Zonja e cila nuk ka nevojë për krahë që të fluturojë
Esmeralda, Zhuljeta, Kitri, Raimonda, Margarita, Mjellma e Zezë, Mjellma e Bardhë, Klara, Anna Karenina, pas gjithë këtyre roleve qëndron, edhe atë në majë të gishtave, prima balerina jonë e padiskutueshme Mirjana ose Mimi siç duam ta quajmë të gjithë, kurse ajo spontanisht na e lejon këtë, sepse është me këmbë në tokë, e ngrohtë, e rafinuar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Mjeshtërore në çdo shfaqje, e qëndrueshme dhe profesionale që në fillimet e saj, kjo zonjë është një pasqyrim i vërtetë i baletit elitar me të cilin duhet të krenohemi.
Pandemia e Covid-it ka shkaktuar një ngecje të madhe në krijimtarinë artistike dhe atë të baletit. A është shëruar baleti nga kjo ngecje e detyruar?
Pandemia e Covid-it shkaktoi dëme të papërshkrueshme, por baleti dhe vallëzimi në përgjithësi si art skenik i cili është kryesisht fizik dhe kërkon kushte të përshtatshme, e pati sfidën më të madhe. Në balet, kur humb një vit, humb shumë. Trupi ynë duhet të jetë gjithmonë në formë dhe ishte e tepërt për ne që të privoheshim nga hapësira dhe të mbylleshim në shtëpi, e ne jemi mësuar që emocionet dhe ekspresivitetin tonë ta tregojmë përmes vallëzimitt, prekjes dhe lirisë së lëvizjes.
Profesioni i baletit kërkon një psikikë të fortë edhe në kohë “normale”, sepse ne çdo ditë (për shkak të punës së vështirë fizike) përballemi me stres, lëndime, gratë bëjnë pushime për shkak të shtatzënisë dhe disi pushimi i detyruar ishte i tepërt për ne, duke pasur parasysh se karriera jonë në skenë është relativisht e shkurtër. Prandaj, secili prej nesh luftoi me sfidat e veta dhe kërkoi një mënyrë të përshtatshme për të qëndruar kreativ jashtë skenës dhe përditshmërisë sonë.
Po publiku, a u rikthye në sallë duke pasur parasysh gjithë periudhën e trazuar dhe rritjen e çmimeve?
Baleti e ka pasur gjithmonë publikun e tij, edhe gjatë pandemisë. Edhe pse gjatë asaj periudhë u reduktua, kishte ende njerëz që na mbështesnin, vinin në shfaqje, përpiqeshin të jetojnë normalisht dhe ishin në sallë, duke dashur të paktën për disa orë të pushojnë me art dhe të harrojnë situatën aktuale.
Sot publiku është në numër të madh, çmimi për shfaqjet e baletit ka qenë gjithmonë i përballueshëm për publikun dhe për ata që e duan baletin. Prandaj, normalisht, herë më shumë, herë më pak, kemi publik, në varësi të repertorit dhe shfaqjeve që duan të shohin.
Si dikush që jeton Për dhe Nga baleti, si i keni përballuar ju personalisht ndryshimet? A e kishit të vështirë të largoheshit nga skena për një periudhë të caktuar?
Meqenëse para fillimit të pandemisë ishim shumë aktivë, të lodhur dhe po përgatitnim rikonstruktimin e shfaqjes “Zhizel”, në fillim ndjeva lehtësim, sepse mendova se ishte diçka që do të kalonte shpejt dhe nuk kishte nevojë për panik.
Ia dhashë vetes luksin të pushoj, t’i përkushtohem më shumë familjes time, të shijoj shtëpinë time, natyrën, por për mua si një person që nuk mund të qëndrojë joproduktiv për një kohë të gjatë, që është mësuar të punojë derisa trupi të rraskapitet, u bë shumë e vështirë. Shkollimi i dy fëmijëve të vegjël në dhomën e ndenjës dhe kthimi i tarracës në një dhomë ushtrimesh, u bë një sfidë e vërtetë dhe fillova të mbytem.
Stërvitja joadekuate, mungesa e provave dhe performancave, rezultoi me ankth dhe një “trup covid”, me të cilin nuk mund të pajtohesha dhe për të cilin kisha nevojë të luftoj me veten për një kohë të gjatë. E vetmja pikë e ndritur në atë periudhë nga pikëpamja e profesionit, ishte ftesa për të marrë pjesë në shfaqjen “Identitete”, një shfaqje e realizuar në periudhën e pandemisë, duke respektuar të gjitha rregullat dhe vallëzimin “normal të ri” të imponuar pa kontakt, një shfaqje me të cilën Risima Risimkin shënoi 30 vjetorin e krijimtarisë koreografike. Duke punuar me të dhe me balerinët e “Teatrit të vallëzimeve të Shkupit” arrita të kthehem në jetë dhe të gjej forcën për të vazhduar më tej.
