Jo shumë kohë më parë, e vetmja gjë që mund të hidhnim mbi drithërat e mëngjesit ishte qumështi i lopës. Sot, situata është krejtësisht ndryshe. Raftet e supermarketeve janë të mbushura me alternativa, nga qumështi i bajameve dhe i tërshërës, te qumështi i kokosit, i sojës dhe madje edhe i bizeleve.
Me kaq shumë mundësi për zgjedhje, vendimi nuk është gjithmonë i lehtë. Çdo lloj qumështi ka përparësitë dhe mangësitë e veta, ndërsa zgjedhja e duhur varet nga ajo që është më e rëndësishme për ju – shëndeti, shija, vlera ushqyese ose qëndrueshmëria. Disa njerëz madje i kombinojnë llojet e ndryshme, varësisht nëse i përdorin për kafe, gatim apo mëngjes.
Në vazhdim, ju ofrojmë një udhëzues praktik për t’ju ndihmuar të orientoheni më lehtë në gamën gjithnjë e më të pasur.
Qumësht lope i skremuar
Një opsion i lehtë me vlerë të lartë ushqyese
Qumështi i lopës i skremuar është një zgjedhje e shkëlqyer për ata që duan të ruajnë shijen e qumështit tradicional, por me konsumim më të ulët kalorish. Është i pasur me proteina, kalcium dhe vitamina A dhe D – një kombinim që mbështet shëndetin e kockave dhe imunitetin.
Megjithatë, tekstura e tij më e lehtë dhe ndjesia më e ulët e ngopjes nuk janë të përshtatshme për të gjithë. Për më tepër, kur bëhet fjalë për ekologjinë, qumështi i lopës konsiderohet opsioni më pak i qëndrueshëm, me emetime dukshëm më të larta të gazrave serrë dhe konsum më të madh të burimeve krahasuar me alternativat bimore.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 74
- Proteina: 7.2 g
- Yndyrë: 0.2 g
- Fibra: 0 g
Qumësht lope i plotë dhe gjysmë i skremuar
Klasik me më shumë shije, por edhe më shumë yndyrë
Këto variante i ruajnë të gjitha përfitimet e qumështit të lopës, por mejë përmbajtje më të lartë yndyre. Qumështi i plotë në veçanti përmban edhe acide yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në përthithjen e vitaminave dhe rrisin vlerën e tij ushqyese.
Megjithatë, pikërisht për shkak të yndyrës së ngopur, duhet të konsumohet me masë – veçanërisht nga personat me rrezik të shtuar për sëmundje të zemrës. Qumështi gjysmë i skremuar është shpesh një kompromis i mirë midis shijes dhe kalorive.
200 ml qumësht gjysmë i skremuar:
- Kalori: 98
- Proteina: 7.2 g
- Yndyrë: 2.3 g
200 ml qumësht i plotë:
- Kalori: 130
- Proteina: 6.8 g
- Yndyrë: 7.2 g
Qumështi i bajameve
I lehtë, aromatik dhe i pasur me antioksidantë
Qumështi i bajameve është i preferuari për ata që kërkojnë një alternativë bimore me pak kalori. Ka një shije të këndshme arrore dhe është një burim i mirë i vitaminës E, e cila njihet si një antioksidant i fuqishëm.
Nga ana tjetër, natyrshëm përmban më pak proteina dhe kalcium, kështu që është e rëndësishme të zgjidhni variante të pasuruara ose të plotësoni ushqimin tuaj me burime të tjera.
Edhe pse ka emetime të ulëta të gazrave serrë, prodhimi i tij kërkon sasi të mëdha uji, gjë që ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 30
- Proteina: 1.4 g
- Yndyrë: 2 g
- Fibra: 1 g
Qumështi i sojës
Më i afërti me qumështin e lopës për sa i përket vlerave ushqyese
Qumështi i sojës shpesh konsiderohet si zëvendësimi më i mirë me bazë bimore i qumështit të lopës, veçanërisht për shkak të përmbajtjes së lartë të proteinave. Përveç kësaj, është i pasur me vitamina të grupit B, hekur dhe kalcium (në versionet e pasuruara).
Pavarësisht polemikave të vjetra rreth hormoneve, hulumtimet bashkëkohore tregojnë se soja është e sigurt dhe madje mund të ketë një efekt mbrojtës për shëndetin.
Është gjithashtu një nga opsionet më të qëndrueshme, me konsum relativisht të ulët të ujit dhe burimeve.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 66
- Proteina: 7 g
- Yndyrë: 3 g
- Fibra: 1 g
Qumështi i tërshërës
Teksturë kremoze dhe shije e shkëlqyer
Qumështi i tërshërës është bërë shumë i njohur vitet e fundit, edhe atë për një arsye të mirë. Tekstura e tij kremoze e bën ideal për kafe dhe gatim, ndërsa natyrshëm përmban edhe fibra.
Përveç kësaj, është një nga opsionet më ekologjike, me një ndikim dukshëm më të ulët ndaj mjedisit krahasuar me qumështin e lopës.
Ana negative është përmbajtja më e ulët e proteinave, si dhe prania e mundshme e glutenit te produktet e pacertifikuara.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 88
- Proteina: ~1 g
- Yndyrë: 3 g
- Fibra: 2.8 g
Qumështi i arrave indiane
Kremoz dhe i lehtë për dashamirësit e shijes delikate
Ky qumësht ka një teksturë të pasur dhe një shije natyrale të butë, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për ëmbëlsira dhe kafe. Përmban yndyra dhe minerale të shëndetshme, shpesh është i pasuruar edhe me kalcium.
Ashtu si shumica e llojeve të qumështit nga arrorrët, ka pak proteina, kështu që nuk duhet të jetë burimi i vetëm i kësaj lënde ushqyese.
Nga aspeti i qëndrueshmërisë, ai ka një ndikim të moderuar, por ekzistojnë çështje etike lidhur me prodhimin e tij.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 46
- Proteina: 1 g
- Yndyrë: 2.2 g
- Fibra: 0.4 g
Qumështi i orizit
Më i lehti për sistemin tretës
Qumështi i orizit është më hipoalergjeni nga të gjithë – ideal për njerëzit me alergji ose intoleranca. Tretet lehtë dhe nuk përmban kolesterol.
Është gjithashtu i pasur me magnez, hekur, vitamina të grupit B, bakër, mangan dhe selen – të gjitha këto kanë përfitime të shumta shëndetësore dhe ndihmojnë në forcimin e imunitetit.
Megjithatë, ka përmbajtje të lartë të karbohidrateve dhe sheqernave, si dhe shumë pak proteina, kështu që nuk është zgjedhja më e mirë për përdorim të përditshëm për të gjithë.
Prodhimi i tij gjithashtu ka një gjurmë relativisht të lartë ekologjike.
200 ml përmbajnë:
- Kalori: 94
- Proteina: 0.2 g
- Yndyrë: 2 g
- Fibra: 0 g
Nuk ka qumësht perfekt – ka vetëm zgjedhje të duhur për ju!
Pavarësisht nëse zgjidhni qumësht lope apo qumësht bimor, gjëja më e rëndësishme është që zgjedhja t’i përshtatet nevojave dhe zakoneve tuaja. Nëse proteina është e rëndësishme për ju – qumështi i sojës ose i lopës janë një zgjedhje e mirë. Nëse dëshironi diçka të lehtë – qumështi i bajames. Për një shije kremoze – qumështi i tërshërës.
Strategjia më e mirë? Balancë dhe shumëllojshmëri.
