KOLMAR – NJË QYTET I VOGËL SHUMËNGJYRËSH ME AROMË VERE DHE KANELLE

KOLMAR – NJË QYTET I VOGËL SHUMËNGJYRËSH ME AROMË VERE DHE KANELLE

Nëse gjatë muajit nëntor ose dhjetor po kërkoni një vend që duket si iliustrim nga një kartolinë Krishtlindjesh, atëherë Kolmari është destinacioni që do t’ju rrëmbejë. Ky qytet i vogël në rajonin francez Alsas është një zbulim I vërtetë për këdo që dëshiron të shmangë turmat e zonave metropolitane, por prapëseprapë të shijojë një atmosferë autentike festash. Me shtëpitë shumëngjyrëshe me fasada druri, rrugët me kalldrëm dhe kanalet romantike, Kolmari është një vend dimëror magjik që ia vlen të përjetohet.

Qyteti i pesë tregjeve të Krishtlindjeve

Ajo që e bën të veçantë Kolmarin është fakti se në dhjetor ka deri në 5 tregje të ndryshme Krishtlindjesh në të gjithë qytetin, secili me historinë dhe atmosferën e vet:

  • Place des Dominicains – me dekore të punuara me dorë dhe dhurata unike.
  • Place Jeanne d’Arc – ku do të gjeni produktet tradicionale të Alsasit: djathëra, salçiçe, mjaltë dhe verë.
  • Place de l’Ancienne Douane – tregu më i famshëm, i vendosur përgjatë kanaleve, ku mban aromë kanelle dhe vere të nxehtë.
  • Tregu i vogël në Muzeun e Lodrave për Fëmijë – perfekt për familjet me fëmijë.
  • Artisanat d’Art – një treg i dedikuar artit dhe punimeve artizanale, ku mund të shihni mjeshtrit duke punuar.

Shëtitja nëpër tregje është një udhëtim i vërtetë përmes shijeve dhe aromave: gështenja të pjekura, biskota të vogla me bajame dhe kanellë, verë e ngrohtë nga Alsasa që do t’ju ngrohë në mbrëmjet e ftohta.

Çfarë të shihni dhe përjetoni?

Përveç tregjeve, Kolmari ka atraksione të shumta që marrin një bukuri akoma më të veçantë në dimër:

  • Venecia e Vogël (La Petite Venise) – një lagje me shtëpi dhe kanale shumëngjyrëshe, perfekte për fotografi.
  • Muzeu Unterlinden – ku ruhet thesari i famshëm i artit, Altari i Isenaim-it, një kryevepër nga artisti gjerman Matias Grunevald.
  • Kisha e “Shën Martinit” – një katedrale gotike me arkitekturë mbresëlënëse.
  • Ndriçimi i Krishtlindjeve në të gjithë qytetin – çdo natë Kolmari shkëlqen me qindra drita dhe dekore që krijojnë një atmosferë magjike.
Klima dhe atmosfera

Gjatë kësaj periudhe, temperaturat në Kolmar variojnë midis 0 dhe 7°C, që do të thotë se duhet të merrni me vete një xhaketë të ngrohtë, shall dhe doreza. Bora nuk është gjithmonë e garantuar, por ajri i pastër dimëror dhe zbukurimet festive do t’ju bëjnë të ndiheni sikur gjendeni në një përrallë dimërore.

Si të arrini nga Shkupi në Kolmar?

Mënyra më praktike për të udhëtuar është me aeroplan nga Shkupi në Bazel (Zvicër). Nga Bazeli në Kolmar është rreth 70 kilometra larg dhe mund të arrihet brenda një ore me tren ose makinë. Një tjetër mundësi është të fluturosh për në Strasburg, pastaj udhëtim me makinë për rreth 45 minuta.