E vërteta pas shijes së ëmbël pa kalori
Në kërkim të ushqimeve më të shëndetshme dhe për të zvogëluar sasinë e sheqerit, shumë njerëz po u drejtohen ëmbëlsuesve artificialë. Ato premtojnë një shije të ëmbël pa kalori, por a janë vërtet aq të padëmshme sa duken? Hulumtimet zbulojnë se përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.
Çfarë janë ëmbëlsuesit artificialë?
Ëmbëlsuesit artificialë janë përbërje kimike që përdoren për të ëmbëlsuar ushqimet dhe pijet, të cilat nuk kanë pothuajse asnjë vlerë ushqyese. Edhe pse kanë shije të ngjashme me sheqerin, ato janë shumë herë më të ëmbla, kështu që sasia e nevojshme është aq e vogël saqë praktikisht nuk ofron asnjë kalori.
Si funksionojnë ëmbëlsuesit?
Gjuha jonë është e mbushur me papila të shumta që përmbajnë receptorë për shije të ndryshme. Kur një molekulë përshtatet në mënyrë të përsosur në një receptor, ajo dërgon një sinjal në tru, i cili e njeh shijen. Për shembull, molekulat e sheqerit lidhen me receptorin e ëmbël, duke i lejuar trurit të identifikojë atë shije.
Molekulat e ëmbëlsuesve artificialë janë mjaft të ngjashme me ato të sheqerit për t’u njohur nga receptorët e ëmbël, por në shumicën e rasteve janë shumë të ndryshme që trupi t’i zbërthejë. Prandaj, këta ëmbëlsues krijojnë një shije të ëmbël pa shtuar asnjë kalori shtesë.
Ekziston një numër i vogël ëmbëlsuesish që trupi mund t’i zbërthejë pjesërisht në kalori, por për shkak se përdoren në sasi shumë të vogla, ato praktikisht nuk shtojnë kalori.
Disa nga ëmbëlsuesit artificialë më të zakonshëm të miratuar janë: acesulfam-K, aspartam, sakarinë, sukralozë dhe sorbitol.
Ëmbëlsuesit artificialë janë të ndryshëm nga ëmbëlsuesit ushqyes, siç janë alkoolet e sheqerit (p.sh., sorbitoli), të cilët shtojnë karbohidrate dhe kalori, por nuk përmbajnë pothuajse asnjë vitaminë ose mineral.
A janë të sigurt ëmbëlsuesit artificialë?
Si rregull, të gjithë ëmbëlsuesit artificialë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta të sigurisë përpara se të miratohen për përdorim. Ligji rregullon saktësisht sasinë e lejuar dhe llojin e produkteve në të cilat mund të përdoren. Prandaj, të gjithë ëmbëlsuesit e miratuar konsiderohen alternativa të sigurta dhe të pranueshme të sheqerit.
Megjithatë, ato nuk janë të përshtatshme për të gjithë. Për shembull, njerëzit me fenilketonuri (PKU) – një çrregullim i rrallë trashëgues – duhet të shmangin aspartamin, sepse përmban fenilalaninë, një aminoacid që trupi i tyre nuk mund ta metabolizojë. Nëse një produkt përmban aspartam, ai duhet të deklarohet në etiketë – me fjalën aspartame ose me numrin e tij E E951.
Hulumtimet mbi ndikimin e ëmbëlsuesve artificialë në shëndet japin rezultate të përziera, me përfitime të shumta të mundshme, por edhe rreziqe.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe oreksi
Të dhënat se si ëmbëlsuesit artificialë ndikojnë ndaj oreksit dhe peshës janë kontradiktore.
Disa studime treguan se ata mund të rrisin oreksin dhe të kontribuojnë në shtimine peshës trupore. Një teori është se ato nuk arrijnë të aktivizojnë rrugët e shpërblimit në tru që krijojnë ndjesinë e ngopjes pas ngrënies.
Gjithashtu, për shkak se kanë shije të ëmbël, por nuk përmbajnë kalori, ata mund ta ngatërrojnë trurin dhe të shkaktojnë ndjenja të zgjatura urie, madje edhe dëshirë për sheqer.
Në një studim, njerëzit që pinin më shumë se 21 pije diete në javë, kishin dyfish më shumë gjasa të shtonin në peshë në krahasim me ata që nuk konsumonin pije të tilla. Është interesant një studim i kryer me minj laboratorikë, i cili tregoi se shumica e tyre zgjodhën ëmbëlsuesin sakarinë mbi kokainën – duke treguar një rrezik potencial të varësisë.
Nga ana tjetër, studime të tjera kanë zbuluar se ëmbëlsuesit artificialë mund të ndihmojnë në reduktimin e oreksit dhe kontrollin e dëshirës për ushqim, veçanërisht kur përdoren si zëvendësues të sheqerit. Pjesëmarrësit në një studim deklaruan se ndiheshin më pak të uritur dhe konsumonin më pak kalori pasi zëvendësuan produktet e ëmbëlsuara me produkte diete.
