Xhentëlmeni më i njohur në botën e muzikës
Pavle Kamiloski është një nga emrat më të njohur të skenës muzikore maqedonase, i njohur për vokalin e tij unik dhe pasionin për muzikën. Karriera e tij, e shënuar me shumë këngë, performanca dhe interpretime të suksesshme, është një frymëzim i vërtetë për shumë artistë të rinj.
Që nga momenti kur doli për herë të parë në skenë, e deri më sot, Pavle ka bërë një rrugë të gjatë. Historia e tij muzikore është një histori për përkushtimin, këmbënguljen dhe dashurinë ndaj artit. Për shkak të aftësisë së tij për të kombinuar klasiken me tendencat moderne, Pavle arriti të pozicionohet si një aktor i rëndësishëm në botën e muzikës, kurse rruga e tij drejt suksesit është plot me përvoja interesante dhe mësime të vlefshme.
Cili ishte momenti përcaktues në jetën tuaj që ju bëri të kuptoni se muzika do të bëhej profesioni juaj?
E dija këtë që në momentin që qëndrova për herë të parë në skenë para një publiku. Atëherë ai nuk ishte publiku im, por ishte një publik që më pranoi shumë mirë, me duartrokitje që e mbaj mend ende dhe që më dha forcë të shoh veten time si ky Pavle që jam sot.
Kur kemi një vizion të qartë të qëllimeve, ne përdorim potencialet dhe burimet tona në mënyrë shumë më optimale për të realizuar ëndrrën tonë.
Në vitet që pasuan e stërvita zërin dhe u zhvillova si këngëtar, ndërsa njëkohësisht punoja diçka krejtësisht tjetër që më jepte mbështetje financiare. Një sakrificë e tillë zgjati me vite.
Isha 33 vjeç kur ndjeva se muzika po bëhej profesioni im, jo vetëm një hobi, e me këtë edhe një burim ekzistence. Pikërisht atëherë vendosa të lë pozicionin tim të menazhimit të restoranteve në Hotel “Marriott” dhe t’i përkushtohem aktivisht asaj që më bën të lumtur dhe më jep motivimin për zhvillim të vazhdueshëm.
Cilët ishin ndikimet tuaja më të mëdha muzikore gjatë rritjes dhe si e formësuan ata stilin tuaj muzikor?
Si fëmijë, kisha mundësinë e rrallë të rritesha me koleksionin muzikor të babait tim. Ai përfshinte emra të mëdhenj që ishin pothuajse të panjohur për brezin tim. Ishte muzika e Xhejms Braun, Hulio Inglesias, Tom Xhons, Frank Sinatra, BB King etj.
Në të njëzetat e mia të hershme, pata rastin dhe mundësinë të udhëtoj nëpër botë, të njihem me kultura dhe kombësi të ndryshme, duke përfshirë Mesdheun, nga ku në fakt buron dashuria ime për muzikën mesdhetare. Gjatë asaj periudhe fillova të shfaq një interes të veçantë për emrat me ndikim muzikor si Luçano Pavaroti, Andrea Boçelli, Frank Sinatra, Din Martin etj.
Kur fillova të edukohem profesionalisht dhe të zbuloj mjeshtërinë e instrumenteve, atëherë ndikim të madh te unë kishin mentorët e mi, me mbështetjen e të cilëve fillova karrierën time duke interpretuar muzikën italiane. Ishin vitet kur mora titullin “Ambasador i Muzikës Italiane” në Napoli, Itali.
Më vonë, fillova të krijoj muzikën time origjinale, me të cilën fillova të krijoj vulën time personale në skenën tonë.
Po përgatitini ndonjë gjë të re për momentin? Si e keni kaluar verën në aspektin profesional?
Përveç shfaqjeve dhe angazhimeve të shpeshta muzikore, aktualisht jam duke punuar në dy projekte të reja, të cilat do të shpallen së shpejti.
Si e ruani ekuilibrin midis karrierës suaj dinamike dhe jetës personale? A keni ndonjë rutinë që ju mban me këmbë në tokë?
Unë jam gjithmonë i prirur të jem realist lidhur me veten dhe kjo më ndihmon të ruaj modestinë time, gjegjësisht të jem me këmbë në tokë. Aftësitë që i fitova me punë që para se të fillonte karriera ime muzikore, nuk ndalova kurrë së zhvilluari. Ato janë në fakt rutina ime e përditshme, përmbajtja e ditës që është edhe bilanci im i jetës.
