Përmes ushtrimeve deri te kontrolli i ekzemës

Përmes ushtrimeve deri te kontrolli i ekzemës

Simptomat intensive të ekzemës ndikojnë në shëndetin fizik dhe emocional, por ushtrimet mund të ndihmojnë

Të ushtruarit dhe ekzema kanë një marrëdhënie të ndërlikuar. Nga njëra anë, djersa dhe temperaturat e larta përkeqësojnë gjendjen e lëkurës, konkretisht simptoma të tilla si kruajtja, inflamacioni, thatësia dhe acarimi. Nga ana tjetër, ekzema (ose dermatiti atopik) mund të ndikojë seriozisht në shëndetin mendor – diçka që ushtrimet mund ta përmirësojnë.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Ekzemës, personat me këtë gjendje kanë një rrezik deri në trefish më të lartë nga ankthi ose depresioni dhe me përkeqësimin e simptomave, ky rrezik rritet.
“Djersa është irrituese dhe e pakëndshme për njerëzit me ekzemë”, thotë Dr. Ellis Love, një dermatologe nga Nju Jorku, e cila në qasjen e saj holistike të kujdesit ndaj lëkurës përfshin edhe ushtrimet.

“Por, aktiviteti fizik është pjesë e kujdesit për veten, kështu që është e rëndësishme të bëhet një plan që do të zvogëlojë rrezikun e përkeqësimit të simptomave dhe do të sigurojë përfitimet shëndetësore nga ushtrimet”.
Për fillim, ja disa ushtrime që ajo rekomandon:

Noti

Nëse deri tani e keni shmangur ujin e pishinës për shkak të klorit, është koha t’i jepni një mundësi. “Në fakt, e rekomandojmë notin kur gjendja me ekzemën është e përkeqësuar sepse klori ka veti antibakterore që mund të ndihmojnë lëkurën”, thotë Dr. Love. “Përveç kësaj, uji i ftohtë ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit”.
Noti ka edhe përfitime të tjera – përmirëson lëvizjen përmes shëndetit më të mirë të kyçeve, rrit forcën dhe funksionin kardiovaskular. Disa studime madje theksojnë se noti përmirëson ndjeshëm shëndetin mendor.

Edhe pse klori mund të mos e dëmtojë lëkurën tuaj ndërsa notoni, madje edhe mund të ketë një efekt të dobishëm ndaj ekzemës, e njëjta gjë nuk vlen edhe pasi të dilni nga pishina. Ashtu si me djersën, përzierja e klorit dhe ujit që mbetet në lëkurë e than atë më tej, thotë Dr. Love. Prandaj, menjëherë pas notit, bëni një dush me ujë të vakët dhe një banjë hidratuese, aplikoni krem ​​hidratues në të gjithë trupin tuaj për të zvogëluar efektet negative.

Joga dhe tai chi

Ajo që i dallon jogën dhe tai chi-në nga ushtrimet e tjera të lëvizshmërisë dhe shtrirjes është përqendrimi në frymëmarrjen e kontrolluar, thotë Josue Luis, një trajner personal i certifikuar i cili punon me klientë që vuajnë nga ekzema. Lëvizja e kombinuar me këtë lloj frymëmarrjeje dhe një gjendje mendore meditative, mund të ndihmojë në rregullimin e emocioneve.
“Kur vuani nga ekzema për një kohë të gjatë, lehtë mund të humbni kontrollin – veçanërisht nëse simptomat përkeqësohen”, thotë Luis. “Por, pavarësisht gjithçkaje, ka gjëra që mund të bëni: ushtrime në një dhomë të freskët, zgjedhje ushtrimesh me intensitet të ulët, joga. Një nga mënyrat më të mira për të rikthyer kontrollin është frymëmarrja – ajo ndikon në temperaturën e trupit, humorin dhe rrahjet e zemrës”.
Hulumtimet vërtetojnë se frymëmarrja e thellë e kombinuar me lëvizjet e lehta mund të ulë tensionin e gjakut dhe të lehtësojë stresin dhe ankthin. Shoqata Kombëtare e Ekzemës gjithashtu vë në dukje se të jetuarit në mënyrë të vetëdijshme mund të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës dhe t’i ndihmojë njerëzit me këtë gjendje të ndiejnë se kanë kontroll mbi shëndetin e tyre.

Ecja

Një nga aktivitetet fizike më të arritshme, por shpesh të nënvlerësuara, është ecja. Pjesërisht sepse është një formë ushtrimi që përshtatet, por mund ta bëni më të vështirë me distanca më të gjata ose ngjitje, ose ta ndani në shëtitje të shkurtra gjatë ditës.
“Mund të shëtisni para – prapa nëpër korridor në shtëpi ose në punë dhe përsëri të merrni përfitime”, thotë ai. “Kjo gjë jo vetëm që do të përmirësojë shëndetin mendor, por do të mbështesë gjithashtu edhe sistemin tuaj kardiovaskular dhe shëndetin e përgjithshëm. Kur ecni jashtë, merrni gjithashtu edhe ajër të pastër, edhe vitaminë D nga dielli”.
Shoqata Amerikane e Kardiologjisë shton se ecja mund të rrisë nivelet e energjisë, të përmirësojë shëndetin emocional, të përmirësojë kujtesën, të forcojë masën kockore dhe të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve serioze si diabeti dhe lloje të caktuara të kancerit.

Kontroll i djersitjes

A do të thotë kjo që duhet të shmangni plotësisht djersitjen dhe ushtrimet intensive nëse keni ekzemë? “Jo!”, thotë Dr. Love – ka shumë përfitime fizike dhe mendore nëse merreni me aktivitetin që doni, qoftë vrapim, vallëzim, ushtrime kardio apo stërvitje me intensitet të lartë.

Vetëm duhet të keni parasysh se ndoshta do t’ju duhet të bëni përgatitje shtesë – si të vishni rroba që thithin djersën, të bëni dush menjëherë pas ushtrimeve, të qëndroni të hidratuar vazhdimisht dhe një periudhë të domosdoshme për t’u freskuar pas stërvitjes.