Bazuar në këto rezultate, ëmbëlsuesit artificialë shoqërohen me peshë më të ulët trupore, përqindje më të ulët të yndyrës dhe një bel më të hollë.
Megjithatë, zgjedhja e produkteve dietike nuk do të çojë në humbje peshe nëse personi kompenson ndryshimin me ushqime të tjera me shumë kalori. Dhe meqenëse çdo trup reagon ndryshe, është e rëndësishme të gjendet ekuilibri personal.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe shëndeti i zorrëve
Zorra e njeriut përmban deri në 1.000 lloje bakteresh, të njohura si mikrobiota e zorrëve, të cilat luajnë një rol kyç në tretje dhe shëndetin e përgjithshëm.
Hulumtimet tregojnë se përbërja e këtyre baktereve varet nga ushqimi – duke përfshirë edhe marrjen e ëmbëlsuesve artificialë. Disa studime tregojnë se ato mund të ndikojnë negativisht në ekuilibrin e baktereve të dobishme.
Në një studim, te minjtë që konsumuan sakarinë, u vunë re ndryshime në mikrobiomë dhe një rënie në numrin e baktereve të mira. Rezultate të ngjashme u morën edhe për sukralozën. Studime të tjera kanë zbuluar se njerëzit që përdorin rregullisht ëmbëlsues artificialë kanë një profil të ndryshëm të baktereve në zorrën e tyre për dallim nga ata që nuk i përdorin.
Megjithatë, disa studime sugjerojnë se këto efekte mund të shfaqen vetëm te një pjesë e njerëzve, kështu që nevojiten studime të mëtejshme.
Disa studime paralajmërojnë se disa ëmbëlsues ushqyes, të njohur si poliolë (sorbitol, ksilitol, eritritol), mund të kenë efekt laksativ nëse konsumohen në sasi të mëdha. Sipas ligjit, nëse poliolet përbëjnë më shumë se 10% të një produkti, ai duhet të shënohet në paketim.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe kanceri
Sipas Cancer Research UK, nuk ka prova bindëse që ëmbëlsuesit artificialë shkaktojnë kancer.
Megjithatë, disa studime tregojnë se efekti varet nga sasia e konsumuar. Marrja e tepërt mund të ketë pasoja negative.
Në një studim, konsumimi ditor i pijeve dietike ishte i lidhur me një rrezik 36% më të lartë të sindromës metabolike – një gjendje që përfshin pesë faktorë rreziku (tension të lartë të gjakut, kolesterol të lartë dhe sheqer në gjak), i cili shoqërohet me një rrezik më të lartë për disa lloje të kancerit.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe shëndeti oral
Dieta e pasur me sheqer është një faktor rreziku i njohur për prishjen e dhëmbëve. Zëvendësimi i sheqerit me ëmbëlsues artificialë mund të ketë një efekt pozitiv në shëndetin e dhëmbëve.
Sipas Colgate, ndryshe nga sheqeri, ëmbëlsuesit artificialë nuk janë kariogjenikë, gjegjësisht nuk kontribuojnë në prishjen e dhëmbëve. Disa studime madje sugjerojnë se ato mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të vlerave të pH-së në gojë dhe në uljen e numrit të baktereve që sulmojnë smaltin.
Megjithatë, pijet dietike përmbajnë gjithashtu acide që mund të dëmtojnë smaltin, prandaj Harvard Medical School këshillon moderim – zëvendësimi i sheqerit me ëmbëlsues artificialë nuk do të thotë që pija bëhet e shëndetshme.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe ushqimi
Edhe pse mund të ndihmojnë në uljen e marrjes së sheqerit, përdorimi i tepërt i ëmbëlsuesve mund të ndikojë në mënyrën se si e përjetojmë shijen.
Meqenëse janë jashtëzakonisht të ëmbla, ato mund t’i bëjnë ushqimet që janë të ëmbla nga vet natyra, siç janë frutat, të duken më pak tërheqëse, kurse perimet madje të pakëndshme për t’u ngrënë. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në uljen e marrjes së vitaminave, mineraleve dhe fibrave, të cilat janë thelbësore për shëndetin e zemrës dhe parandalimin e diabetit.
Ëmbëlsuesit artificialë dhe diabeti
Qëllimi kryesor i ëmbëlsuesve artificialë është të reduktojnë marrjen e sheqerit, kështu që ato mund të jenë veçanërisht të dobishëm për njerëzit me diabet – duke ofruar ëmbëlsi pa ndryshime të papritur të niveleve të sheqerit në gjak.
Hulumtimet tregojnë se ato nuk ndikojnë në nivelet e glukozës ose insulinës, por moderimi është çelësi. Një studim zbuloi se konsumimi i përditshëm i pijeve dietike ishte i lidhur me një rrezik 67% më të lartë të diabetit të tipit 2 krahasuar me njerëzit që nuk i konsumojnë.
