Gjithmonë është mirë që bisedat në kokën tuaj t’i dëgjojë dikush tjetër
Dëshironi të flisni për atë që ju shqetëson në punë, në shtëpi, me miqtë? Por, në çastin që hapni gojën, mijëra mendime konkurrojnë kush të dalë në dritë i pari dhe pastaj jeni akoma më konfuz?
Papritur gjithçka humbet kuptimin dhe ju vendosni të heshtni, sepse besoni se çfarëdo që të thoni, asgjë nuk do të ndryshojë.
Por, nuk është ashtu! Thjesht ka ardhur koha për të biseduar me dikë jashtë rrethit tuaj të njerëzve të afërt. Terapia me një psikolog ose psikiatër është një ndihmë shëndetësore profesionale e shkëlqyer për përmirësimin e shëndetit mendor.
A keni nevojë për terapi?
“Nuk duhet të ekzistojë gjithmonë një problem konkret për të kërkuar terapi. Disa njerëzve, terapia thjesht u ndihmon të zhvillojnë një imazh pozitiv për veten, si një lloj trajnimi për jetën”, shpjegon Dr. Karina Eriksen, psikologe këshilluese.
Shëndeti mendor duhet të jetë prioriteti juaj, prandaj, nëse tek vetja gjeni cilëndo nga gjendjet e mëposhtme, nuk është aspak e frikshme, por e nevojshme dhe e dëshirueshme, të kërkoni ndihmë profesionale.
Po, nëse nuk e përballoni dot përditshmërinë
“Afësitë e zvogëluara për funksionim të përditshëm mund të fshehin një sërë vështirësish psikologjike”, thotë doktor Eriksen. “Ndoshta jeni në depresion dhe ju mungon motivimi, ose ndoshta jeni pak nervoz dhe obligimet rutinë ju duken dërrmuese. Marrja e ilaçeve sipas bindjes suaj mund të paraqesë një mënyrë për të kërkuar rrugëdalje të qetë nga një situatë e vështirë”.
Po, nëse keni vështirësi të përqendroheni
Përqendrimi i dobësuar është një simptomë e zakonshme e depresionit. “Edhe probleme të tjera si ankthi, imponimi ose mendimet obsesive mund të shkaktojnë çrregullim të përqendrimit”, shpjegon Eriksen.
Po, nëse nuk gjeni kënaqësi në asgjë
Humbja e interesit për aktivitetet që më parë ju jepnin kënaqësi, ose pamundësia për t’u ndjerë përgjithësisht të lumtur si dikur, janë shenja shqetësuese të depresionit dhe ankthit.
Po, nëse humbni kontrollin e temperamentit tuaj
Në thelbin e problemit do të gjeni stresin, depresionin ose ankthin.
Po, nëse vështirë i përballoni ndryshimet
“Nëse po përpiqeni të bëni ndryshime pozitive në jetën tuaj, kështu që filloni të ushqeheni shëndetshëm, të bëni sport, të ndërprisni kontaktet me personin që ju heq energjinë pozitive, por asesi nuk mund të rezistoni deri në fund, vizitoni një profesionist. Biseda me një profesionist do t’ju ndihmojë të mësoheni gradualisht me ndryshimet dhe të ndryshoni jetën tuaj për mirë”, thotë Eriksen.
Gjeni terapistin e duhur
Dera e parë në të cilën duhet të trokisni kur përballeni me një problem të shëndetit mendor, është ajo e mjekut tuaj të përgjithshëm. Aty do të merrni udhëzime se ku duhet të drejtoheni për zgjidhjen e mëtejshme të situatës.
Është shumë e rëndësishme se te cili mjek drejtoheni. Lexoni për përvojën dhe kualifikimet e tij. Nëse vendosni për psikolog, kërkoni një të liçencuar nga Dhoma e Psikologëve.
