Përfitime dhe freski për të gjitha moshat
Nëse jeni duke kërkuar një mënyrë efektive për të qëndruar në formë gjatë verës, e në të njëjtën kohë edhe të freskoheni, atëherë futuni në ujë dhe bëni aerobi. Një stërvitje dinamike dhe e këndshme në të cilën rezistenca ndaj ujit dhe ushtrimet aerobike japin rezultate për figurën. Është perfekt për të gjitha moshat dhe nivelet e kapacitetit fizik.
Aerobia në ujë përfshin njëkohësisht stërvitje kardiovaskulare, stërvitje për forcë dhe qëndrueshmëri dhe stërvitje për fleksibilitet. Rezistenca e ujit aktivizon pothuajse të gjitha grupet e muskujve gjatë stërvitjes, pa i tendosur nyjet.
Pse të zgjidhni aerobi në ujë?
E butë me nyjet
Përparësia më e rëndësishme e aerobisë në ujë është se uji mbështet trupin, kështu që zvogëlohet ngarkesa në nyje kurse rreziku nga lëndimi pothuajse nuk ekziston. Aerobia në ujë është një stërvitje ideale për individët që po shërohen nga lëndimet ose ata që vuajnë nga dhimbjet kronike ose artriti.
Rritja e rezistencës
Uji siguron rezistencë natyrale, e cila mund të jetë deri në 12 herë më e madhe se ajri. Kjo rezistencë ndihmon në rritjen e forcës dhe qëndrueshmërisë, por nxit edhe krijimin e masës muskulore. Për dallim nga pajisjet apo peshat, rezistenca e ujit është gjithmonë e njëjtë, kështu që ofron një stërvitje të balancuar për të gjitha grupet e muskujve.
Përmirësimi i shëndetit kardiovaskular
Stërvitja në ujë padyshim që rrit pulsin, duke përmirësuar shëndetin kardiovaskular. Stërvitja e rregullt mund të përmirësojë funksionin e zemrës dhe mushkërive, të ulë presionin e gjakut dhe të rrisë qëndrueshmërinë.
Fleksibilitet dhe ekuilibër i përmirësuar
Lëvizshmëria e ujit mundëson një gamë më të madhe lëvizjesh, duke ndihmuar në përmirësimin e fleksibilitetit. Për më tepër, rezistenca e ujit ndihmon në përmirësimin e ekuilibrit dhe koordinimit, pasi ushtruesit duhet të ruajnë stabilitetin dhe t’i rezistojnë shtytjes së ujit.
Djegia e kalorive
Aerobia e ujit mund të jetë një djegës efektiv i kalorive. Në varësi të intensitetit të stërvitjes, pjesëmarrësit mund të djegin 400 deri në 600 kalori në orë, duke e bërë atë një opsion të shkëlqyeshëm për ata që kërkojnë të humbin ose ruajnë peshën.
Përfitimet e shëndetit mendor
Kontakti me ujin ka një efekt qetësues ndaj trurit. Lëvizjet e ndjeshme, ritmike të kombinuara me vetitë qetësuese të ujit mund të reduktojnë stresin, të përmirësojnë gjendjen shpirtërore dhe të përmirësojnë mirëqenien e përgjithshme psikike.
Edhe në ujë pihet ujë!
Edhe pse jeni në ujë, është thelbësore të qëndroni të hidratuar. Merrni me vete një shishe me ujë dhe pini nga një gllënjkë herë pas here në mënyrë që të mos dehidratoheni.
A rekomandohet për njerëzit me diagnozë?
Gjithmonë është mirë të konsultoheni me mjekun tuaj përpara se të filloni një stërvitje të re.
Aerobia në ujë është një mënyrë e shkëlqyer për të përmirësuar shëndetin e zemrës. Mund të ulë presionin e gjakut dhe kolesterolin e keq LDL dhe të rrisë kolesterolin e mirë HDL.
Nëse keni diabet, aerobia në ujë mund t’ju ndihmojë të çliroheni nga kilogramët e tepërt. Ashtu si ushtrimet e tjera aerobike, ato do t’ju ndihmojnë të mbani nën kontroll sheqerin në gjak. Diabeti mund të shkaktojë probleme me nervat dhe rrjedhjen e gjakut në këmbë, duke rritur rrezikun e lëndimit, por uji heq ngarkesën nga këmbët, duke i bërë ushtrimet të lehta.