Përfitimet e ndërtimit të një realiteti të përbashkët
Kujtoni një moment kur keni kuptuar se po e shihni botën në të njëjtën mënyrë si dikush që është i afërt me ju. Ndoshta keni ndarë një shaka intime me një mik, ose keni reaguar ndaj një lajmi dhe menjëherë e keni ditur që partneri juaj do të kishte të njëjtin mendim.
Këtë ndjesi, psikologët e quajnë “realitet i përbashkët” – diçka që mund të përjetohet si në marrëdhënie afatgjata, ashtu edhe në ndërveprime të shkurtra me njerëz të panjohur. Hulumtimet tregojnë se ndjenja e realitetit të përbashkët, gjegjësisht, të shikosh botën në të njëjtën mënyrë si dikush tjetër, sjell përfitime si ndjenja e afërsisë. Dhe kur përpiqemi të kuptojmë diçka të paqartë, ndiejmë më shumë siguri në interpretimin tonë kur bashkëbiseduesi e sheh atë në të njëjtën mënyrë si ne.
Një grup i ri studimesh ka zbuluar një përfitim tjetër: ndarja e realitetit të përbashkët me partnerin romantik ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë botën dhe kështu të ndiejnë një kuptim më të mirë për jetën. Sipas një studimi të botuar në Journal of Personality and Social Psychology, kjo madje mund të na mbajë edhe në periudha stresi dhe pasigurie.
Ti ke rëndësi për mua, unë kam rëndësi për ty
Hulumtuesit i kërkuan pjesëmarrësve në marrëdhënie të plotësojnë pyetësorë lidhur me cilësinë e lidhjes së tyre, ndjenjën e kuptimit në jetë dhe realitetin e përbashkët me partnerin, të matur përmes deklaratave si: „Zakonisht ndajmë të njëjtat mendime dhe ndjenja për…“.
Te 96 çifte, hulumtuesit analizuan edhe ndërveprimin midis tyre, ku njëri partner fliste për frikën e tij më të madhe. Video inçizimet e ndërveprimeve u analizuan për të përcaktuar se sa realitet të përbashkët tregojnë, për shembull: sa shpesh bien dakord, plotësojnë fjalitë e njëri-tjetrit, si dhe sa dashuri dhe afeksion shfaqin ndaj njëri-tjetrit.
Zbulimi? Çiftet me një realitet të përbashkët më të fortë, si nga pyetësorët ashtu edhe nga sjelljet e tyre, raportuan një ndjenjë më të madhe të kuptimit në jetë. Por, le ta qartësojmë: realiteti i përbashkët nuk është një matës se sa të kënaqur janë partnerët në marrëdhënien e tyre.
Edhe pse kënaqësia në marrëdhënie ka një ndikim të caktuar, lidhja mes sjelljeve që lidhen me realitetin e përbashkët dhe ndjenjës për kuptim në jetë vazhdon të ekzistojë edhe pasi përjashtohet faktori i dashurisë dhe afeksionit. Me fjalë të tjera, pranimi i mënyrës se si partneri juaj e përjeton realitetin, duke treguar që e shihni botën si ai, sjell përfitime shumë më të thella sesa thjesht të tregosh kujdes.
Si ndihmon realiteti i përbashkët gjatë stresit? Në dy studime të njëpasnjëshme, hulumtuesit studiuan: punonjës shëndetësorë në fazën e hershme të pandemisë COVID-19 dhe afroamerikanë pas vrasjes së Xhorxh Flojd.
Një anketë në të cilën u përfshinë 190 afroamerikanë, në pranverën dhe verën e vitit 2021 tregoi se partnerët që ndajnë një realitet më të fortë të përbashkët raportuan gjithashtu një ndjenjë më të madhe të kuptimit në jetë. Po të njëjtët partnerë ndienin më pak pasiguri për gjendjen aktuale.
Në një studim me mbi 100 punonjës shëndetësorë në vitin 2020, hulumtuesit zbuluan se realiteti i përbashkët nuk çonte drejtpërdrejt në një ndjenjë më të madhe të kuptimit për punën, por zvogëlonte pasigurinë lidhur me të. Pikërisht kjo ulje e pasigurisë, i inkurajonte këta njerëz që ta perceptonin punën e tyre si më kuptimplotë.
Si të ndërtoni një realitet të përbashkët me partnerin?
A sjellin ndryshimet aktuale në ndjenjën e realitetit të përbashkët përfitime të ngjashme?
Hulumtuesit kërkuan prej 364 pjesëmarrësve të kujtojnë kohën kur kanë qenë të sinkronizuar me partnerin dhe kur nuk kanë qenë. Pastaj i pyetën se sa pasiguri ndienin për temën në atë moment, por edhe sa kuptimplotë u dukej jeta kur ishin në të njëjtën linjë.
Rezultati? Kujtimi i një periudhe apo momenti të pajtimit shkaktonte më pak pasiguri. Pasiguria më e ulët gjithmonë çonte në zmadhimin e ndjenjës së kuptimit të jetës.
Edhe pse ndjenja e realitetit të përbashkët nuk e rrit vetvetiu kuptimin e jetës, ajo kontribuon në mënyrë indirekte që ky kuptim të rritet duke ulur pasigurinë.
Megjithatë, ekziston një rrezik potencial: nëse realiteti i përbashkët është tepër i fortë, mund të kufizojë idetë e reja. Autorja kryesore e studimit, Katarina Enestram, paralajmëron se një realitet i lartë i përbashkët mund të zvogëlojë hapjen ndaj perspektivave alternative ose të përforcojë “dhomat e jehonës” – një gjendje që krijohet nën ndikimin e algoritmeve të programuara nga kompjuteri që përcaktojnë informacionet që marrim. Nevojiten kërkime shtesë për të përcaktuar se kur realiteti i përbashkët është vërtet i dobishëm dhe kur jo.
Nëse ndiheni sikur nuk jeni të sinkronizuar me partnerin, provoni këtë:
- Merrni kohë për komunikim të hapur
- Ndani aktivitete (për shembull, gatuani bashkë ose bëni sport)
- Mendoni për kujtimet e përbashkëta dhe qëllimet e ardhshme
Ndërtimi i një realiteti të përbashkët me partnerin tuaj jo vetëm që rrit afërsinë dhe zvogëlon pasigurinë për botën, mund t’ju ndihmojë që ta përjetoni jetën si më të përmbushur. Megjithatë, mbani mend se ajo që mban marrëdhënien gjallë dhe interesante, janë pikërisht qëndrimet e ndryshme që duhet të tejkalohen.