Për konsumatorët e baletit, vallëzimi duket i lehtë, por për të arritur atë lehtësi kërkon shumë përpjekje dhe disiplinë. A ju lodh ndonjëherë kjo përsosmëri duke qenë balerinë e parë? Keni dashur ndonjëherë të ishit diçka tjetër përveç balerinë?
Që kërcimi të duket i lehtë në skenë, duhen shumë vite pune të mundimshme, përpjekje, investim i madh në vete dhe disiplinë. Të përgjigjjesh ndaj statusit “e parë” është një sfidë e madhe, jo vetëm për sa i përket roleve që interpreton, por edhe për atë që përfaqëson si artist dhe cili është synimi yt. Nga njëra anë, rolet e para janë më komplekse se pjesa tjetër, ne kemi përgjegjësi të madhe në skenë, por edhe pas saj. Balerinët e parë lënë një pjesë të vetes në teatër, ata janë personifikimi, shtytësit e artit dhe profesionit dhe janë ata të cilët duhet të frymëzojnë brezat e rinj. E gjithë kjo ndonjëherë është një barrë e rëndë për një artist që është plotësisht i investuar në atë që bën, por nuk do ta ndërroja kurrë me asgjë tjetër. Jam e vetëdijshme që nuk do të qëndroj përgjithmonë në skenë dhe se jeta jonë e kërcimit është e shkurtër. Mund të bëhem çfarë të dua pasi të mbarojë karriera ime dhe sigurisht që do të jetë e lidhur me artin.
Cilat janë përparësitë dhe cilat janë vështirësitë e profesionit tuaj? Si është të jesh balerinë, por edhe nënë njëkohësisht?
Nuk ka asgjë më të bukur se puna fisnike dhe krijuese. Profesioni ynë, ndonëse një nga më të vështirët, është njëkohësisht edhe njëri nga më të bukurit. Baleti është një kolazh i të gjitha arteve në një, ai ofron mundësi të mëdha për interpretim, krijim dhe njohje të vetvetes, kurse mundësia e transformimit me gamën e gjerë të lëvizjeve dhe emocioneve, është e pazëvendësueshme për mua.
Balerinat që janë nëna për mua janë heroina, jo se jam unë njëra prej tyre, por ndoshta sepse kam përjetuar periudha shumë të vështira, shumë netë pa gjumë me binjakë të cilët sëmureshin shpesh kur ishin më të vegjël, përpjekjet për ta rikthyer trupin në njëfarë normaliteti, e njëkohësisht të pajtohesh me faktin se kurrë nuk do të jenë gjërat njësoj si para lindjes. Dhe përgjegjësia është shumë e madhe, nuk mund të shkosh vazhdimisht në pushim mjekësor, nuk mund t’i anulosh vazhdimisht shfaqjet dhe askujt nuk i intereson se si ndihesh kur je në skenë. Është e vështirë sidomos për balerinat e para, por nga ana tjetër familja dhe fëmijët janë motivimi im, nxitësi dhe frymëzimi im që më bëjnë më të fortë, më me përvojë dhe për shkak të tyre ndihem më e pasur si në jetë ashtu edhe në skenë.
Për çfarë po punoni momentalisht? A mund të presim një repertor shumëngjyrësh dhe kreativ këtë vit?
Aktualisht po punojmë për repertorin vijues, e kishim premierën e baletit “Hirushja”, e cila e magjepsi publikun sepse nuk është e zakonshme. Gjëja tjetër interesante është rikonstruktimi i shfaqjes “Bukuroshja e Fjetur”, e cila është një sfidë e madhe për të gjithë ne dhe shpresoj të mirëpritet nga publiku. Projektet e reja varen kryesisht nga buxheti vjetor që merr teatri ynë, por pjesa tjetër e shfaqjeve nga repertori zhvillohen rregullisht dhe publiku mund të informohet për to në faqen e Operës dhe Baletit Kombëtar.
Sakrifica që bën një balerinë për çdo rol është e madhe, por sa e vlerëson shoqëria jonë, institucionet dhe publiku këtë mund? A ka raste kur ndiheni e veçantë vetëm sepse jeni balerinë?
