Ishulli i orkideve dhe ullinjve
Festa e Pashkëve në Korfuz është një nga ceremonitë më mbresëlënëse dhe plot ngjyra në botë. Ceremonia fillon në orën 9:00 me prezantimin e relikteve të Shën Spiridonit mrekullibërës, i cili është shenjtori mbrojtës i ishullit.
Mijëra njerëz, të bashkuar nën ritmet e muzikës së lehtë, mirëpresin varganin duke hedhur lule të freskëta para relikteve të shenjtorit. Në orën 11:00, banorët e ishullit fillojnë ritualin e dëbimit të demonëve të këqij nga shtëpitë e tyre, duke hedhur enë balte nga dritaret dhe tarracat, nëpër rrugë dhe sheshe.
Në këtë periudhë të ditës nuk është gjë e zgjuar të lëvizni nën tarracat e lezetshme shumëngjyrëshe të cilat tradicionalisht janë të zbukuruara me shumë lule, por sigurohuni që të merrni një copë nga enët e thyera të qeramikës. Sipas zakonit, duhet ta ruani copën deri në festën e ardhshme të Pashkëve, për të qenë të shëndetshëm dhe të lumtur.
Gjysmë ore para mesnate, në kishën e Shën Paraskevës (që ndodhet në qendër të qytetit) fillon liturgjia solemne e Pashkëve. Njerëzit me qirinj të ndezur presin Ringjalljen e Jezu Krishtit.
Pikërisht në mesnatë, fillon një shfaqje spektakolare fishekzjarresh, që simbolizon fitoren mbi errësirën dhe mrekullinë që e kthen natën në ditë. Në atë moment, ndriçon kryqi në kala dhe orkestrat muzikore shpallin Ringjalljen me një marshim solemn.
Shkoni në Korfuz gjatë muajit maj nëse jeni duke kërkuar:
- Mot të bukur me diell
- Kremtim të paharrueshëm të Pashkëve
- Specialitete të shijshme
- Një vend për blerje
Detyrimisht merrni me vete
Rrobat e banjës Plazhet e mahnitshme me rërë dhe uji i pastër si kristal padyshim do t’ju ftojnë në përqafimin e tyre. Deti Jon në maj është i shkëlqyer për ata që preferojnë të notojnë në ujë më të freskët dhe një klimë të këndshme në vend të temperaturave të larta.
Këpucë të sheshta Që të arrini të shihni gjithçka, pa ndjerë lodhje në këmbët tuaja. Vizitoni Pallatin Ahilion, rezidenca verore e preferuar e Princeshës së Austrisë Elizabeta, e njohur për kopshtet dhe tarracat e saj të mrekullueshme të zbukuruara me skulptura. Vizitoni Kalanë e Vjetër dhe të Re, Gjirin e Kanoneve me Pontihonisin (Ishulli i minjve), monumentet e qytetit dhe kishat e shumta.
Kamerë Për të regjistruar atmosferën që do të përjetoni në një nga tavernat. Atmosfera e festës së Pashkëve zgjat deri në orët e para të mëngjesit. Specialitete greke, muzikë dhe ndonjë pjatë të thyer.
Mos u ktheni në shtëpi pa…
Provuar likerin e ëmbël ose Kom kuat të bërë nga portokaj të vegjël japonezë që rriten në ishull. Gjatë kthimit për në shtëpi, mund të vizitoni fabrikën e ëmbëlsirave dhe të blini një kavanoz për ta marrë me vete.