“Këngët janë emocion më vete, kurse unë e përcjell atë që ndiej pa keqardhje”
Shkupi në verë është i qetë dhe i nxehtë, por për Dani Dimitrovskën kjo është kohë për mendime krijuese, prova me grupin dhe shëtitje në mbrëmje buzë lumit. Prej 25 vitesh ajo qëndron në skenë si një nga zërat më të njohur të muzikës pop maqedonase. Në këto dy dekada e gjysmë, Dani ndryshonte dhe rritej – si grua, si artiste dhe si personalitet. Sot ajo flet për pranimin e vetes si pjesa më e bukur e pjekurisë, për qetësinë si terapi, për amësinë si mësim jete dhe për muzikën që mbetet shprehja e saj më e lirë.
Dani, ku gjendeni momentalisht? Po punoni për muzikë të re, po performoni, po bëni një pauzë apo jeni e përkushtuar ndaj familjes?
Më gjetët në shtëpi. Në Shkupin gjysmë të zbrazët. Në këtë mot të thatë e të nxehtë, nën kondicioner. Po sistemoj detyrimet e përditshme, po përfundoj projekte të mbetura, po bëj prova me grupin për performancat e ardhshme… Në një periudhë kohe për veten, për mendime krijuese, për shëtitje në mbrëmje buzë lumit.
Kanë kaluar vite që kur për herë të parë keni dalë para mikrofonit – si ju kanë ndryshuar ato vite si grua, artiste dhe personalitet?
Kanë kaluar 25 vite që kur për herë të parë dola para mikrofonit në një skenë të madhe. Ndryshimi është një proces natyral. Pranimi i vetes është pjesa më e bukur e pjekurisë. E deri atje ka një rrugë për ecje plot me mësime, sfida, tundime dhe njohuri. Ne ndryshojmë sipas asaj që përjetojmë, ndërsa përjetojmë atë për të cilën jemi të paracaktuar. Jam mirënjohëse për të gjitha rëniet dhe ngritjet, ato më kanë ndërtuar. Besoj se përvoja të reja presin për t’u realizuar dhe faleminderit Zotit që është kështu.
A besoni se zëri piqet bashkë me shpirtin? A ka këngë që sot i interpretoni ndryshe, me një emocion të ri?
Gjithçka piqet, gjithçka ndryshon. E këngët… ehh, këngët janë emocion më vete. E unë, si një person i ndjeshëm i pandreqshëm, përcjell atë që ndiej pa keqardhje. Nuk ka asgjë më çliruese se këndimi. Një e vërtetë e udhëhequr nga gjendja e brendshme, e cila shumë shpesh është e ndryshme. Prandaj edhe këndimi është i ndryshëm. Nuk ekzistojnë ndjenja të gabuara, as interpretime të gabuara dhe kjo është një nga bukuritë e këtij profesioni.
Kur ktheheni pas – cili moment nga karriera ju është më i dashur, e cili më sfidues?
Nga ky këndvështrim, periudha më simpatike për mua është fillimi. Një hyrje krejtësisht naive në Makfest, pa asnjë ide për ndonjë plan, e aq më pak qëllim. Një kërkim i pafajshëm i vetes, pa drejtim e kahe. Nga ky këndvështrim, pjesa argëtuese e karrierës është rruga e përshkuar në të cilën e ndërtoja veten si mozaik, duke u bashkuar pjesë pas pjese, miliona forma të vogla të parregullta që përpiqesha t’i përshtas me kushtet, kohën, shijet, kornizat, mentalitetet e dhëna… vite të kaluara në gjendje emocionale të panumërta, duke u përpjekur që secila copëz e mozaikut të jetë në vendin e saj. Ende është pjesa më argëtuese e karrierës sime dhe jo të gjitha pjesët janë në vendin e parashikuar. Nuk është i plotë dhe as i përsosur, por është mozaiku më i larmishëm dhe më i bukur që unë njoh.
Periudha më sfiduese është kjo që po jetoj sot. Me teknologjitë dhe përkufizimet e reja për një këngë të mirë.
A ka momente kur qetësia është më e rëndësishme për ju se muzika?
Po. E dua qetësinë. Më ndikon në mënyrë terapeutike dhe e dëgjoj rregullisht. Është po aq e rëndësishme për mua sa edhe muzika.
A keni ndonjë ritual tuajin para performancës? Diçka që ju lidh me veten para se të dilni në skenë?
Nuk kam rituale. Dal në skenë ashtu siç jam në atë moment. Ashtu jam më e lirë për t’u lidhur me publikun. E pakufizuar, pa mendjemadhësi, e hapur dhe me të gjitha shqisat e mprehura. Atëherë jam gati të jap gjithçka që kam dhe të marr gjithçka që meritoj.
Si duket një ditë e zakonshme për ju kur nuk jeni në skenë?
