Çfarë tregojnë saktësisht këto etiketa ushqimore?
A e mbani mend kohën kur ushqimi ishte një kënaqësi? Kur keni bërë pazar pa humbur kohë duke lexuar deklaratat? Sot, mjafton të dëshironi të gatuani mish që t’ju zërë paniku se çfarë duhet të blini. Të jetë pa hormone, antibiotikë, nitrate dhe të ketë një shënim të veçantë që pula është rritur në një mjedis të pastër dhe pa stres. Në rregull, të paktën dikush nuk ka pasur stres.
Nuk jeni më të sigurt nëse hiqni dorë nga mishi, sepse perimet dhe frutat janë aq të përmbytura me pesticide, saqë lehtësisht mund të shpallen si bomba kancerogjene.
Dhe tani, si mund të hash lirshëm një omëletë, pa e pyetur veten nëse pula që i ka bërë vezët ka qenë në terapi me penicilinë?
Ka një kohë të gjatë që sasia e ka tejkaluar cilësinë, kurse industria ushqimore ka filluar të na vështirësojë gjërat gjithnjë e më shumë. Të vërshuar nga lloj-lloj etiketash, vendosëm të bëjmë një ndarje të vogël dhe të sqarojmë gjërat për ju.
Çfarë do të thotë organike?
Prodhimi konsiderohet organik nëse produkti rritet pa pesticide konvencionale, sintetike ose ujëra të zeza dhe çdo pleh tjetër artificial. Ushqimi i paketuar duhet të përmbajë të paktën 95 për qind përbërës organikë të çertifikuar të cilët nuk duhet të jenë përpunuar duke përdorur llamba laboratorike, rrezatim ose inxhinieri gjenetike.
Për sa i përket mishit organik, kafshët duhet të jenë të ushqyera me ushqim organik, nuk duhet të kenë marrë antibiotikë apo hormone dhe duhet të jenë rritur në kushte natyrore jetese ku mund të lëvizin dhe kullosin lirisht.
Ushqimi organik tingëllon shumë i shëndetshëm, por sa ushqyes është ai?
Universiteti Stanford ka analizuar 237 studime mbi ushqimet organike dhe të rëndomta dhe rezultatet e tyre treguan se midis këtyre dy kategorive nuk kishte asnjë ndryshim në vlerën ushqyese, e as në lidhje me rreziqet shëndetësore. Por në British Journal of Nutrition doli një studim në të cilin thuhet se ushqimet organike përmbajnë nivele më të larta të antioksidantëve.
Përfundimi i studimit është se një person do të mund të plotësojë nevojat e antioksidantëve nëpërmjet ushqimit, por vetëm nëse ai është tërësisht organik. Hulumtimet tregojnë gjithashtu se ushqimi organik nuk përmban pothuajse fare pesticide.
Është vërtetuar se disa pesticide janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin, ato nxisin rritjen e qelizave kancerogjene, e dobësojnë sistemin imunitar, rrisin rrezikun e mbipeshës, diabetit dhe demencës.
E njëjta gjë vlen edhe për antibiotikët që u jepen kafshëve, ndaj dihet me siguri se heqja e tyre do të nënkuptojë ngritjen e cilësisë së shëndetit të njeriut. Përmirësim më i madh parashikohet për infeksionet e traktit urinar, rezistenca e të cilave ndaj ilaçeve, shpesh lidhet me konsumimin e mishit nga kafshët e rritura në fermë.
Rreziqet e mundshme shëndetësore që mbartin me vete pesticidet dhe antibiotikët janë realitet, por gjithashtu janë të njohura edhe përfitimet e frutave, perimeve dhe proteinave të pastra, pa të cilat ne nuk mund të mbijetojmë.
Gjithmonë kur të keni mundësi, jepni përparësi ushqimit organik, veçanërisht kur bëhet fjalë për mishin dhe produktet e qumështit si dhe ushqimet të cilët i absorbojnë lehtë substancat e dëmshme, duke përfshirë: mollët, rrushin, pjeshkën, luleshtrydhet, specat, selinon, domatet, kastravecat, bishtajat dhe spinaqin.
