Kompjuter, një grumbull dokumentesh, celular dhe kondicioner – një “kombinim fitues” për syrin e thatë në periudhën e ngrohtë
Puna para kompjuterit, një grumbull dokumentesh në tavolinë, kondicioner të lëshuar mbi kokë, gjatë pushimit kontrolloni se çfarë po ndodh në Facebook/Instagram, niseni për në shtëpi kurse jashtë temperatura të ulëta, e ndizni përsëri kondicionerin në makinë, e të mos i përmendim fare autobusët. Me siguri ju tingëllon si një ditë normale pune. Por a e keni pyetur veten se si ndikon kjo ditë pune “normale” (që përsëritet prej vitesh) në sytë tuaj?
Çfarë është saktësisht ,,Syri i Thatë’’?
Sipas përkufizimit nga Instituti Kombëtar i Syrit të Thatë, Sindroma e ,,Syrit të Thatë’’ paraqet një çrregullim sasior ose cilësor të shtresës (filmit) së lotit, i cili rezulton me një çrregullim të sipërfaqes së syrit. Zakonisht kur përmendim syrin e thatë, menjëherë mendojmë se bëhet fjalë për mungesë të lotëve, pra një çrregullim sasior i shtresës së lotit, megjithatë, çrregullimi që shfaqet më së shpeshti është në thelb cilësor dhe lidhet me rritjen e avullimit të lotëve, gjegjësisht evaporimin.
Llojet e syrit të thatë
Sindroma e ,,Syrit të Thatë’’ shfaqet për shkak të: zvogëlimit të prodhimit të lotëve (çrregullim sasior), rritjes së avullimit (çrregullim cilësor) ose si kombinim i të dy faktorëve (lloji i përzier). Çrregullimi sasior i syrit të thatë, për fat të mirë më i rrallë, zakonisht janë sëmundje të lidhura me gjëndrën e lotëve. Këtu bën pjesë Sindroma e Sjogren-it (një sëmundje autoimune), pengimin e kanalit të lotëve, pranimin e disa ilaçeve që reduktojnë sekretimin e lotëve dhe të tjera.
Për çrregullimin cilësor (avullim) të shtresës së lotit janë përgjegjës: faktorët e brendshëm (çrregullim i funksionit të gjëndrave të Meibom-it të cilat janë përgjegjëse për shtresën yndyrore (lipidike) të shtresës së lotit, mbyllja jonormale e kapakëve (pas ndërhyrjes kirurgjikale te kapakët), zvogëlimi i hapjes-mbylljes së kapakëve dhe të tjera. Për një shtresë loti të çrregulluar ndikojnë edhe ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale në sy (korrigjimi me laser, operacioni i kataraktit ose i glaukomës, etj.) si dhe disa sëmundje të lëkurës (dermatiti seborrheik, rosacea, etj.).
Faktorët e jashtëm që ndikojnë në dëmtimin e shtresës së lotit janë: mungesa e vitaminës A, konservantët e pikave, mbajtja e lenteve të kontaktit, kimikatet e ndryshme etj.
Lloji i përzier, ndoshta më i vështiri, është kombinim i të dy faktorëve.
Shtresa e lotit, me trashësi prej vetëm disa mikronësh, është linja e parë e mbrojtjes së syrit
Gjatë sekretimit të lotëve nga gjëndra e lotit dhe gjëndrat ndihmëse, lëngu shpërndahet në sipërfaqen e syrit në mënyrë të barabartë dhe krijohet e ashtuquajtura shtresë (film) e lotit, i cili përbëhet nga tri pjesë: pjesa e ujit, pjesa e mukozës (sekrecion) dhe një pjesë lipidike (yndyrore), kurse trashësia e shtresës së lotit është vetëm disa mikronë.
Ndoshta mendoni se shtresa e lotit, trashësia e të cilës është vetëm disa mikronë (saktësisht 5-7 mikronë), nuk luan asnjë rol në mbrojtjen e syve, e aq më pak të shikimit tuaj.
Megjithatë, nuk është ashtu.