Emocioni dhe pasioni i fortë që më jep skena dhe publiku nga njëra anë, kurse nga ana tjetër qetësia dhe modestia që gjej te përparësja në hotel “Neda” teksa përgatis specialitetet për mysafirët e mi. Atë që e gjej si një anë të bukur të përbashkët në këto dy profesione është se në të dyja i shërbej popullit. Kjo më sjell kënaqësi të veçantë dhe ndjenjën e plotësimit.
Sa ju shërben atësia si frymëzim në çdo gjë që bëni?
Universi na jep një fuqi të mahnitshme pasi bëhemi prindër. Pavarësisht gjithë netëve pa gjumë për shkak të asaj krijese të vogël, ne gjejmë forcën që na çon përpara. Dashuria ime që Josifi të rritet në një person të shëndetshëm dhe të matur është burimi im i frymëzimit dhe motivim për gjithçka në vazhdim.
Arrini të dilni në takim me gruan tuaj? Si ju pëlqen ta kaloni kohën së bashku?
Përveç përgjegjësive që na imponon përditshmëria, me Irinën time të mrekullueshme kemi krijuar një ekuilibër të përsosur mes asaj që është ajo dhe asaj që jam unë. Gjithmonë gjejmë një mënyrë për t’i kushtuar vëmendje njëri-tjetrit. Koha që kalojmë së bashku është kohë e kaluar cilësore, pavarësisht nëse bëjmë sport, gatuajmë së bashku, shikojmë një film apo dalim në një “takim” në ndonjë restorant. Pra, ne përpiqemi të kultivojmë dashurinë tonë çdo ditë duke ushqyer shpirtërat tanë me çaste të bukura që janë të mbushura me interesa të përbashkëta.
Duke krahasuar kohën e kaluar kur rriteshit në rrugë dhe atë që jetojmë sot, a keni ndonjë vizion se si do ta edukoni dhe orientoni fëmijën tuaj në të ardhmen?
Jam dakord, fëmijëria jonë ishte shumë ndryshe nga koha e sotme dhe moderne në të cilën jetojmë. Megjithatë, unë si prind jam i detyruar t’ia përcjell të gjitha vlerat morale dhe etike fëmijës tim, të jetë i edukuar dhe i kulturuar. Gjithashtu t’i siguroj edukimin adekuat për zhvillimin e tij, në mënyrë që të rritet në një person të shëndetshëm dhe normal, me vlera reale. Pasi ta kem arritur këtë qëllim, është e drejta e tij se cilin drejtim do të zgjedhë për të ecur më tej në jetë.
Gjithnjë e më pak muzikë ka nëpër shtëpi, ndërsa më parë të gjitha punët bëheshin me radio në sfond. Sa konsumon dhe reagon ndaj muzikës fëmija juaj edhe pse është i vogël?
Përkundrazi, Josifi u njoh me muzikën botërore dhe klasike kur ishte akoma në barkun e nënës së tij. Në shtëpinë tonë, ndonjëherë harrojmë të fikim muzikën kur na zë gjumi. Josifi është një fëmijë që rritet në një ambient muzikor dhe ndoshta është herët për ndonjë supozim, por më gëzon që lodra e tij e preferuar është pianoja e fëmijëve.
A keni ndonjë talent apo hobi të fshehur për të cilin fansat tuaj mund të befasohen?
Vitet e fundit, shumë shpesh njerëzit dinë të bëjnë shaka me mua se kam filluar alpinizmin dhe se para se të shfaqej Irina në jetën time, nuk e dija se ku ishte Vodno. Por, e vërteta është se unë jam marrë aktivisht me sport gjatë gjithë jetës sime dhe pavarësisht se sa e dua Mesdheun, prapëseprapë jam rritur në Galiçnik.
Si hobi do të përmendja lundrimin në ujërat e liqenit dhe horizontet e detit. Sa i përket talenteve të mia të fshehura, gjatë Koronës kam filluar të pikturoj në pëlhurë dhe pikturat e mia artistike e kanë vendin e tyre në muret e Hotel “Neda”, Galiçnik. Në të ardhmen ka mundësi t’ju befasoj me një ekspozitë.
Thonë se është e pamundur që një artist të pensionohet, mendja e tij krijuese do të gjejë gjithmonë një mjet për t’u shprehur. Pra, si e parashikoni pensionimin tuaj?
Nuk do të tërhiqesha kurrë nga dëshira për të krijuar ndjenja dhe emocione. Ne si artistë, nëse nuk do të krijonim, do të ishim njerëzit më të trishtuar në botë. Do të këndoja derisa të më zgjasë zëri, pavarësisht moshës. Nuk ekziston asnjë vizion për pensionim në kokën time. Nëse nuk do të ishte kështu, do të pensionohesha diku në Mesdhe, në një shtëpi buzë plazhit, me një gotë verë në çdo perëndim, përballë një pëlhure dhe me një brushë në dorën tjetër.
