Me ardhjen e dimrit, temperaturat e ftohta mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut, veçanërisht te njerëzit që zakonisht kanë duar dhe këmbë të ftohta. Kur kemi ftohtë, enët e gjakut ngushtohen për të ruajtur nxehtësinë e trupit, prandaj gjymtyrët tona mund të bëhen edhe më të ftohta. Megjithatë, ndjesia e vazhdueshme e të ftohtit, ndjesia e shpimit ose dhimbja nuk duhet t’i atribuohen gjithmonë motit, pasi ndonjëherë mund të jenë shenja që tregojnë një problem shëndetësor.
Me disa ndryshime të thjeshta në zakonet tuaja të përditshme, mund të kontribuoni në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe t’i përballoni muajt e ftohtë më lehtë.
Çfarë është qarkullimi i dobët i gjakut?
Qarkullimi i gjakut është një proces me anë të të cilit gjaku transporton oksigjen dhe lëndë ushqyese deri te indet dhe organet. Kur rrjedhja e gjakut është e penguar, disa pjesë të trupit, veçanërisht duart dhe këmbët, mund të mos furnizohen mjaftueshëm gjak.
Qarkullimi i dobët i gjakut nuk është një sëmundje në vetvete, por mund të jetë rezultat i një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë:
Sindromën Raynaud – një gjendje në të cilën enët e gjakut në gishta ngushtohen tepër si përgjigje ndaj të ftohtit ose stresit. Gishtat mund të zbehen ose të marrin ngjyrë të kaltër, pastaj të skuqen përsëri kur rrjedha e gjakut të normalizohet.
Sëmundjen arteriale periferike – ngushtimi i arterieve, më së shpeshti në këmbë, gjë që zvogëlon rrjedhën e gjakut. Mund të shkaktojë dhimbje gjatë ecjes, këmbë të ftohta dhe plagë që shërohen me vështirësi.
- Venat e zgjeruara – një gjendje në të cilën gjaku ka vështirësi të kthehet në zemër, gjë që mund të shkaktojë një ndjenjë rëndese, ënjtje dhe dhimbje në këmbë.
- Mpiksjen e gjakut – mpiksja në një enë gjaku mund të bllokojë rrjedhën e gjakut dhe të shkaktojë komplikime serioze.
- Diabetin dhe obezitetin – gjendje që mund të rrisin rrezikun e dëmtimit të enëve të gjakut dhe të problemeve me qarkullimin.
Në varësi të shkakut, çrregullimi i qarkullimit të gjakut mund të shkaktojë ndërlikime serioze, prandaj është e rëndësishme të zbulohet dhe trajtohet gjendja themelore në kohë.
Si ndikon i ftohti në qarkullimin e gjakut?
Gjatë temperaturave të ulëta, enët e gjakut në lëkurë dhe gjymtyrë ngushtohen për të zvogëluar humbjen e nxehtësisë së trupit. Ky është një reagim natyror i organizmit, por te personat me sëmundje të caktuara mund të përkeqësojë më tej simptomat.
Prandaj, në dimër është veçanërisht e rëndësishme të visheni në mënyrë të përshtatashme, të jeni fizikisht aktiv dhe t’u kushtoni vëmendje sinjaleve që trupi juaj ju dërgon.
6 mënyra për të mbështetur qarkullimin e gjakut në dimër
1. Qëndroni fizikisht aktivë
Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë ngadalëson qarkullimin e gjakut, veçanërisht në këmbë. Aktiviteti fizik i rregullt mbështet shëndetin e enëve të gjakut dhe kontribuon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut.
Ecja, ushtrimet e lehta në shtëpi dhe joga janë mënyra të mira për të ruajtur aktivitetin fizik edhe në ditët e ftohta. Nëse e kaloni pjesën më të madhe të ditës ulur, ngrihuni herë pas here, lëvizni këmbët dhe bëni disa hapa nëpër shtëpi.
