Gripi sezonal është një infeksion akut respirator i shkaktuar nga viruset e gripit, i zakonshëm në të gjithë vendet e botës.
Simptomat dhe trajtimi
Gripi përhapet lehtësisht në mesin e popullatës përmes kollitjes ose teshtitjes. Simptomat e gripit përfshijnë fillimin akut të etheve, kollës, dhimbjes së fytit, dhimbjeve të trupit dhe lodhjes.
Trajtimi duhet të synojë lehtësimin e simptomave. Pacientët me grip duhet të pushojnë dhe të pinë sa më shumë lëngje. Shumica e pacientëve shërohen vetë brenda një jave. Kujdesi mjekësor mund të jetë i nevojshëm për rastet e rënda dhe për pacientët me faktorë rreziku.
Grupet e rrezikut
Personat me rrezik më të lartë nga gjendjet më të rënda ose komplikimet kur infektohen me virusin e gripit janë gratë shtatzëna, fëmijët nën 5 vjeç, të moshuarit, njerëzit me gjendje kronike mjekësore (si sëmundjet kronike të zemrës, mushkërive, veshkave, metabolike, neuroprogresive, sëmundje të mëlçisë ose sëmundje hematologjike) dhe njerëz me gjendje/trajtime imunosupresive (të tilla si HIV, që marrin kimioterapi ose steroide, ose vuajnë nga sëmundje malinje).
Mjekët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor janë të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë nga nfektimi me virusin e gripit për shkak të rritjes së ekspozimit ndaj pacientëve, por edhe për përhapje të mëtejshme, veçanërisht te personat e ndjeshëm. Vaksinimi mund të mbrojë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe personat rreth tyre.
Epidemitë mund të rezultojnë me një numër të madh mungesash nga vendet e punës dhe shkollat, e si pasojë humbje të produktivitetit. Klinikat dhe spitalet mund të mbingarkohen gjatë periudhave të pikut të sëmundjes.
Parandalimi
Vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin.
Vaksinat e sigurta dhe efektive janë përdorur për më shumë se 60 vjet. Imuniteti nga vaksinimi shuhet me kalimin e kohës, prandaj rekomandohet vaksinimi vjetor kundër gripit.
Vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për personat me rrezik të lartë të komplikimeve nga gripi dhe punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor.
Mjeku juaj i familjes mund t’ju japë më shumë informacione dhe të caktojë një takim për vaksinim.
Mënyra të tjera për të parandaluar gripin
Lani duart rregullisht, mbuloni gojën dhe hundën kur kolliteni ose teshtini, shamitë e përdorura mënjanoni me kujdes dhe në mënyrën e duhur, qëndroni në shtëpi kur nuk ndiheni mirë, shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit e sëmurë, shmangni prekjen e syve, hundës ose gojës.