Zbukurime krijuese festive për shtëpinë tuaj
Dëshironi më shumë ngrohtësi dhe magji festive në shtëpinë tuaj, por planet tuaja nuk realizohen gjithmonë sepse e keni bindur veten se për këtë ju duhen shumë para? Për një moment, kthehuni pas në fëmijërinë tuaj kur i keni krijuar vetë zbukurimet e Vitit të Ri. Sot, mund ta bëni të njëjtën gjë, veçanërisht duke qenë se zgjedhja e materialeve të përpunimit është e madhe, veç kësaj nuk do të shpenzoni shumë para, për të mos përmendur kohën e paçmuar të kaluar me nipërit duke bërë diçka krijuese. Në vijim ju ofrojmë ide për zbukurimin e shtëpisë me dekore të bëra nga materiale të thjeshta, por me efekt të madh.
Kurora për Vitin e Ri të bëra nga materiale natyrore
Kurora e Vitit të Ri është një dekor klasik që mund ta bëni vetë. Përdorni degë pishe ose bredhi, të cilat mund t’i mblidhni nga mjedisi juaj dhe lidhni me spango ose shirita zbukurues. Shtoni boçe pishe, portokaj të thatë, shkopinj kanelle dhe llamba të vogla për një pamje “rustike”, por festive. Këtë kurorë mund ta vendosni në derë, dritare ose si një qendër tavoline.
Mbajtëse qirinjsh prej kavanozi me motive dimërore
Kavanozët e vjetër të qelqit ju mund t’i ktheni lehtë në mbajtëse qirinjsh për festa. Lyeni pjesën e jashtme të kavanozit me ngjitës dhe spërkatni me sheqer për një efekt të akullt. Vendosni një qiri brenda dhe kur ta ndizni, drita do të krijojë një atmosferë magjike dimërore. Mund t’i dekoroni kavanozët me shirit të kuq, të bardhë dhe boçe pishe për një efekt të shtuar.
Pemë të vogla festash të bëra me fije të thurura
Me ndihmën e fillit të trashë jeshil ose thurjes, mund të krijoni pemë të vogla festash që do të duken shkëlqyeshëm si zbukurime në tavolinë, raft ose oxhak. Mbështillni fijet rreth letrës në formën e një koni dhe ngjitni. Pas tharjes zbukuroni pemët me yje ose perla të vogla për një efekt të plotë festiv.
Qirinj për Vitin e Ri me dekor festiv
Qirinjtë e festave të fundvitit janë një aksesor i shkëlqyer për të krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive. Merrni një qiri të thjeshtë të bardhë, me një perimetër më të madh dhe mbështillni me shkopinj kanelle që mund t’i ngjisni dhe t’i lidhni me fjongo festive ose spango. Kjo jo vetëm që do të duket bukur, por do t’i shtojë edhe një aromë të mrekullueshme festash shtëpisë suaj.
Më aktuale!
Zbukurime me fruta të thata
Rrotat e portokallit të tharë duken shkëlqyeshëm në pemën e Vitit të Ri, si një zbukurim tavoline në kombinim me gjethe karafili dhe shkopinj kanelle, ose si një plotësues i kurorës të bërë nga materiale natyrore.
Më e lehtë është të përdorni agrumet, por nëse vendosni për dardhë ose mollë, këshillohet që t’i zhysni copat në një tretësirë uji dhe limoni në mënyrë që të mos nxihen.
Prisni portokallet në rrathë të hollë, me trashësi rreth 5 mm. Radhisni në një tepsi të shtruar me letër për pjekje dhe lini të thahen në temperaturë të ulët në furrë (rreth 75°C) për 2-3 orë. Është e rëndësishme t’i ktheni ato çdo orë në anën tjetër që të thahen në mënyrë të barabartë. Pasi të jenë tharë, duke përdorur një gjilpërë dhe spango, shponi me kujdes rrathët dhe bëni varg.
Si një alternativë e kursimit të energjisë, mund t’i vendosni copat mbi një radiator të ndezur për disa orë, madje t’i lini të thahen edhe në ajër, gjë që do të zgjaste shumë më tepër dhe do të kërkonte një ambient të thatë.