Shtresa (filmi) e lotit me pjesët që i përmendëm paraqet linjën e parë të mbrojtjes së syrit. Kjo do të thotë se çdo trup i huaj (pluhur, kimikate, baktere, viruse, etj.) fillimisht ndeshet me shtresën e lotit. Me lëvizjen e kapakëve, lotët e shpëlajnë syrin dhe pjesa më e madhe e përmbajtjes së huaj mënjanohen në kanalin e lotit. Nga ana tjetër, lotët përmbajnë antitrupa natyralë dhe enzima (lizozima) që veprojnë kundër baktereve dhe viruseve të jashtme.
Përveç këtij roli mbrojtës, lotët kanë edhe rol refraktiv, gjegjësisht rol në formimin e qartë të imazhit. Atë e bëjnë në mënyrë që e mbajnë kornenë të lëmuar, të butë dhe me shkëlqim, e kështu mundësojnë që thyerja e rrezeve të dritës të jetë e rregullt. Nëse vjen deri te dëmtimi i ndonjërës prej pjesëve ose të gjithave, mund të vijë deri te zvogëlimi i shikimit, gjegjësisht mjegullimi i imazhit. Kjo ndodh kryesisht për shkak të ndryshimit të forcës refraktive (përthyese) të kornesë, e cila e ka peshën më të madhe në fuqinë dioptrike të syrit.
Një rol tjetër, jo më pak i rëndësishëm, është lubrifikimi i syrit dhe ruajtja e lagështisë, gjë e cila është thelbësore për kornenë, konjuktivën (lidhësen) dhe për aktivitetin normal të kapakëve të syrit.
Faza e avancuar e syrit të thatë mund të çojë në deri në dëmtim të kornesë, ndryshim të forcës refraktive, shikim të paqartë, infeksione të shpeshta të syrit dhe si përfundim – dëmtimin e shikimit.
Si mund të jem i/e sigurt se kam sy të thatë?
Sipas hulumtimeve të bëra në Amerikë, Sindroma e ,,Syrit të Thatë’’ shfaqet në 7% të popullsisë dhe zmadhohet me moshën.
Simptomat që tregojnë se mund të keni sy të thatë janë: ndjenja e një trupi të huaj në sy, vështirësi në lëvizjen e kapakëve të syrit, ndjesi të shpuarjes, mjegullim i herëpashershëm i shikimit që përmirësohet me lëvizjen e kapakëve të syve, ndjenjë e lodhjes gjatë leximit për një kohë të gjatë ose puna me kompjuter.
Nëse e keni gjetur veten në simptomat e përmendura më sipër, atëherë ka shumë gjasa që të keni ndonjë shkallë të tharjes së syve.
Një test praktik që mund t’ju ndihmojë të vërtetoni cilësinë e shtresës së lotit është të përqëndroheni në një pikë ose objekt dhe të matni kohën se sa mund të qëndroni pa mbyllur kapakët. Plasaritja normale e shtresës së lotit ndodh pas 10 sekondash. Nëse i keni mbyllur kapakët më herët, mund të keni ndonjë shkallë të çrregullimit të shtresës së lotit dhe ndoshta është koha të mendoni se si t’i mbroni sytë tuaj.
Për të përcaktuar përfundimisht gjendjen, sigurisht që është i nevojshëm ekzaminimi nga një okulist specialist, i cili do t’ju bëjë disa analiza për të konfirmuar diagnozën.
Cilët janë faktorët nxitës?
Dukuria e syrit të thatë është rritur vitet e fundit. Me zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin e shpeshtë të kompjuterit (për disa orë në ditë), ajri nga kondicioneri në vendin e punës, në shtëpi dhe në makinë, ajri i ndotur, nxehtësia e tepërt, ekspozimi në diell, pluhuri dhe një numër faktorësh të tjerë, e zmadhojnë avullimin e lotëve dhe kjo çon në Sindromën e ,,Syrit të Thatë’’. Janë bërë studime që tregojnë se gjatë punës në kompjuter për një kohë të gjatë, ne i mbyllim kapakët e syve më rrallë (normalisht 12-15 herë në minutë), e njëjta gjë ndodh gjatë leximit të gjatë, punës me dokumente ose qëndrimit ulur para çdo lloj ekrani.