2. Përfshini masazhin
Një masazh i lehtë i pëllëmbëve të duarve dhe shputave të këmbëve mund të përmirësojë përkohësisht ndjenjën e ngrohtësisë dhe të ndihmojë në relaksimin e muskujve. Me lëvizje të lehta rrethore mund të masazhoni pëllëmbët dhe këmbët pa i shtypur shumë.
Megjithatë, masazhi nuk e trajton shkakun e qarkullimit të dëmtuar. Nëse keni ënjtje të pashpjegueshme, dhimbje ose dyshime për mpiksje gjaku, mos e masazhoni zonën e prekur dhe kërkoni këshilla mjekësore.
3. Mësoni të përballeni me stresin
Stresi mund të shkaktojë ngushtimin e enëve të gjakut dhe përkeqësimin e simptomave te njerëzit me sindromën Raynaud. Prandaj, është e rëndësishme të gjeni një mënyrë për t’u çlodhur dhe për të reduktuar presionin e përditshëm.
Frymëmarrja e thellë, meditimi, ushtrimet e lehta për shtrirje dhe kalimi i kohës me personat e afërt mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më të qetë. Madje edhe disa minuta kushtuar relaksimit mund të jenë të dobishme.
4. Pini ujë të mjaftueshëm
Në dimër, shpesh ndiejmë më pak etje sesa në verë, por organizmi vazhdimisht ka nevojë për lëngje. Hidratimi i mjaftueshëm është i rëndësishëm për funksionimin normal të organizmit, përfshirë edhe qarkullimin e gjakut.
Përveç ujit, mund të pini edhe çaj pa sheqer. Pijet e ngrohta janë një zgjedhje e këndshme në ditët e ftohta, por ato nuk e zëvendësojnë nevojën për konsumim të rregullt të lëngjeve.
5. Ushqehuni në mënyrë të larmishme dhe të ekuilibruar
Ushqimi i pasur me fruta, perime, drithëra të plota, bishtajore, arra dhe peshk i siguron organizmit lëndë ushqyese të rëndësishme për shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut.
Mundohuni të hani një shumëllojshmëri ushqimesh dhe kufizoni konsumimin e kripës, veçanërisht nëse keni tension të lartë të gjakut. Në vend që të përdorni shpesh produkte të përpunuara, zgjidhni vakte të gatuara në shtëpi me përbërës të freskët ose të ngrirë.
6. Shmangni pirjen e duhanit dhe bëni kujdes me alkoolin dhe kafeinën
Pirja e duhanit ngushton enët e gjakut dhe rrit rrezikun e dëmtimit të tyre. Lënia e duhanit është një nga ndryshimet më të rëndësishme që mund të bëni për shëndetin e zemrës dhe qarkullimit të gjakut.
Alkooli nuk është një mënyrë e mirë për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, edhe nëse përkohësisht ju jep ndjesinë e ngrohtësisë. Gjithashtu, kafeina mund t’i përkeqësojë simptomat e sindromës Raynaud te disa persona. Nëse vini re se kafeja i përkeqëson shqetësimet, përpiquni të zvogëloni sasinë e konsumimit dhe shikoni se si reagon trupi juaj.
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Duart dhe këmbët e ftohta nuk nënkuptojnë gjithmonë se keni probleme me qarkullimin e gjakut. Megjithatë, nëse përjetoni shpesh ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje ose dhimbje, vini re ndryshime në ngjyrën e lëkurës ose keni plagë që janë të vështira për t’u shëruar, konsultohuni me një mjek.
Është veçanërisht e rëndësishme të reagoni në kohë nëse njëra këmbë ënjtet papritur, bëhet e dhimbshme ose e ngrohtë, pasi kjo mund të tregojë praninë e mpiksjes së gjakut. Dhimbja e fortë e papritur, ftohja, zbehja ose humbja e ndjesisë në një krah ose këmbë kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Kujdesi për qarkullimin e gjakut fillon me zakonet e përditshme, por mos i injoroni simptomat që përsëriten ose përkeqësohen. Vlerësimi i duhur dhe trajtimi në kohë janë mënyrat më të mira për të ruajtur shëndetin e enëve të gjakut.