Muzika sot i ka në dispozicion mediat dhe kanalet sociale, sa i lehtëson kjo gjërat në të vërtetë? Dhe nga cili aspekt i vështirëson?
Mediat sociale janë një mjet që padyshim i ndihmon artistët për vetëpromovim. Megjithatë, duhet patur shumë kujdes me cilësinë e përmbajtjeve që publikohen dhe mënyrën se si vendosen. Të gjithë jemi dëshmitarë të komenteve dhe kritikave të shpeshta negative që jo gjithmonë vijnë nga një vend i ndershëm dhe i sinqertë.
Si i përballoni gjithë ato komente negative që sot mund të arrijnë lehtësisht deri te ju përmes rrjeteve sociale?
Tashmë është e njohur se në vendin tonë njerëzit i japin vetes të drejtën të gjykojnë dhe kritikojnë pa bazë. Më duket se nuk do të takoni kurrë një person të suksesshëm që merret me këto gjëra. Ka një fjalë të urtë popullore që thotë: “Në arë nuk mund të vendosim portë, e as njeriut t’ia mbyllim gojën”.
Mediat sociale janë një hapësirë ku të gjithë janë të lirë të shprehin mendimin dhe qëndrimin e tyre, dhe për sa kohë që është i matur dhe pasqyron emocione të vërteta, qoftë ky një mendim kritik apo pozitiv, unë e vlerësoj atë.
Nga të gjitha performancat që keni dhënë, a ka ndonjë që dallohet si veçanërisht e paharrueshme dhe domethënëse për avancimin tuaj?
Me realizimin e çdo koncerti, e ndej zhvillimin dhe gjithmonë insistoj që koncerti i ardhshëm të jetë akoma më i mirë se ai paraprak. Nëse do të më duhej të veçoj ndonjërën nga performancat, do të veçoja koncertin tim të fundit që u realizua vitin e kaluar para festave të Vitit të Ri në “Teatrin Kombëtar të Maqedonisë”.
Pasi kanë shkëmbyer kaq shumë energji pozitive me publikun, interpretuesit thonë që pas performancës ndihen të zbrazët, madje edhe të trishtuar. Sa të varur jeni nga ajo energji dhe a përjetoni rënie emocionale pas një performancë?
Skena është i vetmi ilaç pozitiv që dua të marr deri në fund të jetës sime. Ndjenjën që kam kur jam në skenë nuk mund ta krahasoj apo zëvendësoj me asgjë. Reciprociteti i shkëmbimit të energjisë mes meje dhe publikut është një ndjenjë e papërshkrueshme. Edhe pse pas një performance ndihem i rraskapitur fizikisht, sërish jam shumë i mbushur emocionalisht. Dhe pikërisht për këtë ndjesi kam forcën dhe energjinë për të realizuar një shfaqje tjetër.
Si shpresoni se do të ndikoni në gjeneratën e ardhshme të muzikantëve? Çfarë shpresoni se do të lini më shumë si trashëgimi për fansat e ardhshëm?
Duke ndarë përvojën time personale dhe rrugën që kam ecur deri më tani, do të doja të përcjell të gjithë entuziazmin tim të deritanishëm deri te secili që dëshiron të bëjë një version më të mirë të vetes në botën e muzikës dhe të mos heqë dorë kurrë nga ëndrra e tij, sado e vështirë të jetë rruga drejt realizimit të saj, për arsye se pendimi dhe keqardhja më vonë në jetë mund të jenë shumë më të dhimbshme në krahasim me mospërpjekjen dhe frikën nga dështimi.
Kemi muzikantë të rinj fantastik dhe të talentuar me vokal të mrekullueshëm, të cilët duhet të luftojnë vetë për të gjetur vendin e tyre. Ndoshta do të jetë e vështirë, ndoshta rruga do të jetë me shumë gjemba dhe pengesa. Është normale që njeriu të hezitojë dhe të pyesë veten nëse është gjëja e duhur, por më besoni, lumturia është e pamatshme dhe e pazëvendësueshme pasi realizoni ëndrrën tuaj dhe gjeni veten. Unë kam arritur deri në një shkallë të caktuar, por ende po jap gjithçka nga vetja dhe mendoj se kam ende shumë synime që dua t’i realizoj. Kështu që, gjithçka që kam bërë deri tani dhe ajo që do të vijë, e më besoni se ka shumë më tepër, mbetet për brezat e ardhshëm dhe publikun tim.