A e dinit se mënyra se si është rregulluar hapësira juaj e jetesës ndikon ndjeshëm në humorin dhe lumturinë tuaj? Nëse besoni në këtë teori, për të cilën ekzistojnë edhe prova shkencore, atëherë do t’ju bëjë për vete koncepti Feng Shui – arti i krijimit të ekuilibrit dhe harmonisë në hapësirë.
Çfarë është Feng Shui?
Feng Shui, që përkthehet si “rruga e erës dhe ujit”, e ka origjinën nga Taoizmi, një filozofi kineze rreth 2,000 vjeçare. Ideja themelore është se çdo gjë në univers ka energji dhe se mjedisi ynë ndikon ndaj emocioneve, mendimeve, veprimeve tona, madje edhe ndaj shëndetit, marrëdhënieve dhe suksesit tonë.
Sipas kësaj praktike të lashtë, Feng Shui ndihmon në harmonizimin e energjisë (chi) në një hapësirë.
Feng Shui bazohet edhe në ekuilibrin midis forcave të kundërta, por plotësuese të yin dhe yang – siç janë drita dhe errësira, butësia dhe fortësia, ngrohtësia dhe ftohtësia. Përveç kësaj, merret parasysh edhe ekuilibri midis 5 elementeve: ujit, drurit, zjarrit, tokës dhe metalit, të cilët përfaqësohen përmes ngjyrave, formave dhe materialeve në shtëpi.
Riorganizime minimale Feng Shui
Sillni harmoni dhe energji pozitive me disa ndryshime të thjeshta:
1. Sipas Feng Shui-t, është shumë e rëndësishme mënyra se si janë vendosur mobiliet kryesore në raport me dyert dhe dritaret – vendet ku hyn dhe del “chi”. Për shembull, kur jeni ulur në divan, shtrirë në shtrat ose duke punuar në tavolinë, është ideale të jeni sa më larg derës, por me një pamje të qartë drejt saj. Pozicioni më i mirë është diagonalisht përballë derës, me një mur të fortë pas jush. Nëse kjo nuk është e mundur, të paktën sigurohuni që dera të mos jetë direkt pas jush. Kjo mënyrë e vendosjes ju jep kontrollin e hapësirës dhe energjisë rreth jush.
2. Feng Shui nënkupton pastërti dhe rend! Rrëmuja bllokon rrjedhën e energjisë, gjë që mund të ndikojë negativisht ndaj humorit dhe përqendrimit. Kushtoni vëmendje të veçantë hapësirave të cilat shpesh i lëmë pas dore, si poshtë shtratit – atje, energjia e bllokuar mund të ndikojë edhe në gjumë.
3. Çfarë ju pret sapo të hyni në shtëpi? Këpucë të shpërndara, grumbuj xhaketash dhe kaos? Sipas Feng Shui, hyrja është portali i energjisë – nëse është e bllokuar, “chi” pozitive nuk ka ku të depërtojë. Pastroni, organizoni dhe dekoroni hyrjen me një bimë në vazo ose një vepër arti. Sigurohuni që dera të hapet lehtë dhe gjerësisht.
4. Dritaret janë sytë e shtëpisë. Nëse janë të pista, energjia dhe rrezet e diellit nuk mund të hyjnë plotësisht. Hapni dritaret për të paktën 10 minuta në ditë për të lejuar qarkullimin e ajrit dhe për të larguar energjinë e ndenjur.
5. Energjia “chi” rrjedh vetëm kur rruga e saj është e lirë. Ecni nëpër shtëpi dhe vini re se ku përplaseni me mobilie ose ndoshta pengoheni mbi kablla ose sende të panevojshme. Nëse një objekt ju bezdis vazhdimisht, zhvendosni ose hiqni fare atë. Më pak objekte në një dhomë të vogël mund të bëjnë mrekulli për energjinë. Përdorni skaje të rrumbullakosura kur është e mundur, pasi ato simbolizojnë butësinë dhe rrjedhshmërinë, për dallim nga qoshet e mprehta që e ndërpresin energjinë.
6. Natyra është burimi më i madh i energjisë pozitive. Në Feng Shui, bimët e gjelbra, të shëndetshme, me gjethe të buta dhe të rrumbullakëta përfaqësojnë vitalitetin dhe rritjen. Shmangni kaktuset dhe bimët me gjethe të mprehta, të cilat simbolizojnë energjinë e mprehtë (sha chi).
7. Çdo nuancë ka simbolikën e vet. Në Feng Shui, e gjelbra simbolizon ripërtëritjen dhe freskinë, ngjyra kafe stabilitetin dhe kujdesin, ndërsa e bardha pastërtinë. Ngjyrat e çelura stimulojnë energjinë yang (aktivitet, lëvizje), ndërsa nuancat pastel sjellin yin (paqe dhe harmoni). Përdorni ngjyrat më të errëta poshtë (në dysheme ose mobilie) për stabilitet dhe ngjyrat më të çelëta sipër (mure dhe tavane) për hapje dhe ekuilibër.
Bottom of Form
