin më të madh në formimin tuaj si sportiste?
Trajneri im, Aleksandar Eftimov, është personi që ka më shumë merita për gjithçka që jam sot. Ai e njohu talentin tim që nga momenti i parë, besoi tek unë edhe kur unë nuk besoja në vetvete. Për mua, ai është trajneri më i mirë në botë sepse jep gjithçka dhe sakrifikon që të kemi sukses.
Si jeni jashtë tatamit? Me çfarë e plotësoni kohën e lirë? A keni ndonjë hobi jashtë sportit – diçka që ju relakson dhe ju sjell gëzim?
Jashtë tatamit, Milijana është thjesht një vajzë e zakonshme, e cila do të kalojë kohë me familjen, miqtë, të dalë për shëtitje, të shkojë në kinema. Gjithashtu më pëlqen shumë hendbolli dhe shpesh shkoj të shikoj ndonjë ndeshje.
A arrini të gjeni një ekuilibër midis sportit dhe jetës private?
Po, arrij të gjej një ekuilibër midis sportit dhe jetës private, megjithëse ndonjëherë është e vështirë. I organizoj ditët e mia në mënyrë që të kem kohë për stërvitje, për pushim dhe për njerëzit që janë të rëndësishëm për mua.
Me çfarë do të merreshit nëse nuk do të ishit taekwondiste?
E dua hendbollin me të vërtetë dhe nëse nuk do të ishte taekwondo, padyshim që do të ishte hendbolli.
Çfarë do t’u rekomandonit të rinjve të cilët ëndërrojnë për suksese të mëdha, por ndihen të dekurajuar për shkak të mungesës së kushteve ose mbështetjes?
Do t’i këshilloja të gjithë të rinjtë, para së gjithash, të merren me çfarëdo sporti – sigurisht që unë do të rekomandoja taekwondo-n. Do të ketë shumë sfida, momente të vështira, ulje dhe ngritje, por të mos dorëzohen kurrë, sepse nëse dëshirojnë diçka me gjithë zemër dhe besojnë – ajo mund të realizohet.