Dramaturgia më e madhe e skenës së modës
Ivana Knez është një nga të paktat stiliste e cila pavarësisht turbulencave të shumta në botën e modës, ende stilizon me shumë dashuri dhe përkushtim. Krijimet e saj janë dramatike, artistike dhe krejtësisht unike, epitete të cilat në skenën e modës i përkasin vetëm njohësve të vërtetë të modës, të cilët kanë punuar shumë dhe janë edukuar për ta quajtur veten jo vetëm stilistë të modës, por edhe diktatorë të tendencave.
Në epokën e mënyrave të shpejta të fitimit të parave, industria e tekstilit nuk zgjedh mjetet për të arritur qëllimin e saj. Ajo ndot, mbështetet në fuqinë punëtore të pambrojtur, madje edhe atë të fëmijëve, shkel ligje të panumërta natyrore dhe të drejta të njeriut për të arritur në shifrën e imagjinuar me shumë zero.
Ndërsa jeni duke pritur në radhë, së bashku me mijëra gra dhe burra në mbarë botën që dëshirojnë të njëjtën veshje si ju (për të cilën ndoshta nuk keni kurrfarë nevojë reale), kujtohuni se ajo ka kaluar në duart e ndonjë gruaje të rraskapitur në Bangladesh e cila nuk ka as ujë të pastër për të pirë.
A e keni tani pak më të qartë madhështinë e stilistëve të modës, veçanërisht atyre si Ivana që nuk heqin dorë nga interpretimet e tyre të modës edhe me koston e fitimeve të tyre?
Maqedoni, Serbi, Turqi, Angli, Holandë, e deri në Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëtojnë koleksionet e kësaj zonje dramatike e cila merr frymë për modën.
Kishit nderin të hapni sezonin e katërt të Festivalit të Modës në Shkup me një koleksion të ri dhe 15 vite kreativitet të jashtëzakonshëm pas jush. A jeni krenare për veten tuaj? Në këto 15 vite, a i keni arritur të gjitha qëllimet tuaja të imagjinuara përmes modës?
Mendoj se qëllimet dhe idetë e përcaktuara janë të rezervuara për pjesën e organizuar të shoqërisë, veten e kategorizoj te njerëzit kreativë, për ne vlejnë rregulla të tjera. Babai im i ndjerë thoshte: Ivana, ti je artiste, ne ty nuk të kuptojmë, e lëre më bota. Nuk i kam arritur të gjitha qëllimet e mia të imagjinuara, kam akoma, po vloj dhe duhet ta nxjerr, më duhet të punoj akoma më shumë, më shumë dhe më shumë. Secilën herë më shumë dhe më mirë, konkurroj me veten.
Na tregoni pak më shumë për koleksionin e fundit, çfarë ju frymëzoi dhe kujt i dedikohej? Në fakt, si qëndroni e frymëzuar dhe kreative sezon pas sezoni?
Të gjitha modelet e mia nga RTW deri te ky koleksion kanë qenë për gra të guximshme dhe me vetëbesim. Gjithçka që bëj synon idealin tim për një grua, një grua që jeton me të vërtetë, nuk mbijeton, që ka më shumë ambicie se gatimi i një vakti dhe një pëlqim në një foto gjysmë të zhveshur në Instagram, një që arsimimin e vë para televizionit dhe që nuk ka frikë të qëndrojë vetëm me veten.
Ky është një nderim i vakët për punën time të 15 viteve pas, duhej të plotësoja dozën, gjithsesi jam ende e vetëdijshme se ku krijoj dhe cila është shija e vendit. Në fund të ditës i paguaj vetë faturat e mia, është mbi të gjitha shkas i ekzistencës sime krijuese, që ndoshta është edhe fajtori i suksesit tim, unë njoh audiencën time.
A mund të na shëtitni përmes procesit tuaj krijues nga konceptimi i idesë deri te produkti përfundimtar? A ka ndonjë ritual apo rutinë që ndiqni gjatë stilimit?
Qasja ime është më shumë piktoreske dhe filozofike, më pëlqen shumë të futem në bërthamë dhe thelb, në botën time vetëm ngjyra blu është platonike. Unë nuk kam rregulla, kam një histori dhe nuk kam afate kohore, ndonjëherë di të zhdukem për ditë të tëra, kurse ndonjëherë herë di edhe të mos prek asgjë.
Si arrini të lëvizni mes tendencave dhe ende i qëndroni besnike vizionit tuaj? Me çfarë sfidash përballeni si stiliste mode dhe si i tejkaloni ato?
