Një test i thjeshtë që zbulon probleme të ndërlikuara
Çdo ditë e injorojmë, por në fakt urina është një nga treguesit më të mirë për gjendjen e brendshme të trupit. Pa kontrolle të shtrenjta apo pajisje, pamja, ngjyra dhe aroma e saj mund të japin sinjale të hershme për sëmundje që ende nuk kanë simptoma. Nuk është rastësi që analiza e urinës është ndër testet laboratorike më të shpeshta – ajo zbulon shumë për funksionin e veshkave, mëlçisë, metabolizmit, hormoneve, madje edhe për nivelin e hidratimit.
Pse është e rëndësishme urina?
Veshkat filtrojnë gjakun dhe largojnë mbetjet, lëngjet e tepërta, kripërat dhe kimikatet përmes urinës. Çdo devijim nga përbërja apo pamja normale mund të tregojë:
- Probleme me veshkat
- Infeksione të traktit urinar
- Dehidrim
- Diabet
- Çrregullim hormonal
- Çrregullime metabolike
Ngjyra e urinës – tregues kryesor për një sërë gjendjesh
E verdhë e çelët (e tejdukshme) Organizëm i shëndetshëm dhe i hidratuar
E verdhë e errët / ngjyrë ari Dehidrim i lehtë – pini më shumë lëngje
Ngjyrë qelibari e errët Dehidrim serioz ose probleme me mëlçinë
Rozë / e kuqërremtë Hematuri e mundshme (gjak në urinë) – kontroll urgjent mjekësor
Kafe Sëmundje e mëlçisë ose degradim i muskujve
E bardhë si qumështi Infeksion, qelb, fosfate – mund të nënkuptojë infeksion të traktit urinar
E shkumëzuar Proteina në urinë – shenjë e mosfunksionimit të veshkave
Kini parasysh që disa ushqime (si panxhari i kuq ose boronicat), vitaminat apo ilaçet, mund të ndryshojnë përkohësisht ngjyrën e urinës.
Aroma dhe frekuenca e urinimit
- Aroma e fortë, e ëmbël mund të jetë shenjë e diabetit (për shkak të ketoneve)
- Aroma e amoniakut tregon dehidrim ose infeksion bakteror
- Urinimi i shpeshtë gjatë natës (nokturia) mund të tregojë diabet, prostatë të zmadhuar ose dështim të zemrës
- Djegia gjatë urinimit pothuajse gjithmonë tregon infeksion të traktit urinar
Analiza e urinës – çfarë tregon?
Testi i zakonshëm i urinës shqyrton:
- Ngjyrën dhe dendësinë
- Vlerën pH (aciditetin)
- Proteinat – normalisht nuk duhet të ketë
- Glukozën – tregues i mundshëm për diabet
- Ketonet – shenjë për uri apo ketoza diabetike
- Leukocitet dhe nitritet – infeksione
- Eritrocitet (gjak) – traumë, gurë, tumore
- Bilirubina dhe urobilinogjeni – çrregullime të mëlçisë
Për analizë më të thelluar, pacientët udhëzohen në ekzaminim mikroskopik: qeliza, baktere, kristale (gurë), cilindra (dëmtime të veshkave).
Kur duhet të reagoni?
Nëse vëreni ndonjë nga simptomat e mëposhtme, qoftë edhe vetëm njërën, bëni një analizë laboratorike dhe vizitoni mjekun:
Gjak në urinë (hematuria)
Mund të jetë shenjë e infeksionit, gurëve, cistitit ose diçka më serioze si tumor.
Urinë me shkumë ose flluska
Prania e proteinave që mund të tregojë mosfunksionim të veshkave.
Aromë e fortë dhe e pazakontë që zgjat më shumë se disa ditë
Sidomos nëse është si amoniak, peshk ose fruta (diabet).
Djegie, dhimbje ose urinim i shpeshtë
Simptomë e zakonshme e infeksionit urinar, veçanërisht te femrat.
Urinë me ngjyrë të errët, kafe ose portokalli
Mund të jetë shenjë për probleme me mëlçinë, dehidrim ose dëmtime muskulore.
Si të ruani shëndetin e urinës dhe të veshkave?
Pini ujë mjaftueshëm – 1.5 deri në 2 litra në ditë, sipas nevojave.
Kufizoni marrjen e kripës – kripa ngarkon filtrin e veshkave.
Shmangni pijet e ëmbëlsuara – rrisin rrezikun për gurë në veshka.
Bëni aktivitet fizik – sporti përmirëson metabolizmin dhe funksionin e veshkave.
Hani ushqime të pasura me antioksidantë – brokoli, boronica, shalqi.
Këshilla që do t’ju japë çdo nefrolog!
Mos injoroni simptomat, trupi juaj po ju flet përmes tyre – është e rëndësishme ta dëgjoni në kohë.
Mos u mjekoni vetë me analgjetikë për më shumë se 3-5 ditë. Ilaçet si ibuprofeni, diklofenaku dhe disa antibiotikë mund të dëmtojnë funksionin e veshkave me përdorim të rregullt.
Mos pini shumë lëngje “me zor”. Sasia e tepërt e ujit, sidomos te njerëzit me funksion të dëmtuar të veshkave, mund të shkaktojë çrregullime elektrolitike dhe helmim me natrium.
Mos përdorni çajra “detoks” dhe suplemente pa rekomandim të mjekut. Disa bimë (si Aristolochia) janë nefrotoksike dhe mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme.
Dhimbje që nuk harrohet: Çfarë do të thotë kur ka gurë në urinë?
Një nga problemet e shpeshta me sistemin urinar, që shpesh jep shenja përmes urinës, është guri në veshkë ose siç njihet në mjekësi, nefrolitiaza.
Çfarë janë gurët në veshka?
Ato janë depozita të forta minerale që formohen kur urina është e tejmbushur me kristale: kalcium, oksalate, fosfate dhe substanca të tjera. Në vend që të eliminohen, ato grumbullohen dhe krijojnë gurë nga disa milimetra deri në disa centimetra.
Si krijohen?
Shkaqet më të zakonshme:
- Pirja e pamjaftueshme e ujit
- Konsumim i tepërt i kripës, mishit dhe ushqimeve me oksalate (si spinaqi, arrat, çokollata)
- Predispozitë gjenetike
- Disa suplemente dhe ilaçe (p.sh., marrje e tepërt e vitaminës D, kalciumit, diuretikëve)
- Infeksione kronike ose sëmundje të veshkave
Simptomat
Ndërsa guri rri në qetësi, nuk ka simptoma. Por, kur lëviz, shkakton:
- Dhimbje intensive në pjesën e mesit, që mund të përhapet drejt ijëve.
- Të përziera dhe të vjella.
- Gjak në urinë (hematuri) – urina bëhet rozë, e kuqe ose kafe.
- Djegie gjatë urinimit, shpesh nëse ka infeksion.
- Bllokim i rrjedhjes së urinës – situatë urgjente.
Diagnoza
Analiza e urinës – tregon gjak mikroskopik, kristale, vlerën pH
EHO (ultratinguj) ose CT-skaner – zbulon vendndodhjen e saktë dhe madhësinë e gurit
Teste laboratorike – për vlerësimin e kalciumit, oksalatit dhe parametrave të tjera në gjak dhe urinë