Ditën time e përcakton mëngjesi, kurse mëngjesin mendimet. Zakonisht jam një person që qëndron në shtëpi. I dua pizhamet, kuzhinën dhe kompjuterin. Kur dua të gatuaj, mëngjeset janë të destinuara për blejre në treg. Orët e mbrëmjes, veçanërisht gjatë verës, janë të rezervuara për shëtitje të gjata. Kur nuk gatuaj, shkruaj. Kur nuk shkruaj, rregulloj dollapin që kurrë nuk është i rregulluar, kurse për 30 lulet e mia kam orë të veçanta për kujdesin ndaj tyre, që të grinden mes vete mbi temën: cili gjeth shkëqen më shumë?
Në një botë që vazhdimisht vrapon – si e ruani lidhjen me veten?
Shkëputem nga bota. Në mënyrë të fshehtë dhe pa paralajmërim.
Shpesh ju identifikojnë si emocionale dhe të fortë – a e përjetoni veten kështu edhe në jetën e përditshme?
Gjithmonë.
Si e ka ndryshuar amësia perspektivën tuaj – jo vetëm ndaj muzikës, por edhe ndaj jetës?
U bëra nënë në moshën 21-vjeçare. Nuk mendoja për perspektiva personale, edhe pse e dija që kisha miliona aftësi. Kisha fat që udhëhiqesha nga instinkti, merrja vendime në çast, njihja impulsin tim dhe veproja. Amësia më hapi një botë të re dhe më vërtetoi se gjithçka që më ndodh është ajo që e meritoj dhe të cilën jam gati të përballoj. Në mënyrë të merituar. Për të mire ose për mësim.
Kur keni bërë për herë të fundit diçka vetëm për veten tuaj, pa ndjenja faji?
Bëj gjëra për veten dhe nuk ndiej faj. Përpiqem të lëviz kufijtë e mi, i jap vetes detyra shtëpie, e pyes dhe e shpërblej.
A keni ndjerë pabarazi në industrinë e muzikës për shkak se jeni grua?
Pabarazi, jo.
Sot nga artistët pritet një prani e vazhdueshme – në rrjetet sociale, përgjigje të shpejta, përmbajtje të reja, të jenë të hapur ndaj komplimenteve, por edhe për kritika të menjëhershme. Më parë gjithçka përmblidhej në një autogram modest, ndërsa sot duket sikur artisti jeton gjithmonë në një “sallë të mbushur” me publik i cili kurrë nuk shkon në shtëpi. Si e përballoni këtë presion dhe si ruani paqen tuaj të brendshme?
Ekziston presion vetëm nëse konkurron me dikë tjetër. Mjetet e reja për popullaritet krijuan një platformë për çdo individ në kërkim të famës dhe vëmendjes. Aty ka një xhungël presioni dhe konkurrence. Program i ngjeshur dhe hapësirë e ngarkuar me paraqitje të shkurtra/shpejta. Nuk jam pjesë e asaj loje, edhe pse ka shumë ndikim. Sot është e lehtë të bëhesh popullor, por sfida e vërtetë është me përgjegjësinë që vjen më pas. Gjithçka varet se çfarë dëshiron të realizosh dhe për çfarë qëllimi. Kohë më parë e kam qartësuar se kush jam dhe zgjedhja ime është marrëdhënia përmes këngës. Kjo është paqja ime.
Dukeni e freskët, energjike dhe rinore – cili është sekreti juaj? A është çështje gjenetike, mënyrë jetese apo diçka tjetër?
Nuk jam gjithmonë e freskët dhe energjike. Ka momente kur nuk jam asgjë nga kjo. Por, çdo ditë e re është një fillim i ri. Një fletë e re, e pastër. Njohuri të reja, probleme të vjetra. Zgjedhje të reja. Gjithçka luan rolin e vet në shfaqjen e madhe-të vogël. Koka është një lidhje shumë e rëndësishme. Mendimet janë motori. Qëndrimi pozitiv është arsye për buzëqeshje. Vallëzo sikur askush nuk të shikon. Ky është sekreti im i jetës për jetën.
Çfarë do t’u thonit lexuesve tanë që jetojnë me sfida shëndetësore, brenga familjare dhe gjithnjë e më pak kohë për veten?
Të gjithë ne kemi sfida shëndetësore, brenga familjare dhe probleme të përditshme, të cilat si mushkonjat e bezdisshme, presin qetësinë për t’u dëgjuar. Kohët e fundit lexova në një libër, ku autori thotë: “Mos u shqetëso për diçka që nuk ka zgjidhje dhe mos u shqetëso për diçka që ka zgjidhje”.
Asgjë nuk është më e rëndësishme se ky moment dhe se si e kalon atë.
Nëse jeta është një këngë – cilën do ta këndonit sot?
Let It Be.