Gjatë këtyre festave, dhuroni me zemërgjerësi

Gjatë këtyre festave, dhuroni me zemërgjerësi

Vetëm kështu do të jeni të shëndetshëm dhe të lumtur!

Blerjet e festave janë të frikshme për portofolin tuaj, por edhe për nervat tuaja? Të befasosh të dashurit tuaj me një buxhet të kufizuar nuk është një detyrë e lehtë? Por hulumtimet thonë se angazhimi juaj do të shpërblehet. Studimet e reja konfirmojnë se dhurimi i dhuratave jo vetëm që sjell përfitime për pranuesit, por gjithashtu kontribuon në shëndet dhe lumturi më të mirë për dhuruesit. Për më tepër, akti i dhurimit çon në forcimin e të gjithë komunitetit.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë që duhet të shpenzoni një pasuri të tërë për të shijuar përfitimet e dhënies së dhuratave. Hulumtimet tregojnë se të njëjtat përfitime vijnë nga dhurimi për bamirësi ose vullnetarizmi në një kuzhinë popullore, shtëpi për jetimët, etj.

Dhurimi na bën të lumtur.

Një studim i vitit 2008 nga profesori i Harvardit, Majkëll Norton dhe kolegët e tij, zbuloi se dhurimi i parave dikujt tjetër rrit lumturinë e njerëzve më shumë sesa shpenzimi i tyre për vete (edhe pse pjesëmarrësit parashikuan se shpenzimi për veten e tyre do t’i bënte ata më të lumtur). Ekspertja e lumturisë Sonja Ljubomirski, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Riversajd, arriti rezultate të ngjashme kur u kërkoi pjesëmarrësve të kryenin nga pesë akte mirësie çdo javë, për një periudhë prej gjashtë javësh.
Këto ndjenja të mira pasqyrohen në biologjinë tonë. Në një studim të vitit 2006, Xhorxh Moll dhe kolegët e tij në “Institutin Kombëtar të Shëndetit” zbuluan se kur njerëzit dhurojnë për bamirësi, kjo aktivizon zonat e trurit që lidhen me kënaqësinë, lidhjen sociale dhe besimin. Shkencëtarët besojnë gjithashtu se sjellja altruiste çliron endorfinë në tru, duke shkaktuar ndjenja pozitive.

Dhurimi bën mirë për shëndetin.

Një spektër i gjerë kërkimesh i lidh format e ndryshme të zemërgjerësisë me përmirësimin e shëndetit, madje edhe te të sëmurët dhe të moshuarit. Në librin e tij “Pse gjërat e mira u ndodhin njerëzve të mirë”, Stiven Post, një profesor universiteti i mjekësisë parandaluese, pohon se dhënia e dhuratave gjithashtu ka përfitime për njerëzit me sëmundje kronike, duke përfshirë HIV-in dhe sklerozën e shumëfishtë.

Një studim i vitit 1999 i udhëhequr nga Dag Oman i Universitetit të Kalifornisë, Berkli, zbuloi se personat më të moshuar që dolën vullnetarë në dy ose më shumë organizata kishin 44% më pak gjasa të vdisnin (gjatë një periudhe 5-vjeçare) krahasuar me ata që nuk dolën vullnetarë, edhe pse zakonet e tyre të stërvitjes, shëndetit të përgjithshëm dhe zakonet negative shëndetësore si pirja e duhanit, ishin të kontrolluara rreptësisht. Stefani Braun nga Universiteti i Miçiganit mori rezultate të ngjashme në një studim të bërë në vitin 2003 çifteve të moshuar. Ajo dhe kolegët e saj zbuluan se ata që u jepnin ndihmë praktike miqve, të afërmve ose fqinjëve, ose u jepnin mbështetje emocionale bashkëshortëve të tyre, kishin një rrezik më të ulët të vdekjes gjatë një periudhe pesëvjeçare sesa ata që nuk e bënin këtë. Është interesante se marrja e ndihmës nuk ishte e lidhur me një rrezik të reduktuar nga vdekja.

