Lule në shtëpi

Lule në shtëpi

ër ngjyrë dhe freski të ambientit, zbukuroni shtëpinë me lule të lehta për t’u mirëmbajtur.
Zgjidhni bimët varësisht nga ndriçimi i dhomës. Mbani mend, nëse i lini lulet për disa ditë pa ujë, dëmi do të jetë më i vogël sesa dëmi nga ujitja e tepërt e tyre. Me këto lloje të luleve, nuk është e mundur të gaboni.

Tillandsia

I gjithë lloji përfshin rreth 650 bimë dhe të gjitha rriten pa dhe, duke i bërë ato fantastike për fillestarët. Një herë në javë, njomni bimën në ujë për rreth gjysmë ore, më pas fshini butësisht gjethet me letër kuzhine. Vendoseni në një vazo, në një enë qelqi, në një bazë druri ose kudo tjetër në shtëpi ku lagështia është më e madhe. Kur bima lulëzon, shfaqen rreth 2 deri në 8 sytha në një cikël. Duke hequr sythat, ju e ndihmoni atë të shumëzohet.

Spathiphyllum (Zambaku i paqes)

Vështirë të mbetet dikush indiferent ndaj fletëve të bardha të kësaj bime. Vendoseni në një vend të ngrohtë dhe me lagështi në shtëpi, por shmangni dritën e drejtpërdrejtë. Bima është e ndjeshme ndaj klorit, prandaj nëse keni mundësi, ujiteni me ujë të ambalazhuar një herë në çdo 10 ditë, kurse një herë në javë spërkatni gjethet me ujë. Rimbilleni atë çdo të dytin vit, sapo ta tejkalojë saksinë. Gjethet e përkulura janë shenjë se spathiphyllum-it i mungon uji, kurse majat me ngjyrë të verdhë dhe kafe, që e keni tepruar me ujitjen. Spathiphyllum është një pastrues i shkëlqyer i ajrit.

Monstera

Gjethet e mëdha me ngjyrë të gjelbër të errët përshtaten në mënyrë të përkryer në ambientet e brendshme moderne dhe jo të ngarkuara. Ajo rritet deri në 3 metra lartësi dhe një vend me hije i përshtatet më së miri. Ka nevojë për shumë pak ujë (çdo 5 ditë në verë, çdo 10 ditë në dimër). Spërkatni gjethet herë pas here me ujë kurse një herë në muaj ushqeni me pleh për bimë me gjethe.

Dredhka e djallit

Nëse keni nevojë për motivim për të rritur lule, kjo është zgjedhja e duhur, sepse funksionon tek të gjithë. Ka nevojë për shumë pak dritë, kurse ujë një herë në javë. Sapo të vini re se gjethet e humbasin shkëlqimin, freskojini me ujë. Mbani mend se dredhka në të vërtetë është një kacavjerrës, prandaj planifikoni se ku do ta mbillni atë.

Sansevieria (Lule shpata)

Edhe nëse harroni ta ujisni, ajo do të mbijetojë. Sansevieria e ruan ujin në gjethet e saj të trasha me ngjyrë jeshile të errët. Kërkon tokë të lehtë pjellore të përzier me rërë lumi. Para se ta ujisni, sigurohuni që toka të jetë plotësisht e thatë. Në periudhën e dimrit mjafton ta ujisni vetëm një herë në muaj. Është e rëndësishme që të ujitet me ujë të ndenjur, të distiluar ose ujë shiu. Mos lejoni që uji të mblidhet midis gjetheve, pasi mund të vijë deri te kalbja e rrënjës.

Succulents (Lule sukulente)

Lulet sukulente e mbajnë ujin në gjethet dhe kërcejet e tyre. Ata mahnisin me pamjen e tyre dhe janë shumë të lehta për mirëmbajtje. Më së miri është që sukulentin ta mbillni në një vazo të zgjatur, sepse ka rrënjë të hollë dhe të gjatë. Toka duhet të jetë e depërtueshme ashtu si te kaktusët. Ujiteni një herë në 10 ditë, kurse në dimër një herë në muaj.

Kaktusi

Ju mund të zgjidhni nga 1.750 lloje kaktusësh që janë të dëshirueshëm në shtëpi për të thithur dritën blu të emetuar nga ekranet. Kaktusi rritet më së miri në tokë që nuk mban aspak ujë dhe është e specializuar për kaktusët. Kaktusët duan të paktën disa orë dritë gjatë ditës, prandaj më mirë është t’i vendosni pranë dritares. Shtoni nga pak ujë një herë në javë nga pranvera deri në vjeshtë, por vetëm nëse toka është tërësisht e thatë.