Paradoksi i “Deles së zezë”

Paradoksi i “Deles së zezë”

Askush nuk dëshiron të jetë një “dele e zezë” në shoqëri, por kur bëhet fjalë për karrierën, pikërisht këtu qëndron progresi.

“Paradoksi i deles së zezë” është një lëvizje që po merr vrull në botën e biznesit e cila propagandon se një individ mund të arrijë sukses vetëm nëse i reziston tundimit për të ndjekur turmën.
Në vitin 1951, Solomon Ash, një psikolog social nga Polonia, filloi një mision për të kuptuar dëshirën e njeriut për të qenë pjesë e turmës.

Në studimin e tij të parë në Kolegjin Suartmor, ai mblodhi disa grupe me nga 8 të rinj, të cilëve u prezantoi një fotografi të thjeshtë – fotografia tregonte 3 vija me gjatësi të ndryshme.
Pastaj, ai i pyeti pjesëmarrësit se cila vijë ishte më e gjatë. Lehtë, apo jo?

Interesant ishte fakti se 7 nga meshkujt në secilin prej grupeve ishin aktorë, të cilët qëllimisht dhe me vetëbesim dhanë përgjigjen e gabuar. Kur erdhi koha që i anketuari kryesor t’i përgjigjej pyetjes, Solomon Ash bëri një zbulim befasues: pavarësisht se e dinin përgjigjen e saktë, të anketuarit e vërtetë u përgjigjën gabimisht vetëm për t’u përshtatur me grupin.

Gjatë disa përsëritjeve të studimit, Ash zbuloi se 75% e pjesëmarrësve u përshtatën me grupin të paktën një herë.

Eksperimenti i Ash është një metaforë udhëzuese për jetën: Të menduarit e pavarur është një aftësi kritike e vendosur në një mjedis që është gjithnjë e më i zhurmshëm dhe plot me dezinformata.

Ndjekja e turmës jep një ndjenjë sigurie, por shpesh ju çon në rrezik. Prandaj, duhet të zhvilloni aftësi specifike për t’u dalluar.
Për të arritur sukses – qoftë si investitor, sipërmarrës, shkrimtar, intelektual, artist apo në cilëndo fushë krijuese – duhet t’i rezistoni tundimit për t’u përshtatur me të tjerët.
Ndjekja e vazhdueshme e turmës, në rastin më të mirë, do të rezultojë në rezultate mesatare. Por, edhe kundërshtimi i plotë mund të jetë gjithashtu i rrezikshëm, kështu që ekuilibri është i rëndësishëm.

Suksesi zakonisht është rezultat i një lloj kontradikte: Një gatishmëri për t’u refuzuar dhe madje për t’u tallur në një afat të shkurtër, në mënyrë që të krijohet platforma e nevojshme mbi të cilën do të arrihet suksesi në periudhë afatgjate.

Gjatë historisë, disa nga individët, kompanitë dhe teknologjitë më të suksesshme filluan si “dele të zeza”. Ata ishin të huaj, të urryer nga masat, por që arritën sukses të jashtëzakonshëm vite më vonë. Çfarë është ajo që e bën një individ “dele të zezë”? Aftësia e tij e lindur për të injoruar opinionin dhe pritshmëritë e të tjerëve, e kjo gjë i jep atij forcë për të zhvilluar ide që të tjerët nuk guxojnë.

Por, edhe ata të cilët kanë një fokus të fortë kanë potencialin të bëhen “dele të zeza”. Kur Voren Bafet dhe Bill Gejts u takuan për herë të parë në një darkë, u pyetën se cili faktor ishte më i rëndësishëm në suksesin e tyre. Ata që të dy u përgjigjën: “FOKUSI!”

Edhe nëse nuk keni lindur me përbërjen biogjenetike të një “deleje të zezë”, ekzistojnë disa praktika të thjeshta që mund t’ju ndihmojnë të bëheni krijues i pavarur i mendimit tuaj, siç janë: Studimi i thellë, mësimi i larmishëm dhe shkrimi.

Studimi i thellë nënkupton zgjedhjen e një teme që lidhet me profesionin dhe hulumtim të thellë në të gjitha aspektet e saj, si dhe ndjekjen e të gjitha lajmeve të reja që lidhen me të. Duke zhvilluar ekspertizë të thellë për një temë, ju fitoni përparësi ndaj konkurrentëve dhe lehtësoni procesin e vendimmarrjes.

Të mësuarit e larmishëm përfshin ndjekjen e një teme jashtë fushës suaj profesionale. Ekspertiza ju bën shkurtpamës: Ju bëheni të heshtur në mjedisin tuaj profesional dhe ngecni në kuptimin tuaj të botës. Por, duke mësuar diçka të re, horizontet tuaja zgjerohen, e me këtë e thelloni arsyetimin tuaj të pavarur.

Shkrimi është mjeti më i thjeshtë që keni në arsenalin tuaj. Shkrimi do t’ju ndihmojë të shikoni se sa në të vërtetë i kuptoni gjërat. Përmes shkrimit do ta shihni botën më qartë, sepse shkrimi ka një mënyrë qesharake për t’i lejuar mendjes suaj të endet në atë që me të vërtetë beson.

Pas dekadash studimi të sjelljes njerëzore, Solomon Ash arriti në përfundimin se është shumë e vështirë të qëndrosh i pavarur.

“Presioni për t’u përshtatur është aq i fortë sa që ne shpesh jemi të gatshëm të shtypim perceptimet dhe vlerësimet tona në mënyrë që të fitojmë pranimin dhe miratimin e të tjerëve”, thotë ai.
Prandaj është kaq e rëndësishme të mishëroni rolin e “delës së zezë”, sepse vetëm kështu do të jeni rehat në diversitetin tuaj!