Të jesh pjesë e këtij profesioni elitar është një nder i madh në vetvete, veç kësaj, kur sheh se publiku, i cili është treguesi i vetëm i investimit tonë, e vlerëson atë që është e mirë, atëherë kjo paraqet një motivim shtesë. Ne punojmë dhe jemi në shërbim të tyre, synimi ynë është të rrisim kulturën e baletit, vetëdijen dhe nevojën për art në një shoqëri. Institucionet janë një gjë e veçantë, jo gjithmonë gjejmë mirëkuptim për specifikën e profesionit tonë, por jemi luftëtarë kreativ dhe vazhdimisht dëshmojmë se arti është ai që shëron, lëviz kufijtë dhe është i rëndësishëm për prosperitetin e një vendi.
Cili do të ishte rekomandimi juaj për të gjithë ata që po mendojnë të bëhen balerina/balerinë? A ka ende interes të zjarrtë në mesin e të rinjve për këtë art siç ka pasur dikur?
Edhe pse gjithmonë kemi pasur mungesë për sa i përket kuadrit mashkullor, asnjëherë nuk është ndalur dëshira e fëmijëve të vegjël për të vallëzuar. Ndoshta sot, më shumë se kurdoherë ka një interesim tek vajzat e reja dhe prindërit e tyre për të filluar baletin që në moshë të vogël. Ka shumë studio baleti, nga të cilat disa janë më profesionale e disa jo, të cilat janë të mbushura me fëmijë të talentuar, por është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë nevojën e vallëzimit dhe sa i rëndësishëm është baleti për zhvillimin psikofizik të fëmijëve. Ai ndihmon në qëndrimin e duhur të trupit, zhvillon lëvizshmërinë, përqendrimin tek fëmijët, ndihmon në pavarësimin e tyre dhe zgjidhjen më të lehtë të sfidave të jetës tek fëmijët.
Cili është vendi juaj i preferuar në Shkup dhe jashtë tij? Si duket një ditë e kaluar në mënyrë perfekte për ju?
Unë nuk jam adhuruese e qytetit, nuk më pëlqen tollovia, papastërtia, ajri i ndotur, më duket sikur nuk marr dot frymë në Shkup. Jam rritur tek gjyshërit në fshat, jam rritur me prodhime shtëpiake, natyrë dhe kafshë, prandaj atje ndihem më e lumtur. Nëse nuk do të isha e detyruar të jetoja në Shkup, do të jetoja në fshat. Atje ka gjithmonë punë, humbesh në gjelbërim, të gjitha shqisat funksionojnë proporcionalisht dhe qetësinë që të ofron natyra, nuk ta ofron qyteti dhe jeta e shpejtë. Prandaj, një ditë e kaluar në mënyrë perfekte për mua është atje, shumë më harmonike, pa stres, duke parë se sa të rëndësishme janë burimet që na jep natyra për ekzistencën dhe psikikën tonë të shëndetshme.
A shfaqin fëmijët tuaj ndonjë aftësi artistike dhe a do t’i nxisnit të ndjekin artin?
Kanë predispozita, e duan artin, por deri tani nuk kanë shprehur vetë dëshirën për diçka konkrete. Ata e përdorin kreativitetin çdo ditë dhe në çdo gjë që bëjnë, janë kureshtarë dhe do t’i mbështes që të bëhen çfarë të duan, përderisa e bëjnë me dashuri dhe punë të zellshme, pavarësisht nëse e ardhmja e tyre do të lidhet me artin apo jo.
Cili është roli juaj i preferuar i baletit, apo ndoshta roli që ju ndryshoi jetën dhe a keni ende idhuj që ju shërbejnë si frymëzim?
Roli që më “prezantoi” si balerinë dramatike që në fillim, ishte shfaqja “Romeo dhe Zhuljeta” të cilin e interpretova në moshën 19-vjeçare. Që atëherë, gjithmonë e kam gjetur veten më shumë në baletet dramatike, tek të cilat mund të tregoj fuqinë time për transformim dhe emocionet e personazheve që interpretoj. Për momentin, shfaqja që shënoi karrierën time të deritanishme është “Anna Karenina”.
Koreografi Leo Mujiq më pa në personazhin e Anës dhe nxorri nga unë të gjithë përvojën duke i shfrytëzuar predispozitat e mia të vallëzimit, të cilat, të ndihmuara nga gjimnastika që ushtrova si fëmijë, më ndihmuan të zotëroja artikulimin e vështirë që e kërkonte stili i tij koreografik.
Janë të shumta balerinat që i admiroj, por idhujt i kam pasur kur kam qenë më e re. Tani eksperienca që kam si një balerinë e arrirë kërkon nga unë të drejtohem kah gjërat që unë vetë duhet të punoj, që duhet t’i përsos ose të mbuloj të metat e mia. Një balerin ideal nuk ekziston, ky është thelbi i artit, të gjithë jemi të ndryshëm, të gjithë kemi vulën tonë dhe gjithmonë duhet të synojmë drejt idealit personal.