Dëmtuesi më i madh i shtëpisë dhe shëndetit
Myku – një realitet i ashpër me të cilin përballet çdo shtëpi. Mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore dhe dëme të mëdha materiale. Kontrolli i lagështisë është mënyra më e mirë për të parandaluar dëmet shkaktuar nga myku, por me rëndësi është edhe reagimi i shpejtë sapo të vëreni shenja të rritjes së mykut. Si e nxisni vetë ju paraqitjen e tij?
Nuk reagoni kur duhet
Myku përgjatë murit është një tregues i qartë se ka ujë që rrjedh diku pas murit. Era e përhapur e pakëndshme e mykut, dëmtimi i ngjyrës së mureve, madje edhe fatura e lartë e ujit në mënyrë të palogjikshme janë shenja që lajmërojnë këtë lloj problemi. Sapo të vini re se gypat e ujit në shtëpi kanë lëshuar, telefononi hidraulikun. Sado minimale të jetë rrjedhja, kini parasysh se uji dëmton edhe atëherë kur vetëm pikon, kështu që çdo ditë që kalon do të thotë më shumë humbje financiare për ju.
Harroni rroba të lagura
Të gjitha amvisave u ndodh që nga mungesa e kohës dhe nga detyrimet e shumta të harrojnë rrobat e lagura në rrobalarëse apo të lënë një bluzë të lagur në koshin e rrobave të papastra. Vetëm një ditë duhet që rrobat të marrin erë, por nëse e keni zakon të lani rroba gjatë fundjavës, kini parasysh se disa nga rrobat tashmë kanë njolla të vogla myku. Në këtë rast është mirë që rrobat t’i lani në temperaturë më të lartë dhe detyrimisht t’i hekurosni.
Nuk e thani banjën
Një dush i ngrohtë tingëllon shumë ngushëllues pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, por nga përvoja juaj rikuperuese përfiton myku. Avulli, shumë kohë pas dushit tuaj, mbetet i bllokuar në banjë, e ky është një terren ideal për rritjen e mykut. Probleme të dyfishta kanë ata që kanë perde në banjë. Prandaj, patjetër duhet t’i fshini pllakat me një leckë të thatë, të lini ventilimin të funksionojë më gjatë ose të hapni të gjitha dritaret për t’i tharë sa më shpejt pllakat.
Nuk ajrosni rregullisht
Ajrosja e ambienteve jo vetëm që është e mirë për shëndetin, por parandalon edhe shfaqjen e mykut. Nëse i mbani dritaret të mbyllura shumicën e kohës, e ndaloni hyrjen e ajrit të pastër që është i nevojshëm për të larguar lagështinë jashtë. Ajri i ndenjur nxit rritjen e mykut, prandaj ajrosni ambientet rregullisht.
Pse myku është i dëmshëm për shëndetin?
Reaksione alergjike: Shumë njerëz janë alergjikë ndaj sporeve të mykut. Thithja ose kontakti i drejtpërdrejtë me mykun mund të shkaktojë një reaksion alergjik të shoqëruar me teshtitje, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës. Disa individë mund të përjetojnë reagime më serioze, duke përfshirë edhe vështirësi në frymëmarrje.
Probleme me frymëmarrjen: Sporet e mykut mund të ngacmojnë sistemin e frymëmarrjes. Për personat me astmë ose gjendje të tjera të frymëmarrjes, ekspozimi ndaj mykut mund të përkeqësojë simptomat, duke shkaktuar kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Myku toksik: Disa lloje të mykut prodhojnë mykotoksina, komponime toksike që janë shumë të rrezikshme kur thithen, gëlltiten ose bien në kontakt me lëkurën. Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të mykotoksinave mund të shkaktojë probleme neurologjike, ulje të imunitetit dhe gjendje të tjera shëndetësore kronike.
Infeksione: Disa lloje të mykut mund të shkaktojnë infeksione, veçanërisht te njerëzit me sistem imunitar të dobësuar. Këto infeksione mund të prekin mushkëritë, lëkurën dhe organet e tjera.
Irritim i përgjithshëm: Edhe te njerëzit që nuk janë alergjikë, myku mund të shkaktojë irritim në sy, lëkurë, hundë, fyt dhe mushkëri. Kjo është dukuri veçanërisht e shpeshtë në mjediset me përqendrime të larta të mykut.