Rekomandimet rreth asaj që duhet dhe nuk duhet të hamë ndryshojnë vazhdimisht dhe lehtësisht mund të na ngatërrojnë. Megjithatë, ekziston një gjë për të cilën bien dakord si mjekët ashtu edhe nutricionistët: ushqimet me veti antiinflamatore janë të mira për shëndetin tonë.
Inflamacioni nuk është gjithmonë diçka e keqe. Është një mekanizëm mbrojtës natyror përmes të cilit organizmi përballet me sëmundjet, lëndimet dhe infeksionet, dhe është një pjesë e domosdoshme e procesit të shërimit. Megjithatë, inflamacioni kronik është diçka krejtësisht tjetër.
Një numër gjithnjë e në rritje i provave shkencore sugjerojnë se ushqime të caktuara mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit në organizëm, e me këtë edhe rrezikun e sëmundjeve kronike. Një përparësi shtesë është se këto ushqime në përgjithësi janë të pasura me lëndë ushqyese të rëndësishme, mund të kontribuojnë në funksionimin normal të sistemit imunitar dhe të mbështesin shëndetin e përgjithshëm.
Fruta pylli
Përveçse janë të pasura me fibra, vitamina dhe minerale, boronicat, mjedrat, manaferrat dhe luleshtrydhet përmbajnë gjithashtu antocianina – përbërës bimorë me veti të forta antioksiduese dhe antiinflamatore.
Antioksidantët ndihmojnë në kufizimin e proceseve të inflamacionit, gjë që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve neurodegjenerative, gjegjësisht sëmundjeve që dëmtojnë gradualisht qelizat nervore.
Organizmi ynë prodhon qeliza vrasëse natyrale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e duhur të sistemit imunitar. Një studim zbuloi se burrat që hanin boronica çdo ditë prodhonin më shumë nga këto qeliza sesa ata që nuk i konsumonin.
Një studim tjetër zbuloi se personat e rritur me mbipeshë që hanin luleshtrydhe kishin nivele më të ulëta të disa shënuesve inflamatorë të lidhur me sëmundjet e zemrës.
Avokado
Avokado është bërë jashtëzakonisht popullore në ushqyerjen moderne, dhe atë për një arsye të mirë.
Është e pasur me kalium, magnez, fibra, folate, vitamina C dhe E. Është gjithashtu një burim i mirë i yndyrave të shëndetshme, të pangopura. Gjithashtu përmban karotenoide, veçanërisht luteinë, një përbërës bimor, i cili sipas studimeve lidhet me një rrezik të reduktuar të llojeve të caktuara të kancerit.
Një studim sugjeron që përbërës të caktuar në avokado mund të zvogëlojnë inflamacionin në qelizat e lëkurës. Një studim tjetër tregoi se njerëzit që hanin hamburger me avokado kishin nivele më të ulëta të disa shënuesve inflamatorë krahasuar me ata që kanë ngrënë vetëm hamburger.
Brokoli
Ashtu si lulelakra, lakrat e brukselit dhe lakra jeshile, brokoli i përket familjes së perimeve kryqëzore dhe është një burim i pasur me lëndë ushqyese.
Studimet tregojnë se konsumimi më i shpeshtë i perimeve kryqëzore lidhet me një rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës dhe llojeve të caktuara të kancerit. Një arsye për këtë mund të jenë antioksidantët që përmban, të cilët kanë efekte të forta antiinflamatore.
Brokoli është veçanërisht i pasur me sulforafan, një përbërës me veti antioksiduese që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit.
Peshk i yndyrshëm
Peshku i yndyrshëm është një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore omega-3, të cilat janë të njohura për efektet e tyre antiinflamatore.
Trupi nuk mund të prodhojë mjaftueshëm nga dy acidet yndyrore të rëndësishme omega-3, EPA dhe DHA, kështu që ne duhet t’i marrim ato përmes ushqimit. Disa nga peshqit që përmbajnë sasi më të larta të këtyre acideve yndyrore janë salmoni, sardelet, harenga dhe skumbria.
Hulumtimet tregojnë se EPA dhe DHA mund të ndihmojnë në uljen e proceseve inflamatore që lidhen me sindromën metabolike, sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Një studim tjetër ka konstatuar se njerëzit me rrezik të shtuar për diabetin dhe sëmundjet e zemrës që hëngrën peshk të yndyrshëm treguan përmirësime në disa tregues të inflamacionit që nuk shkaktojnë simptoma të dukshme.
Drithërat integrale
Tërshëra, orizi integral, elbi, kuinoa, bollguri dhe buka integrale janë zgjedhje të mira për një ushqyerje që ndihmon në kontrollin e proceseve inflamatore.
Këto ushqime përmbajnë sasi të konsiderueshme të fibrave bimore, magnezit, zinkut, vitaminave të grupi B, vitaminës E dhe polifenoleve. Konsiderohet se këto lëndë ushqyese dhe përbërës bimorë mund të ndihmojnë në rregullimin e inflamacionit në trup.
Speca
Si specat djegës, ashtu edhe ata të ëmbël janë të pasur me vitaminë C dhe antioksidantë që mund të ndihmojnë në uljen e proceseve inflamatore.
Specat e ëmbël përmbajnë kuercetinë, një përbërës bimor antioksidues që mendohet se zvogëlon një tregues të caktuar të dëmtimit oksidativ te personat me sarkoidozë. Bëhet fjalë për një sëmundje inflamatore në të cilën formohen akumulime të vogla të indeve të inflamuara në organe të ndryshme.