Është shumë e rëndësishme të lidheni me profesionistin, në mënyrë që të ndani më lehtë mendimet dhe ndjenjat tuaja më intime. Nëse nuk ndiheni të sigurt, nëse dyshoni në qasje dhe thjesht keni mosbesim gjatë takimeve, më mirë kërkoni ndihmë nga dikush tjetër. Takimi i parë tregon shumë, mbështetuni në instinktin tuaj dhe mendoni mirë nëse ndiheni rehat të ndani detajet e jetës suaj para personit që është i gatshëm t’ju dëgjojë.
Është e rëndësishme të mbani mend se terapistët nuk kanë ndonjë truk mrekullibërës për t’ju ndihmuar, kura është tek ju, në vullnetin dhe këmbënguljen tuaj për ta bërë terapinë të suksesshme. Është i gabuar koncepti se vetëm duke ardhur në terapi do të merrni këshilla për vendime të rëndësishme të jetës. Çdo njeri është eksperti më i mirë i jetës së tij. Detyra e terapistit është t’ju ndihmojë të arrini më lehtë tek zgjidhjet që janë të fshehura diku në kokën tuaj.
Është akoma më e rëndësishme të vlerësoni kohën e duhur për të shkuar në terapi, jo të merrni pjesë në seanca vetëm sepse dikush ju tha që ashtu duhet.
4 llojet e terapive dhe temat që ato përfshijnë
Terapia kognitive e sjelljes
Zbatohet kur problemi është më se i qartë. TKS jep një pasqyrë të mënyrës së të menduarit dhe sjelljes të një personi dhe se si ato krijojnë vështirësi për të. Gjithashtu, punon për të thyer modelet konkrete të sjelljes dhe të menduarit që çojnë në problem. Kjo është një terapi shumë praktike, me të insistohet përqendrimi në qëllime të caktuara që duam të arrijmë dhe problematika specifike të cilat duhen zbërthyer dhe me to të punohet në mënyrë aktive, shpesh edhe duke dhënë detyra shtëpie. Rekomandohet veçanërisht në rastet e depresionit dhe ankthit, por mund të ndihmojë edhe gjatë sulmeve të panikut, çrregullimeve të ngrënies dhe fobive.
Terapia psikoanalitike
Përveç se përdoret për trajtimin e ankthit ose depresionit, metoda e psikanalizës mund të jetë gjithashtu e dobishme edhe për njerëzit që kanë ndjesi se kanë humbur kuptimin e jetës, si dhe për ata që shfaqin sjellje obsesive. Rrënjët e kësaj terapie do t’i kërkoni në psikanalizën e Fjordit, ashtu që, këtu pritet një bashkëpunim më i thellë me terapistin me qëllim që të fitohet pasqyrë më e qartë e shkaktarit të problemit. Shkurt, kërkohet ndikimi i përvojave të kaluara në formimin e të tanishmeve. Terapia psikoanalitike gjithashtu hulumton edhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë rreth nesh, në mënyrë që të kuptojmë se si komunikojmë me botën. Për shkak se ajo i shqyrton hollësisht detajet e personalitetit, di të jetë shumë e dobishme në raste më komplekse.
Këshillim
Gjithmonë kur përballeni me një periudhë të vështirë, preferohet të këshilloheni, por këshillimi me prindërit ose miqtë nuk vlen. Këshillimi është një nga format më të zakonshme dhe më efektive të terapisë, veçanërisht për trajtimin e ankthit dhe depresionit të lehtë. Këshillimi mund t’ju ndihmojë të përballeni me situata të vështira të jetës, siç është divorci. Ana pozitive është se do të keni dikë që t’ju dëgjojë, pa ju gjykuar apo folur në mënyrë të njëanshme.
Terapia në grup
Po, kjo përsëri përfshin punën me një terapist, por në grup, i cili për disa njerëz është shumë më i rehatshëm sesa takimet një-për-një. Jo vetëm për depresion dhe ankth, terapitë në grup janë gjithashtu të shkëlqyera për njerëzit me probleme specifike, siç janë varësitë. Për shkak se grupet zakonisht formohen në bazë të problematikave të ngjashme midis anëtarëve, lind një ndjenjë më e madhe përkatësie, mirëkuptimi dhe mbështetjeje.