Si ta ndihmoni veten?
Nëse keni simptoma të ngjashme me ato të lartpërmendura, ka shumë të ngjarë që të keni ndonjë formë të syrit të thatë. Terapia e syrit të thatë ndryshon në varësi të llojit dhe shkallës së zhvillimit. Megjithatë, lotët artificialë janë linja e parë e terapisë. Ekzistojnë lloje të ndryshme të lotëve artificialë që zëvendësojnë komponentë të ndryshëm të shtresës së lotit dhe lehtësojnë simptoma të ndryshme. Prandaj, është mirë që të konsultoheni me një okulist përpara se të filloni të përdorni cilindo nga llojet e lotëve artificialë.
Ajo që sigurisht mund të bëni është të ndryshoni atmosferën e punës. Si?
– nëse duhet patjetër të përdorni kondicioner në punë ose në shtëpi, shmangni uljen direkte nën të;
– gjatë pushimeve, në vend që të kontrolloni Facebook-un/Instagram-in ose të lexoni blogje dhe horoskopë, dilni jashtë;
– bëni pushime nga kompjuteri në çdo dy orë;
– pini mjaftueshëm lëngje, por jo lëngje të gazuara dhe pije me sheqer. Gjatë një ditë pune, duhet të pini të paktën 1.5 litra ujë ose çaj pa sheqer;
– shmangni qëndrimin e zgjatur direkt në diell ose në erë;
– mbani me vete lotë artificialë dhe hidhni nga një pikë çdo 2-3 orë. Menjëherë do të vini re freskimin e syve;
– merrni mjaftueshëm vitamina, veçanërisht vitaminë A, hani fruta, perime dhe peshk.
Sa herë në ditë duhet t’i përdor dhe a mund të më dëmtojnë lotët artificialë?
Lotët artificialë mund të përdoren pakufi, sepse nuk kanë efekte anësore, përveç në rastet kur jeni alergjik ndaj ndonjërit prej komponentëve, gjë që është shumë e rrallë. Rekomandohet që personat të cilët e përdorin kompjuterin për një kohë të gjatë (programues, lojtarë, kontabilistë etj.) të marrin aq pika në ditë sa edhe orët që i kalojnë para ekranit. Edhe 3-4 herë në ditë do të ishte mjaftueshëm. Personat që kanë një shkallë të zhvilluar të syrit të thatë, marrin pika edhe deri në 12 herë në ditë, pra në çdo orë.
Lotë artificialë në çdo shtëpi?
Lotët artificialë janë ndihma e parë për çdo problem me sytë. Pavarësisht nëse keni shëtitur dhe ju ka hyrë pluhur, nëse i keni sytë të skuqur, keni kruarje ose ndjesi të shpuarjes – marrja e pikave të lotëve artificialë mund t’ju ndihmojë që të lehtësoni sikletin tuaj të momentit dhe t’ju blejë kohë për të vizituar një mjek okulist.
Në blogje të ndryshme do të gjeni këshilla të llojllojshme për të pikuar dhe përdorur kopmresa me çajra të ndryshëm, qumësht etj., të cilat shpesh mund të jenë toksike për syrin dhe ta komplikojnë problemin. Ato që me siguri nuk do t’ju dëmtojnë janë lotët artificialë.
A mund të përdoren lotët artificialë në mënyrë parandaluese?
Sigurisht që po. Për çdo problem mjekësor, parandalimi është më i mirë se kurimi.
Në ditët e sotme shumica e profesioneve kërkojnë punë në kompjuter, jemi të ekspozuar ndaj ajrit të kondicionerëve, ngrohjes qendrore, qëndrojmë edhe deri disa orë në celular, ekspozohemi ndaj ajrit të nxehtë, diellit, erës etj.
Pavarësisht nëse keni apo jo ndonjë vështirësi, do të ishte mirë të filloni të mbroni sytë dhe të zbatoni disa nga këshillat mbrojtëse.
Mos harroni, sytë janë dritarја е botës, bëjeni atë të shkëlqejë!