Studiuesit sugjerojnë se një nga arsyet që dhurimi mund të përmirësojë shëndetin fizik dhe jetëgjatësinë është se ndihmon në uljen e stresit, i cili është shkaku i problemeve të ndryshme shëndetësore. Në një studim të vitit 2006 i Rejçell Piferi nga Universiteti Xhons Hopkins dhe Kejtlin Lauler nga Universiteti i Tenesit, njerëzit që u ofronin të tjerëve mbështetje sociale kishin presion më të ulët të gjakut sesa ata që nuk e bënin këtë, duke sugjeruar një përfitim të drejtpërdrejtë fiziologjik për ata që investojnë veten për të tjerët.

Dhurimi e forcon lidhjen sociale.

Kur jepni, keni më shumë gjasa të merrni diçka në këmbim. Disa studime, duke përfshirë punën e sociologëve Brent Simpson dhe Rob Viller, thonë se kur u jepni të tjerëve, bujaria juaj ka të ngjarë të shpërblehet më vonë – ndonjëherë nga personi që i keni dhënë, ndonjëherë nga dikush tjetër.
Këto shkëmbime nxisin një ndjenjë besimi dhe bashkëpunimi që i forcon lidhjet tona me të tjerët, kurse hulumtimet kanë treguar se ndërveprimet pozitive sociale janë çelësi për një shëndet të mirë fizik dhe mendor.

Dhurimi nxit ndjenjën e mirënjohjes.

Pavarësisht nëse jepni ose merrni dhuratë, shërbim, vëmendje, mbështetje, ajo dhuratë sigurisht që do të ngjallë ndjenjën e mirënjohjes. Mund të jetë një mënyrë për të shprehur mirënjohje nga ana e dhënësit, ose mund të mbjellë një ndjenjë mirënjohjeje te pranuesi. Hulumtimet kanë treguar se mirënjohja është një pjesë integrale e lumturisë, shëndetit dhe lidhjeve sociale. Kultivimi i ndjenjës së mirënjohjes çon në një mënyrë jetese optimiste. Një studim më i fundit, i udhëhequr nga Nataniel Lambert i Universitetit të Floridës, zbuloi se shprehja e mirënjohjes ndaj një shoku të afërt ose partnerit e forcon lidhjen me atë person.

Barbara Fredrikson, një pioniere në kërkimin e lumturisë, këshillon se kultivimi i mirënjohjes në jetën e përditshme është çelësi për rritjen e lumturisë personale. “Kur shprehni mirënjohjen tuaj me fjalë apo veprime, ju jo vetëm që përforconi pozitivitetin tuaj, por edhe pozitivitetin e të tjerëve”, thotë ajo. “Për më tepër, ju fuqizoni mirësinë e tyre dhe përforconi lidhjen tuaj me njëri-tjetrin”.

Dhurimi është ngjitës.

Kur japim, ne nuk po ndihmojmë vetëm pranuesin e drejtpërdrejtë të dhuratës sonë. Nxisim gjithashtu një efekt të valëzuar bujarie në komunitetin tonë.
Hulumtimi i Xhejms Fllouer i Universitetit të Kalifornisë, San Diego dhe Nikolas Kristakis nga Harvardi, i botuar në “Proceedings of the National Academy of Science“, tregon se kur një person vepron me zemërgjerësi, kjo i frymëzon njerëzit përreth tij që të sillen në të njëjtën mënyrë ndaj njerëzve të tjerë. Në fakt, studiuesit kanë zbuluar se altruizmi mund të përhapet në tri shkallë – nga personi në person, pastaj te tjetri, dhe te tjetri. Si rezultat i kësaj, çdo person në rrjet mund të ndikojë në dhjetëra apo edhe qindra njerëz të panjohur.

Dhurimi, gjithashtu lidhet me çlirimin e oksitocinës, një hormon që shkakton ndjenja ngrohtësie, euforie dhe lidhjeje me të tjerët. Hulumtimet laboratorike tregojnë se një dozë oksitocine nxit bujarinë dhe ndjeshmërinë te njerëzit dhe këto “simptoma” zgjasin deri në dy orë.

Pra, pavarësisht nëse blini dhurata, bëheni vullnetarë apo dhuroni para për bamirësi këtë sezon festash, dhurimi juaj është shumë më tepër se një detyrim i fundvitit. Mund t’ju ndihmojë të krijoni lidhje më të forta sociale dhe madje të shkaktojë një ortek zemërgjerësie në komunitetin tuaj. Dhe mos u habitni nëse ndjeni një dozë të madhe lumturie në këtë proces.