La Gacilli

La Gacilli

Një qytet i vogël francez me surpriza të panumërta

Kulla madhështore Eifel dhe Parisi janë të parat që na kujtojnë Francën dhe nëse do të duhej të përmendnit edhe ndonjë qytet tjetër, me siguri do të ishte qyteti i Kanës, i famshëm për festivalin e tij të filmit, Lioni ose ndoshta Marseja.

Por, a keni dëgjuar ndonjëherë për qytezën La Gacilli që gjendet në bregun e djathtë të lumit Af, midis qyteteve Ren dhe Van?

Pikërisht në këtë qytezë do të ndjeni vërtet elegancën franceze, sepse është një strehë e vogël e mbështjellur me lule, ndërtesa guri që të kujtojnë kështjellat dhe rrugica të ngushta simpatike. Pavarësisht mungesës së ngjyrave gjatë dimrit, është veçanërisht magjike nëse keni fatin të bie borë.

La Gacilli është nikoqir i ekspozitës më të madhe që zhvillohet çdo vit nga 31 maji deri më 30 shtator dhe atë nën qiell të hapur. Nëse nuk ikni nga turmat, atëherë ndoshta kjo është periudha më e mirë për të shkuar atje. Do të keni mundësinë të shëtisni dhe të shijoni fotografitë e vendosura në të gjithë qytetin. Rreth 2 milionë vizitorë dhe fotografë me famë botërore qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit gjatë kësaj periudhe të vitit. Shumë pak njerëz kanë njohuri për ekzistimin e kësaj ekspozite të pazakontë, por La Gacilli është një destinacion sfidues që ofron shumë më tepër.

SELIA E NJË GJIGANTI KOZMETIK

La Gacilli është shtëpia e kompanisë kozmetike me famë botërore Yves Rocher (Iv Rosher) dhe kopshtit të tyre gjigant botanik që ka më shumë se 1.100 lloje bimësh. Ndani një ditë të tërë për t’u mrekulluar me ngjyrat dhe aromat e natyrës që ndërthuren në këtë parajsë.

QENDËR SUPERSPA

Në vitin 2009, Yves Rocher hapi hotelin spa ekologjik, La Grée des Landes, ku mysafirët dhe vizitorët ditorë mund të shijojnë trajtime relaksuese duke përdorur produktet kozmetike natyrale të kompanisë. Hoteli ka gjithashtu një restorant, në kuzhinën e të cilit përdoren vetëm produkte organike dhe lokale. Nëse nuk mund të përballoni një natë qëndrimi, të paktën merrni një kafe dhe një ëmbëlsirë dhe shijoni pamjen panoramike të kopshteve. Njëkohësisht, ky vend konsiderohet si një rezervat zogjsh dhe fluturash.

La Gacily Maison Yves

SUVENIRE TË PANUMËRT

Nëse ju pëlqen të gërmoni nëpër xhingla dhe suvenire të llojllojshme, atëherë drejtohuni nëpër rrugicat e ngushta. Do të gjeni dyqane të panumërta arti dhe zejtarie, ku bëhen kukulla, modelohen bizhuteri, bëhen enë balte dhe mund të jeni dëshmitarë të përpunimit të enëve prej qelqi duke fryrë xhamin.

PIKNIK NË NATYRË

A ka një mënyrë më të mirë për të vizituar qytetin hipur mbi një gomar të lezetshëm? Lidhuni me natyrën dhe bëni një piknik të qetë nën njërën nga pemët e mrekullueshme ose buzë lumit. Nëse moti është i ngrohtë, mund të merrni me qira edhe një biçikletë. Nëse jeni për një lundrim në lumë, disa varka të vogla elektrike janë në shërbimin tuaj dhe për të cilat nuk duhet të kërkoni leje.

Blason de La Gacilly

Nëse ju pëlqen ideja për La Gacilli, do t’ju pëlqejë gjithashtu edhe …

Goverton – një qytet i vogël në afërsi të Suonzit, Uells, e quajnë binjak të Gasilit.

Lavenham – qyteza më e bukur në Angli, në të cilën ka rreth 350 shtëpi, si dhe shumë dyqane të vogla dhe çajtore.

Bolgeri – një fshat i vogël italian i fshehur mes hardhive të gjata me një pamje dhe frymë autentike të viteve tetëdhjetë.