Ndoshta ju ka ndodhur – e shijoni filxhanin e parë të kafesë në mëngjes, por në vend të energjisë dhe zgjimit, filloni të ndieni një rrahje të shpejtë të zemrës, nervozizëm, tension… dhe mendoni: “A po më shkakton kafeja shqetësime?”
Nëse e gjeni veten, nuk jeni të vetmit. Gjithnjë e më shumë njerëz po raportojnë simptoma ankthi pas konsumimit të kafesë – ndjenjë shqetësimi, frymëmarrje të shpejtë, vështirësi në përqendrim dhe madje edhe sulme paniku.
Pra, a mund të jetë kafeja vërtet një shkaktare e ankthit? Nëse është kështu – a ka ndonjë mënyrë për ta shijuar atë pa efekte anësore? Çfarë thonë ekspertët?
Si ndikon kafeja në trup dhe tru?
Përbërësi kryesor aktiv në kafe është kafeina – një stimulues që ndikon në sistemin nervor qendror. Por, përveç kafeinës, kafeja përmban mbi 1,000 komponime të tjera bioaktive, duke përfshirë acidet klorogjenike, trigonelinën, alkaloide dhe komponime terpene. Këto përbërës kontribuojnë jo vetëm në shije dhe aromë, por edhe në disa përfitime shëndetësore – të tilla si përmirësimi i metabolizmit, efektet anti-inflamatore dhe mbështetja e funksioneve njohëse.
Hulumtimet tregojnë se konsumimi i moderuar i kafesë mund të jetë madje i dobishëm: një studim i botuar në European Heart Journal zbuloi se njerëzit që pinë kafe në mëngjes kanë një shkallë vdekshmërie për 16% më të ulët dhe një gjasë 31% më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Por, efektet e kafeinës nuk janë gjithmonë vetëm pozitive.
Si mund të shkaktojë kafeina ankth?
Kafeina vepron duke bllokuar receptorët e adenozinës – adenozina është një molekulë që rregullon gjumin, presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës. Kur kafeina i bllokon këta receptorë, trupi reagon me vigjilencë, energji dhe fokus të shtuar.
Por, te disa njerëz, ky reagim mund të shfaqet edhe si:
- rrahje të shpejta të zemrës
- frymëmarrje e shpejtë
- tensioni i muskujve
- parehati ose shqetësim
Këto janë simptoma të cilat shpesh lidhen me ankthin – kështu që nuk është çudi që disa njerëz fillojnë ta lidhin ankthin e tyre pikërisht me kafenë.
Pse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj kafesë?
Sipas neuroshkencëtarëve, ekzistojnë disa faktorë:
1. Predispozita gjenetike
Disa njerëz kanë një variacion gjenetik që e bën organizmin e tyre më të ndjeshëm ndaj kafeinës – e kanë më të vështirë për ta përpunuar dhe trupi reagon më fort ndaj saj. Ky variacion është i rrallë dhe shfaqet te rreth 5% e popullsisë, por mund të shpjegojë pse disa njerëz ndiejnë ankth edhe pas një filxhani të vogël kafeje.
2. Shkalla e metabolizmit të kafeinës
Shumicës së njerëzve u nevojiten 3 deri në 5 orë për të eliminuar gjysmën e kafeinës nga trupi. Disa e metabolizojnë më shpejt, disa më ngadalë. Tek ata që kanë metabolizëm të ngadaltë, kafeina qëndron në trup më gjatë dhe çdo filxhan i ri, rrit rrezikun e efekteve anësore.
3. Sasia dhe shpeshtësia e kunsumimit
Sa më shumë kafe të pini, aq më i madh është rreziku i ankthit. Sipas rekomandimeve të Agjencisë Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), një person i rritur nuk duhet të tejkalojë 400 miligramë kafeinë në ditë, gjegjësisht rreth 4 deri në 5 filxhanë kafe. Por, ky limit mund të jetë shumë i ulët për disa, kurse shumë i lartë për të tjerët – prandaj është e rëndësishme që secili të zbulojë individualisht kufirin e vet.
Sa kafeinë përmbajnë pijet e zakonshme (për 350 ml):
- Kafe pa kafeinë: 2 – 15 mg
- Çaj jeshil: 30 – 50 mg
- Pije të gazuara: 23 – 83 mg
- Çaj Matcha: 35 – 130 mg
- Çaj i zi: 25 – 48 mg
- Pije energjike: 80 – 200 mg
- Kafe (mesatare): 113 – 247 mg
Prandaj ndonjëherë një filxhan kafe mund t’ju shqetësojë, por një filxhan çaji jeshil jo – ndryshimi është te doza e kafeinës, jo te vetë pija.
A mund të ndihmojë L-Teanina?
L-teanina është një aminoacid që gjendet natyrshëm në çajin jeshil dhe matcha, e cila njihet për efektin qetësues që ka – pa shkaktuar përgjumje.
Disa njerëz përdorin L-teaninë në formë suplementi për të zbutur efektet e kafeinës. Madje sugjerohet të shtoni L-teaninë në një filxhan kafe, në mënyrë që të zvogëloni rrezikun e nervozizmit ose ankthit.
Ideja është logjike, por ekspertët paralajmërojnë se ende nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të konfirmuar efektivitetin e këtij kombinimi.
Arsyeja që çaji ju qetëson është për shkak të faktit se përmban dy ose tri herë më pak kafeinë sesa kafeja. Pra, në vend që të shtoni L-teaninë në kafe, është më mirë të shijoni burime natyrore si çaji dhe matcha, të cilat tashmë e përmbajnë këtë përbërës.
Si ta reduktoni ndjenjën e shqetësimit që ju shkakton kafeja?
Nëse e ndieni se kafeina po ju bën nervozë, ja disa këshilla të thjeshta:
- Zvogëloni sasinë – provoni një filxhan në ditë ose kaloni në kafe me më pak kafeinë (për shembull, lloji Arabika ka më pak kafeinë se Robusta).
- Shmangni kafenë me stomak bosh – ushqimi zbut efektin e kafeinës.
- Konsideroni dekafët ose kafetë pa kafeinë – do të vazhdoni të kënaqeni me shijen, por do ta shmangni tensionin.
- Shfrytëzoni energjinë nga kafeja – një shëtitje e shkurtër mund t’ju ndihmojë të digjni energjinë e tepërt dhe të zvogëloni tensionin.
- Konsideroni çajin jeshil ose matcha-n – alternativa natyrale me rrezik shumë më të ulët nga ankthi.
Kafeja – një ritual për të gjitha shqisat
Për pjesën më të madhe të njerëzve, kafeja është një kënaqësi, një zakon dhe dozë energjie. Por, nëse vëreni se po ju shkakton shqetësim ose pagjumësi, dëgjoni alarmet e trupit tuaj. Gjeni ritmin që ju përshtatet më shumë, ndoshta është një kafe me mëngjesin, ndoshta është një çaj pasdite ose kafe pa kafeinë me shoqërinë në mbrëmje. Ashtu si për shumë gjëra në jetë, edhe këtu moderimi është thelbësor.