Çfarë i bën mungesa e gjumit trupit dhe mendjes suaj?!
Mungesa e gjumit nuk duket e rrezikshme – derisa t’i ndieni pasojat si humor i keq, tension i lartë dhe plakje e përshpejtuar e trurit
Me siguri e dini se duhet të flini 7 deri në 9 orë çdo natë. Por, sa shpesh e bëni këtë në të vërtetë? Nëse përgjigjja juaj është: “Unë funksionoj shumë mirë me 6 orë”, ky artikull është pikërisht për ju! Studime të shumta tregojnë se të flesh më pak se 7 orë, veçanërisht më pak se 6, mund të ndikojë seriozisht në trupin dhe mendjen tuaj, edhe nëse gjithçka ju duket mirë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 3 persona të rritur vuan nga mungesa kronike e gjumit. Kurse sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri në 40% e amerikanëve vazhdimisht flenë më pak se sa rekomandohet.
Edhe pse kultura jonë i jep përparësi produktivitetit mbi gjumin, kjo nuk është e shëndetshme, kurse në planin afatgjatë bëhet edhe kundërproduktive.
Çfarë do të thotë gjumë i mjaftueshëm?
Nuk ekziston një numër magjik që vlen për të gjithë, por mesatarja është e qartë – rreth 7 deri në 8 orë gjatë natës. Sipas Dr. Anita Naik, pulmonologe dhe specialiste e mjekësisë së gjumit: “Gjumë i mjaftueshëm është ai që ju mundëson të jeni zgjuar dhe funksionalë, pa pasur nevojë për kafe ose një sy gjumë pasdite”.
Disa njerëz me të vërtetë funksionojnë vetëm me 6 orë gjumë, por ata janë përjashtim, jo rregull. Shumica prej nesh, pa gjumë të mjaftueshëm, hyjmë në një cikël lodhjeje, imuniteti të dobët dhe humori të keq.
Nga ana tjetër, nuk është me rëndësi vetëm kohëzgjatja totale e gjumit, por edhe cilësia e tij, duke përfshirë edhe sa shpesh zgjoheni gjatë natës.
Nëse zgjoheni të freskët, aktivë dhe nuk keni nevojë të pini më shumë kafe ose të flini pak pasdite, atëherë me shumë mundësi po flini mjaftueshëm.
Ekzistojnë gjithashtu edhe mjete për matje, siç është Shkalla e Gjumit Epworth, e cila përmes disa pyetjeve (shikoni më poshtë) tregon nëse vuani nga përgjumja gjatë ditës.
Çfarë ndodh kur flini 6 orë ose më pak?
Në fillim nuk do të ndjeni ndonjë efekt dramatik (nuk do të flini në punë ose në autobus), kështu që mund të mendoni se po ia dilni mirë me më pak gjumë.
Por, sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit, me kalimin e kohës, mund të bëheni më nervozë, të ndieni ankth madje edhe depresion.
Përqendrimi juaj mund të reduktohet, kurse gjykimi dhe shpejtësia e reagimit të përkeqësohen. Kjo sjell rrezik për aksidente rrugore ose rezultate të dobëta në punë, thotë Dr. Anita Naik. Gjithashtu mund të filloni të bëheni të varur nga stimuluesit, si kafeina, për të qëndruar zgjuar.
Nëse gjumi juaj reduktohet nën gjashtë orë, shëndeti juaj mund të përkeqësohet.
Një studim i vitit 2023 i botuar në “The Lancet” zbuloi se më pak se gjashtë orë gjumë, i kombinuar me aktivitet fizik intensiv, mund të çojë në rënie më të shpejtë të aftësive njohëse – një rrezik më të lartë për demencë – në krahasim me ata që janë më pak aktivë, por gjithashtu flenë pak.
Gjumi është thelbësor për rikuperimin e trupit. Pa të, nivelet e testosteronit mund të bien (ai ripërtërihet gjatë natës), të rritet tensioni i gjakut dhe rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, thotë Dr. Naik.
Me kalimin e kohës, mungesa kronike e gjumit mund të ngadalësojë metabolizmin, të sjellë rritjen e peshës së trupit dhe të dobësojë funksionin imunitar, sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut (NHLBI).
Si të krijoni dhe të ruani zakone të mira gjumi?
Nëse flini rregullisht vetëm gjashtë orë, nuk është e vështirë të organizoheni dhe të rrisni gjumin tuaj edhe për një orë.
Ja disa këshilla:
- Bini të flini dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë, përfshirë edhe fundjavat
- Shmangni dremitjet e pasdites
- Fikni televizorin dhe telefonin të paktën një orë para gjumit
- Mos hani ose pini alkool ose kafeinë para gjumit
- Flini në një dhomë të errët dhe të freskët
- Bëni ushtrimet të paktën dy orë para gjumit nëse stërviteni natën
Shmangni “maratonat e natës” duke u ulur para televizorit ose kompjuterit. Edhe pse ndoshta mund të mendoni se do të arrini më shumë duke qëndruar zgjuar gjithë natën, në fakt kjo do t’ju kushtojë shumë. Vetëm një natë pa gjumë mund të sjellë pasoja serioze si: të folur të paqartë, probleme me shikimin dhe dëgjimin, dridhje dhe koordinim të dobët, sipas Klinikës së Cleveland-it.
Kur duhet të kërkoni ndihmë?
Nëse keni probleme kronike me gjumin, zgjoheni shpesh natën ose ndiheni të lodhur edhe pas 8 orësh gjumë, konsultohuni me mjekun tuaj amë. Mund të keni një çrregullim të gjumit i cili mund të diagnostikohet.
Mjeku do të shqyrtojë shëndetin dhe historinë tuaj të gjumit, do të kontrollojë nëse keni zakone si gërhitja ose zgjimi me dhimbje koke, do të përcaktojë nëse ka një shkak themelor shëndetësor për këtë dhe mund t’ju rekomandojë një specialist.
Gjumi nuk është luks – është një nevojë themelore biologjike. Pa të, as energjia juaj, as hormonet, as truri, as zemra juaj nuk funksionojnë siç duhet. Prandaj, që sonte, fikni telefonin, mbyllni perdet dhe kushtoni 8 orë atij për të cilin trupi juaj ka më shumë nevojë: pushim cilësor.