Kjo është fuqia e edukimit, sido që të jetë, unë jam një krijuese e arsimuar. Kam mbaruar “Akademinë e arteve të bukura” në Beograd dhe u edukova, ka qenë prioriteti im personal, thjesht sponsori im është libri. Prandaj krijimet e mia dallohen, prandaj edhe kolegët e mi më fshijnë nga lista e të gjallëve, marr frymë me të gjithë kapacitetin në këtë profesion dhe nuk më mjafton kurrë. Sfidat janë të ndryshme, herë teknike, herë bllokohem mendërisht. Kur një individ krijon, është normale të hasësh pengesa gjatë procesit, e gjitha është pjesë e aktit.
A ka ndonjë stilist apo ikonë të modës që veçanërisht kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në punën tuaj? Çfarë do të kishit dëshiruar të dinit kur po fillonit në industri?
Nga ky këndvështrim, do të kisha dashur të dija që do të shfaqeshin mediat sociale dhe do të ndotinin të gjithë skenën e modës. Po ta dija këtë, ndoshta do të kisha mbaruar filologjinë, isha e dashuruar pas gjuhëve. Unë u bëra stiliste për shkak të qartësisë dhe intelektit të sfilatave të modës në vitet ’90, për shkak të kostumeve magjepsëse të së kaluarës. Konsumizmi dhe kapitalizmi modern po më vrasin, e gjithë bota po shndërrohet në “tri për njëqind.”
Sot flitet me zë të lartë për modën e qëndrueshme dhe etike, por sa e gatshme është industria jonë vendase e modës për këto ndryshime?
Nuk është, ndaj materialit të ricikluar gruaja jonë reagon me – Posi jo, nuk do të më shesin mbeturina. Shikoni, edhe kjo nuk e di se sa të vërteta fsheh, nga njëra anë moda ndot, por nuk është moda ajo që ju shtyn të bleni dhjetë palë xhinse, ne jemi të pangopur. Le t’i kthehemi zanatit, një, por i vlefshëm, te moda e lartë, arti dhe kultura, vlera e* ndotjes botërore do të ulet shumë. Por, në këtë mënyrë nuk do ta pasurojmë industrinë.
Çfarë këshille do t’u jepnit stilistëve të ardhshëm? A ka ndonjë mësim thelbësor që keni mësuar gjatë rrugës drejt suksesit dhe që mendoni se do t’u sjellë dobi të tjerëve që do hyjnë në këtë fushë?
Fëmijë, para së gjithash arsimim, por jo një diplomë të blerë, jo të paguajë babai, por TI të aktivizohesh për vete. Gëlltit libra, ji kurioz për të kaluarën në mënyrë që të mund të krijosh të ardhmen tënde të shëndetshme. Dhe kurrë, kurrë mos u dorëzo, gërvisht dhe kafsho për ëndrrën tënde.
Cilat janë planet dhe synimet tuaja për të ardhmen e markës suaj unike që është tashmë e disponueshme edhe në internet?
Nuk kam. Unë punoj, kjo është gjithçka që di dhe mund të bëj. Jam plakur, ëndërroj zgjuar dhe realisht.
A mund të ndani një moto personale apo filozofi që udhëheq punën tuaj? Cili është kuptimi i modës për ju personalisht, përveç një mënyrë e të veshurit?
Emocion, nëse sot më vjen të shëtis me pizhame, ti mund të kthesh gjithçka përmbys, unë ashtu do të shëtis. Nëse mendoj se nuk duhet të ketë një grua tjetër në event, ashtu edhe do të vishem dhe nuk do të ketë, veshja është një mjet seriozisht i fuqishëm për të pushtuar botën përmes pushtimit të vetes. Gjithçka kalon, gjithçka ndryshon dhe kështu edhe ne, lësho, mos mbaj dhe mos lexo tabloide.
Gjatë viteve, ju keni folur hapur për mënyrën se si e keni shndërruar depresionin në kreativitet, për luftën me peshën e tepërt, për dashurinë që i duhet botës, pra te të rinjtë ndikoni në shumë mënyra përveç nëpërmjet modës. A ju krijon kjo një ndjenjë përgjegjësie për të përdorur me kujdes rrjetet sociale? A mendoni se të gjithë personazhet publik i përdorin ato me përgjegjësi?
Absolutisht jo! Panairi i jetëve të rreme është nëpër rrjetet sociale, kur i shoh të montuara dhe të zbukuruara në të gjitha postimet, më vjen t’u jap nga një shuplakë të gjithëve.
Jeta nuk është një buzëqeshje prej porcelani, makina më e shtrenjtë, një apartament… jeta nuk është ajo që shihni në Instagram.
Kur ju përqafon personi që e doni pa patur nevojë të postoni një foto dhe të na tregoni të gjithëve se sa shumë e doni njëri-tjetrin, atëherë do të filloni me të vërtetë të jetoni. Çdo ditë është betejë, çdo ditë është një sfidë dhe çdo ditë është një mundësi për avancim personal për ata që duan të ecin përpara. Për të tjerët … kliko like. Nga Netflix.