Nga ana tjetër, specat djegës përmbajnë acid sinapik dhe ferulik. Hulumtimet sugjerojnë se këto përbërës mund të kontribuojnë në uljen e inflamacionit dhe plakjen e shëndetshme.
Kërpudhat
Kërpudhat përmbajnë pak kalori dhe ofrojnë një numër lëndësh ushqyese të rëndësishme, duke përfshirë selenin, bakrin dhe vitaminat e grupit B. Ato janë gjithashtu një nga burimet më të mira bimore të vitaminës D.
Përveç kësaj, kërpudhat përmbajnë fenole dhe antioksidantë të tjerë që mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Me interes të veçantë është lloji i njohur si krifë luani (lion’s mane), i cili po studiohet për potencialin e tij për të ndihmuar në uljen e proceseve inflamatore që lidhen me obezitetin.
Vaj ulliri ekstra i virgjër
Acidi yndyror kryesor në vajin e ullirit është acidi oleik, një acid yndyror i pangopur i cili përbën rreth 73% të përmbajtjes së tij yndyrore.
Studime të shumta tregojnë se acidi oleik mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit. Gjithashtu po stidiohet edhe roli i tij i mundshëm në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, kancerit të trurit dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Oleokantali, një përbërës natyror i pranishëm në vajin e ullirit, po tërheq vëmendje të veçantë për vetitë e tij antiinflamatore. Në disa studime, efektet e tij janë krahasuar me ato të barnave të tilla si ibuprofeni.
Domate
Domatet nuk janë vetëm një burim i mirë i vitaminës C, e cila ka një efekt antioksidues dhe kontribuon në funksionimin e duhur të sistemit imunitar. Ato përmbajnë gjithashtu likopen – një antioksidant i fuqishëm nga grupi i karotenoideve.
Likopeni është një lëndë ushqyese që përthithet më lehtë nga organizmi kur merret së bashku me një burim yndyre.
Hulumtimet sugjerojnë se likopeni mund të ndihmojë në reduktimin e komponimeve që nxisin inflamacionin dhe që lidhen me lloje të caktuara të kancerit. Një studim zbuloi gjithashtu se konsumimi i lëngut të domates redukton treguesit e inflamacionit te gratë me mbipeshë dhe obezitet.
Është interesante se trajtimi termik i domateve rrit disponueshmërinë e likopenit. Prandaj, nëse doni të përfitoni më shumë nga vetitë e tij të dobishme, mund të konsumoni më shpesh domate të ziera ose të pjekura, në vend që t’i hani gjithmonë të freskëta.
Çokollatë e zezë
Çokollata e zezë përmban kakao, e cila është e pasur me flavonoide dhe antioksidantë.
Flavonoidet janë komponime bimore që vlerësohen me disa nga vetitë antiinflamatore të çokollatës së zezë. Hulumtimet tregojnë se ato mund të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të qelizave endoteliale – qelizat që veshin sipërfaqen e brendshme të enëve të gjakut.
Një studim i kryer te duhanpirësit zbuloi një përmirësim të ndjeshëm në funksionin endotelial vetëm disa orë pas konsumimit të çokollatës së zezë.
Megjithatë, jo të gjitha çokollatat ofrojnë të njëjtat përfitime. Është më mirë të zgjidhni çokollatën e zezë me të paktën 70 për qind kakao në vend të çokollatës me qumësht ose çokollatës së bardhë.
Çaj i gjelbër
Ai përmban përbërës të shumtë me efekte antioksiduese dhe antiinflamatore, ndër të cilët veçohet epigalokatekin-3-galati (EGCG).
Hulumtimet tregojnë se EGCG mund të ndihmojë në reduktimin e inflamacionit duke kufizuar prodhimin e citokinave që nxisin përgjigjen inflamatore dhe duke mbrojtur qelizat nga dëmtimi.
Për shkak të këtyre vetive, ai po stidiohet për rolin e tij të mundshëm në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, llojeve të caktuara të kancerit, sëmundjes së Alzheimerit dhe Parkinsonit, si dhe gjendjeve të tjera kronike.
Shafrani i Indisë
Shafrani i Indisë është një erëz me ngjyrë të verdhë karakteristike, e pasur me kurkuminë, një përbërës me veti antiinflamatore. Hulumtimet sugjerojnë se kurkumina mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit të lidhur me artritin, diabetin dhe sëmundje të tjera.
Kurkuminës i atribuohen edhe përfitime të tjera të mundshme shëndetësore, duke përfshirë një rol të mundshëm mbrojtës kundër sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjes së Alzheimerit.
Studimet mbi kafshët kanë treguar se kurkumina mund të ketë një efekt mbrojtës kundër llojeve të caktuara të kancerit, duke përfshirë kancerin e zorrës së trashë, stomakut dhe lëkurës. Megjithatë, ende nuk është e qartë se deri në çfarë mase këto rezultate mund të zbatohen te njerëzit.
Rrushi
Rrushi përmban përbërës bimorë që mund të ndihmojnë në uljen e proceseve inflamatore. Midis tyre janë antocianinat, të cilat lidhen me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin, obezitetin dhe sëmundjen e Alzheimerit.
Rrushi është gjithashtu një burim i mirë i resveratrolit, një përbërës natyror i cili lidhet me një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë edhe efekin e mundshëm antiinflamator.
Një studim i bërë ka treguar se njerëzit me sëmundje të zemrës që hanin rrush çdo ditë, kishin një ulje të disa shënuesve gjenetikë të lidhur me inflamacionin.