Çfarë do të thotë natyrale?
Sipas një sondazhi të Consumer Reports, pothuajse 60% e konsumatorëve kërkojnë etiketën “natyrale” tek produktet gjatë blerjeve. Nga numri i përgjithshëm i atyre që kërkojnë këtë etiketë, dy të tretat mendojnë se kjo do të thotë se produkti nuk përmban pesticide, aditivë artificialë apo OMGJ.
Ky term zakonisht i referohet ushqimit që nuk ka aditivë artificialë, përfshirë edhe konservantët, por gjithsesi mungon një qëndrim zyrtar në lidhje me atë se a është ky ushqim i mirë apo i keq për shëndetin.
As në vetë deklaratën nuk tregohet se ku dhe si është rritur kafsha nga e cila vjen mishi, me çfarë është ushqyer dhe nëse ka marrë ndonjë antibiotik apo përbërës OMGJ.
Është shumë e rëndësishme të mos barazohet termi “natyror” me “i shëndetshëm”. Për shembull, shumë bimë përmbajnë helme të cilat janë natyrale, por kjo nuk do të thotë se janë të mira për njeriun. Është shumë më e zgjuar t’i kushtosh vëmendje përbërjes së produktit, sesa të jesh skllav i etiketës “natyrore”, këshillojnë nutricionistët.
Gjurmoni përbërësit e mirë si fibra, proteina, vitamina, minerale dhe sa më pak përbërës të këqij si sheqerna të rafinuar, yndyra të ngopura ose përbërës konfuzë si benzoat natriumi.
Çfarë do të thotë pa gluten?
Një e treta e popullsisë është e infektuar nga mania “pa gluten”. Këta janë njerëz të cilët besojnë se gluteni është fajtor për lodhjen e tyre të vazhdueshme, mungesën e energjisë dhe peshën e tepërt. Ushqimi pa gluten u bë nocion për ushqim i cili përmban shumë pak karbohidrate. Por sa e vërtetë është kjo?
Disa ekspertë të ushqimit janë të mendimit se produktet pa gluten si ëmbëlsirat dhe buka përmbajnë sasi shtesë yndyre dhe sheqeri për të zëvendësuar mungesën e shijes që humbet kur hiqet gluteni.
Përveç kësaj, një tjetër disavantazh është çmimi i lartë i produkteve që etiketohen si pa gluten. Konsumatorët janë një objektiv i lehtë për t’u manipuluar, për këtë shkak prodhuesit shumë shpesh shkruajnë te produketet e tyre se janë pa gluten, edhe pse ato nuk përmbajnë fare gluten nga vet natyra e tyre (si fjollat e orizit ose kokoshkat), me qëllim që të rrisin çmimin.
Një përqindje e vogël e popullsisë vuan nga sëmundja celiake (një çrregullim autoimun që shkakton simptoma të gërditjes, fryrje, dhimbje, diarre kronike ose kapsllëk, sa herë që fusin gluten në trup. Në këtë rast, eliminimi i proteinës është i detyrueshëm.
Nëse jeni njëri nga 18 milionë njerëzit që janë të ndjeshëm, por jo edhe alergjikë ndaj glutenit, mjafton vetëm të reduktoni marrjen e tij. Por, nëse po përpiqeni vetëm që të humbni peshë, atëherë zgjidhni ushqime që janë të pasura me lëndë ushqyese dhe do të merrni dyfish më shumë, edhe shëndet, edhe trup të hollë. Në blerjet tuaja të ardhshme, në vend të ushqimeve pa gluten, mbushni shportën tuaj me – peshk, pulë, mish viçi, kos – produkte të cilat vetvetiu nuk përmbajnë gluten, por që do ta shuajnë urinë tuaj plotësisht.